M J E G U L L A

0
Mihallaq Qilleri 

Pastaj ndërtesa e madhe krijonte një kthesë. Drejtkëndëshe. Furia e erës që deri atë kohë dëgjohej por nuk ndihej, mu përplas në fytyrë dhe kuptova se ca pika të rralla, por të rënda shiu më lagën syzet. Ula çadrën. Me dorën tjetër mblodha pas qafës jakën e xhupit. Kishte fare pak dritë. Një llampë neoni shpërndante përtokë hijet e trishtuara të një druri rrapi.Nuk duhej të kisha bërë as njëzetë hapa pas kësaj kthese kur ndjeva hapa. Nuk kuptova nëse ato vinin pas meje apo njeriu ecte përpara. Ne mbartim gjithmonë natën një mikrofrikë të çuditshme, gati-gati genetike. Imponim i errësirës. Dhe i ekselencës së trurit që paralajmëron. Pastaj hapat nisën të ndiheshin më shumë. Ktheva kokën. Po, dikush vinte pas meje. Çuditërisht ndjeva një drithërimë të mprehtë të më pushtonte shpinën. Zhyta më thellë duart në xhepa. Asgjë nuk kishte aty përveç një tufë çelsash të shtëpisë sime. Edhe celulari, sigurisht. Mund të më mbronin ato?
Hapat ishin tashmë thuajse pas kurizit tim të drithëruar. Gati-gati kureshtja po më mpinte krejt trupin. Duhej të ktheja kokën. Kjo do të ishte masa e parë mbrojtëse. Dhe u ktheva me vështirësi. Pashë një figurë po aq të kruspullosur. Ndoshta e mbuluar me kapuçin e pardesysë, pallatos, apo edhe xhakaventos..Nuk dallohej. Tani ishte një hap pas. Pastaj…
– Mirëmbrëmani!
Përshëndetja ishte e pazakontë për një të panjohur, por krejt normale për të bashkuar frikën e pastaj për ta eliminuar atë. Ishte një zë gruaje. Mbajta këmbët. Nuk e di nëse e bëra për t’i liruar rrugën të ecte ajo përpara, apo nga që trotuari ishte tepër i ngushtë dhe nuk lejonte të ecnim njëherësh të dy. Ajo, ose hija e saj, më arriti, kaloi bri meje, bëri edhe tri hapa më tej dhe, befas, ndaloi. Mbajta këmbët.
Ne ishim tani vetëm tri hapa larg. Mendimi i parë që më erdhi ndërmend qe i flligësht. Mund të ishte një femër rrugësh që kërkonte partner. Nuk kisha shkuar kurrë me gra të tilla. As në vitet e mia të emigracionit, kur djemë të urritur mësynin nëpër shtëpitë publike të qendrës së vjetër të Athinës. Sepse kisha një përfytyrim tjetër për marrëdhëniet intime..
Nuk pata aq kohë të mendoja shumë. Ajo bëri një hap drejt meje. Tani na ndante diçka më shumë se një metër.
– A mund t’ju kërkoj diçka? – pyeti befas. Përsëri mendova se duhet të kishte nevojë për para. Nuk e di sesa kisha në xhep. Ndoshta disa kartmonedha letër.
– Urdhëro? – pyeta më shumë për ta shoshitur mendimin e saj.
Tundeshin po ato degë rrapi në fytyrën e saj. Sepse tashmë e kishte zbrapsur kapuçin dhe unë mund të dalloja një ball të sheshtë e ca sy të thellë pa asnjë kuptim.
– Këtu…, pak më tej ndodhet një kafe..A mund të pi një kafe me ju? E paguaj unë..
Pas kësaj fraze gjithçka ndryshoi. Nuk ishte as grua rrugësh, as kërkonte thjesht para. Me siguri më njihte. Dhe donte të më thoshte diçka. Diçka që kishte të bënte me jetën time, apo me jetën e saj, apo me jetën e dikujt që ndodhej midis nesh.
