KONTRIBUT  PËR GJEOGRAFINË HISTORIKE TË  POPULLIT  SHQIPTAR

0
130

Peter Bartl-Injac Zamputi, Vincenzo Zmajevich- Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703), Botoi:  Albanisches InstitutFaik Konica, St.Gallen-Prishtinë, 2022

Në jetën e një populli  nuk janë të rrallë rastet ku disa personalitete kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarje të ndryshme, të cilat janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Ne këtë gamë të çështjeve  te shqiptarët  në të kaluarën  vend nderi  zënë klerikët e nderuar si Buzuku, Bogdani, Bardhi, Budi etj., ndërsa  këtyre iu shtohet edhe teologu Vinçenc Zmajeviqi i cili veçohet me dy kontribute me peshë të veçantë. E para është roli i tij në organizimin e Kuvendit të Arbrit(14 janar 1703) dhe e dyta, ka të bëjë  në emigrimin dhe vendosjën e shqiptarëve nga krahina e Krajës dhe e Shestanit në Zarë  të Dalmacisë në vitin 1726.

Dr.Nail  Draga    Dr. Nail Draga: LIBRI PARË NË SHQIP PËR ZEZAKËT E ULQINIT - Ulcinj info

Por, ky personalitet  i nderuar në sajë të angazhimit jo vetëm teologjik ka mbledhur të dhëna me interes për shqiptarët që i ka shkruar në veprën Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703) e cila për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur për opinionin e gjerë, por në sajë të angazhimit të përbashkët në mes Institutit Shqiptar në St.Gallën në Zvicër dhe SHB”Faik Konica”në Prishtinë, na vjen e botuar në shqip në vitin 2022.Në sajë të informacionit që disponojmë, Relacioni i ipeshkvit Vincenc Zmajeviqit i vitit 1702/1703 është vepër e tre autorëve: Vincenc Zmajeviq, Peter Bartl dhe Injac Zamputti. Zmajeviqi e ka shkruar këtë relacion nga vizita apostolike në ipeshkvitë e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1702/1703. Këtë relacion e ka botuar italisht (versioni i arkivit të Vatikanit) Peter Bartl më 1979 në librin “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte Im 17. Und 18. Jahrhundert“ fq. 1-186, përcjellë me shpjegime e shënime nga vet Bartl-i. Ndërsa në shqip është përkthyer nga Injac Zamputti më 1988, që ishte përkthim i pabotuar deri tani.

Autoritet i kohës së tij

Vincenc Zmajeviqi ka lindur në Perast (Mali i Zi i sotëm) më 23. 12. 1670 në një familje kroate e njohur në historinë e rajonit dhe më gjerë.  Me ndihmen e xhaxhai i tij, Andrija Zmajeviqi,i cili  ishte ipeshkëv i Tivarit (1671- 1694),  dërgohet në “Collegium Urbanum” në Romë, ku përfundon studimet në filozofi e teologji, ku edhe   doktoroi më 30. 03. 1695. Pas shugurimit meshtarak, më 1696 kthehet në vendlindje dhe emërohet famullitar në Perast. Më 1701 papa Klementi XI e emëroi ipeshkëv të Tivarit me dekretin: “Vicentius Zmajevich, archiep. Antibarensis 8 Iulii 1702 deput. visit. apost. ecclesiarum et missionum prov. Epiri seu Albaniae iuxta decr. S. Congr. Prop. 13 Iun. 1702 emanatum et a S.S. 19 Iun. 1702 approbatum”. Vincenc Zmajeviqi ishte ipeshkëv i Tivarit deri sa u emërua ipeshkëv i Zarës në Kroaci, më 1713, ku edhe vdiq më 11.09.1745.Pas emërimit të tij ipeshkëv i Tivarit më 1701, Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) emëroi Zmajeviqin Vizitator Apostolik në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari, dhe këtë vizitë e filloi në shtator të vitit 1702 e që zgjati deri në shkurt 1703.Pasi Zmajeviqi kishte vizituar si i dërguar i Vatikanit ipeshkvitë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bullgari, kishte parë gjendjen e mjerueshme të katolikëve shqiptarë, jo vetëm materiale por edhe organizative, strukturore nën Perandorinë Osmane. Një situate e tillë aspak e favorshme  ndikoj  që  ai të ndërmarrë diçka konkrete për Kishën Katolike në trojet shqiptare. Kështu falë Zmajeviqit u thirr dhe u organizua  Kuvendi i Arbrit i cili u mbajt më 14 dhe 15 janar 1703 në Mërçi në afërsi të Lezhës, ku u tubuan ipeshkvijtë e klerikët katolikë, apo më mirë të themi, përfaqësuesit kishtarë shqiptarë për të diskutuar dhe vendosur rregulla për jetën kishtare në trojet shqiptare.Gjatë historisë kishtare, organizime ipeshkvore apo ndëripeshkvore ka pasur edhe më parë  por “Kuvendi i Arbrit” ishte me përmasa të mëdha, pasi për këtë ishte informuar mirë Papa Klementi XI dhe dokumentet e botuar pas Kuvendit ishin të shumta, latinisht e pastaj edhe shqip, me interes shumëplanesh studimi,  si kishtare, historike, gjuhësore, gjeografike e  etnografike, duke qenë i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar.Relacioni i vitit 1702/03 i Zmajeviqit nuk është me interes vetëm për historianët e shekullit XVII. Përmbajtja e tij do të mund të përshkruhet në pika të shkurtra kështu. Faqet e para ia kushton gjendjes jo vetëm historike shqiptare, por edhe asaj ekonomike, pozicionit gjeografik, dioqezave në trojet shqiptare, gjendjes së mjerueshme të të krishterëve nën sundimin e Perandorisë Osmane, por edhe kritikat ndaj klerit katolik nuk mungojnë. Në këtë pjesë, Zmajeviqi shkruan se duhet thirrur një koncil provincial shqiptar, çka edhe bëri më 1703 (Kuvendi i Arbrit).Përshkrimet e Zmajeviqit në këtë relacion janë detaje për kohën, jo vetëm për jetën e besimtarëve apo të klerikëve, për hapësirën gjeografike që ai vizitonte, për shkatërrimin e kishave, tjetërsimet nëpër kisha, por jep edhe numra të saktë të besimtarëve katolikë nëpër famulli. Në këtë kohë, siç dihet, islamizimi kishte shtrirë rrënjët jo pak në popullin shqiptar dhe jeta ishte tejet e vështirë jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që ishin islamizuar. Kishte edhe të tillë që, në brendi mbaheshin të krishterë, kurse jashtë si myslimanë.Relacioni trajton, me nga një kapitull të veçantë, dioçezat që ai vizitonte e ku jetonin katolikët, si ato të: Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës, Administratën e Durrësit, Budues, gjendjen e kishave të Serbisë dhe Administratën e Shkupit, gjendjen e të krishterëve në Bullgari. Jep po ashtu edhe ide për dalje nga kjo gjendje e mjerueshme, nevojat e misionarëve françeskanë etj. Kemi të bëjmë me një relacion të detajuar nga një indvidë I përgatitur jo vetëm në aspektin teologjik, që ishte model për kohën kur është shkruar,por e them pa hezitim se  mund të shërbejë model edhe për kohën tonë, duke ofruar të dhëna me interes  shumëdimensional.

Vendbanime të shpopulluara

Duke  analizuar  këtë botim ku ofrohën të dhëna për një numër të konsideruar të vendbanimeve, unë me këtë rast jam përcaktuar për disa vendbanime të cilat sot janë në kuadër të Malit të Zi. Pikërisht duke marrë parasysh   të dhënat  për vendbanimet e prezantuara në kuadër të famullive të tyre, del qartë se në ditët tona pas me shumë se tre shekujve disa vendbanime nuk ekzistojnë me. Ata janë shpopulluar  për shkaqe të ndryshme të kohës qoftë  në sajë të emigrimit, sëmundjeve të ndryshme apo çështje të tjera sociale  dhe si të tilla i takojnë gjeografisë historike. Në këtë aspekt na ndihmojnë edhe hartat e publikuara për kohën përkatëse për të deshifruar më saktë vendndodhjen e tyre.

Shasi-famullia kryesore në Anë të Malit Hajrudin S. Muja: Ulqini dhe Tivari në përshkrimet dokumentare - Ulcinj info

Me këtë rast dua të ceki disa të dhëna qe kanë të bëjnë me famullitë në  Anë të Malit,  sepse kemi të bëjmë me disa  të dhëna me interes gjeografik, historik e etnografik.Kështu për famullia krysore e Anës së Malit është ajo  e Shasit  e cila përbëhëj nga  9 vendbanime (Brija, Shasi, Milla, Krytha, Kllezna, Brajsha,Selita, Suma dhe Bukmira)  të cilët gjithsejt kanë 114 shtëpi me 923 banorë, ndërsa në aspektin fetarë ishin: 69 shtëpi katolike dhe 602 banorë, 41 shtëpi myslimane me 290 banorë si dhe 4 shtëpi ortodokse me 31 banorë.Nga këto vendbanime më së shumti shtëpi katolike  kishte Milla 18 shtëpi me 171 banorë, duke pasuar nga Brija e Kllezna. Ndonëse ishte seli e famullisë Shasi kishte 1 shtëpi katolike me 3 banorë,ndërsa kishte 12 shtëpi myslimane me 90 banorë, dëshmi e  procesit të islamizimit të popullsisë shqiptare, duke filluar nga viti 1571, nga koha kur Shasi  është okupuar e shkatërrur nga Perandoria Osmane. Ndonëse para okupimit Shasi ishte ipeshkvi, nga ajo traditë kishtare tash kishte statusin e famullisë, me numër minimal të banorëve.Në relacion V.Zmajeviqi  për Shasin  ofron të dhëna për të kaluarën e tij duke cekur disa kisha me emër, të cilat në kohën tonë tash dihet me emër vetëm për dy prej tyre(katedrala e Shën Gjonit brenda qytetet dhe ajo e Shën Mrisë, jashtë mureve të qytetit).