– Njihemi? – guxova dhe e pyeta si një adoleshent.
Nuk m’u përgjigj menjëherë. Kjo më dha kohë të mendoja se në sht;pi më prisnin e vendimi për t’u ulur në një kafe me një grua të panjohur nuk ishte edhe aq normale. Sidomos natën. Gati gati nuk po i dallojoja as krejt fytyrën. Mund të ishte disi më e shkurtër se unë.
– Jo, – ma ktheu. – Jo, nuk ju kam parë kurrë.
– Po..si guxuat..
– Dëgjoni, – ma ktheu rrëmbyeshëm sikur ta kishte menduar më parë argumentin e saj.- Kjo është thjesht një dëshirë. Mund të ishit ju njeriu që do ta ftoja për një kafe, mund të rastiste një kalimtar tjetër. Thjesht unë dola nga shtëpia ime ku banoj dhe dëshirova të kisha përballë një fytyrë njeriu..
– Mund të ishte edhe grua njeriu juaj? – shpova me ironi.
– Sigurisht, edhe grua…
Nuk po më pëlqente aspak kjo bisedë nate. Vijonin të binin po ato pika të rënda shiu, degët e zhveshura të rrapeve të trazoheshin me njera-tjetrën, hijet të bridhnin sa nga një fytyrë te tjetra, duke thelluar gjithmonë e më shumë këtë përballje të çuditshme.
– Nuk ju imponoj, – tha pas një çasti. – Mund të vazhdoni rrugën..
Përpara një gruaje mund të mposhtet në heshtje edhe një dru rrapi. Ndjeva një zile celulari të cilën e mbyta vrullshëm.
– Po, – thashë, – më udhëhiqni drejt kafenesë që njihni. – Nuk kam ardhur shpesh në këtë lagje. Isha te një miku im. Hyra kur ishte ende ditë..
Nuk m’u përgjigj. Ktheu trupin dhe nisi të ecte përpara. E ndoqa.
Vërtet pas një kthese shihej që rruga ishte tërësisht e ndriçuar. Tani edhe era e pikat e shiut sikur kishin kuptim. Një keqbërës do më shtynte në ndonjë rrugicë të errët. Kjo jo.. Kishte disa dyqante ende të çelura. Pas pak ajo shtyu derën e një lokali të zhurmshëm. Hyra edhe unë pas saj. Qëndruam disa sekonda për të gjetur një tavolinë bosh. E ngrohta e atyshme sikur më arratisi gjithë mendimet e zymta. E para gjë që bëra shtiva duart në xhepa për të vërtetuar se kisha aq para për të paguar aty. Nuk mund të sillesha si njeri pa dinjitet. Po, kisha, diçka si 2000 lekë.
Një kamarier i shkathët u afrua me nxitim tek ne dhe na udhëhoqi drejt një cepi të lokalit. Vërtet aty kishte një tavolinë bosh. Vrejta se ajo hoqi menjëherë xhupin e saj të gjatë dhe pashë nga pas një trup të hajthëm. Mbante veshur pantallona. Flokët i kishte të dendura. Të zeza. Pas qafës së saj të bardhë troshiteshin nje magji e zezë që e pat bërë aq të mistershme. Ajo zuri vend në njerën prej karrigeve me shpinë nga pjesa e mbushur e sallës. Unë u vendosa përballë saj.
Duhej të ishte rreth të dyzetave. Një lëkurë e bardhë, e tendosur i spikaste me shumë mollëzat e rrumbullta dhe i thellonte vendin e syve. Ajo buzëqeshi lehtë, krejt natyrshëm, shmangu një tufë flokësh nga balli sikur të më thoshte..Po, unë jam!
Nuk e dija nëse duhej t’i prezantohesha. Apo ajo e para duhej të më thoshte emrin e saj. Gjithsesi kamarieri erdhi gjithë bujë, ajo tha kafe, unë thashë kafe, ai iku dhe ne tashnë ishim përballë njeri-tjetrin në formën më të çuditshme. Dy të panjohur. Krejtësisht. Nuk e kisha parë asnjëherë atë fytyrë. Por, siç ndodh edhe në udhëtimet, – kur të bie numri i biletës përskaj një të panjohuri,- tiparet njerëzore nis e bëhen të afërta, sepse qeniet nuk ndryshojnë shumë. Por ajo ishte simpatike, sesa e bukur. Ndoshta diçka i mungonte, por kjo nuk kishte pikë rëndësie.
– Si jeni? – pyeti papritur me një buzëqeshje të shtirur.
– Mirë, po ju?
– Paskam hasur në një njeri me kulturë, dhe kjo shihet në veshjen tuaj. Sepse mund të takoja edhe një rrugaç.
– Dhe atë do ta ftonit për kafe? – pyeta me nxitim si një lloj hakmarrjeje,
– Sigurisht, – ma ktheu.- Unë thjesht doja të takoja dikë e të pija një kafe. Dola nga shtëpia ime me këtë mendim të rëndë në kokë. Kisha nevojë të takoja dikë tjetër..
– Dikë tjetër? Pra ju dolët nga shtëpi ku ndodheshit me një njeriun tuaj.
– Po.
– Befas u mërzitet prej tij dhe…
Erdhe kamarieri me kafet. Ajo uli kokën me gjasë duke rregulluar filxhanin e gotën e ujit përballë saj. Nënqeshi. Ishte një ravijëzim i hollë i cepeva të buzëve. Mollëzat e faqeve sikur iu theksuan më shumë.
– Jeni i martuar? – pyeti befas duke më ngulur sytë e thellë diku në mes të ballit.
– Jam, – iu përgjigja.
– Nuk keni ndjerë ndonjëherë nevojën të arratiseni nga bashkëjetesa?
Pyetja ishte e drejtë për drejtë. Qenia njerëzore përtyp shpesh male mendimesh, dyshimesh, lugina mundësish, dete zemërimi, qiej shpresash, mure burgosjesh. Zbrazja e së pamundurës do të ishte gjakosje egzistenciale. Për fat pastaj vjen harresa. Më tej vjen përshtatja. Një cikël idjotesk përsërit vetveten dhe shpirti njerëzor u ngjan kapakëve të një molusku që hapet e mbyllet sa për t’u mbushur me mbijetesën. Derisa dallga e zhyt në rërën e bregut dhe aty…
– Nuk e di, – shtova përbindshëm me hipokrizi.. – Nuk e di, nuk e di, – nxitova të shtoja sikur pas kurizit tim të gjendej tashmë një qenie tjetër.
– Si nuk e dini? – lëshoi ajo lugëzën e kafesë mbi pjatën e porcelantë ku mbizotëronte rrethi i zi i lëngut qetësues.
Heshta. Për fat të keq , për herë të parë në jetën time ndihesha inferior para një gruaje. Isha krejtësisht i pasinqertë. Isha krejtësisht hipokrit. Hipokrizia na mban gjallë në rrjetën e të pavërtetës. Ajo kishte guxuar.. Kishte dalë një natë, një orë, një vit, një shekull, një herë nga e pavërteta që e rrethonte dhe donte të haste në jetë një figurë, fytyrë, mendim, epsh a buzëqeshje – çfarë i ndan në fund të fundit, krej ndryshe. Më duhej ta kthja lëngun e kafesë me shpejtësi për të dhënë idenë e fundit, e përfundimit, sikundër kisha vendosur pika të mëdha në frazat e ekzistencës sime. Ajo vazhdonte të qëndronte stoike përballë meje me shpresën e një fillimi të ri.
Por jo, unë u ngrita. Lëshova një monedhë 500 lekësh mbi tavolinlë dhe thashë se nuk duhej të vonoja në ritualin absurd të së përditshmes sime.
– Ikni, – ma ktheu ftohtë ajo. – Unë do qëndoj edhe pak..

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.