Bria dhe Bukmira i takojnë gjeografisë historike

Nga  numri I përgjithshëm të vendbanimeve  të cilat prezantohen në këtë botim dy vendbanime janë të diskutueshme. Fjala është për dy  vendbanime në Anë të Malit, e ata janë  BRIJA, e cila gjindej në pjesën veriore  të liqenit të Shasit, ku sot gjindet vendbanimi me emrin Kllezna  Poshtë. Në vitin 1703 kishte  11 shtëpi katolike  me  115  banorë, ndërsa  të fesë islame ishin 3 shtëpi me 25 banorë. Por, nga të dhënat e mëvonshme ky vendbanim nuk figuron, sepse sipas një informacioni që disponoj në vitin 1756 popullsia e  42 shtëpive e tëra ka emigruar në Itali. Nuk ka të dhëna se kush ishte motivi i emigrimit kolektiv, ku supozohet sëmundja e kohës apo ndonjë motiv tjetër social.  Por, nga ajo kohë e më pas këtu është vendosur një popullsi e ardhur nga Mirdita, dhe Shkreli që është e pranishme edhe në ditët tona. Nga ajo kohë humbi emri I mparshëm BRIJA, ku si dëshmi janë gërmadhat e shtëpive të asaj kohe, ndërsa me banorët e rinjë vendbanimi quhet Kllezna Poshtë, në analogji me vendbanimin e njëjtë i cili quhet Kllezën, e më pas Kllezna e Sipërme(Naltë).Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm. Nga këtë aspekt kemi edhe  vendbnimin BUKMIRA, në afërsi të Shasit të sotëm, e cila kishte  4 shtëpi katolike me  41  banorë dhe 2 shtëpi të fesë islame me 13  banorë. Kemi të bëjmë me një vendbanim me pozitë të përshtashme gjeografike me resurse natyrore që sipas të dhënave është vendbanim i vjetër dhe i banuar. Në atë kohë  këtu bëhët fjalë për kishën Shën Pelegrinit, për të cilën sot nuk dihet. Por, nga ajo kohë e me pas nuk ekzistojnë të dhëna se popullsia është rritur, por e kundërta duke mbetur pas Shasit.  Mbetet të hulumtohet për ish popullsinë e Bukmirës dhe numrin e tyre me pas, sepse ka mbetur pa banorë.I cekëm këto dy vendbanime sepse me pas ata nuk figurojnë, sepse popullsia  për shkaqe të ndryshme ka emigruar, që mbetën çështje për hulumtim, ku si të tilla këto vendbanime i takojnë gjeografisë historike.Nuk ka dilemë se një çështje e tillë ekziston edhe në dioçezat tjera shqiptare  ku iu takon studiuesve të japin kontributin në hulumtimin e tyre në terren, por edhe të emërtimi, sepse disa kanë evoluar për nga forma që paraqet   vështirësi në  identifikimin  e tyre.Nga ana tjetër duhet cekur se V.Zmajeviqi përveç përkatësisë fetare katolike e islame të popullsisë ofron të dhëna edhe për përkatësinë fetare ortodokse të vendbanimeve shqiptare. Këtu mendoj për  disa vendbanime në famullitë në Anë të Malit e në   Krajë e cila  më pas  është eliminuar  duke kaluar në ate islame, që  dëshmohet me pas në sajë të dhënave  në terren në këto mjedise. Ndërsa të dhënat në këtë relacion për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kelmendi në vitin 1700 të  rreth 250 familje për në Peshter, Novi Pazar, Rozhajë etj., të cilët si të përkatësisë  fetare katolike ne mungesë të meshtarëve rrezikonin të asimiloheshin në mysliman apo ortodoks sllavë, dukuri e cila më vonë ndodhi në realitet, duke humbur identitetin kombëtar.Përfundimisht analiza e vendbanimeve në kuadër të dioçezave, përkatësisht të famullive përkatëse nga ajo kohë e deri në ditët tona ofron mundësi për analiza të ndryshme. Pikërisht në këtë aspekt ky relacion do të    nxitë kureshtjen  e lexuesve, sepse kemi të bëjmë me një botim i cili i ka munguar literatures shqipe. Ndërsa i botuar në prag të vitit jubilar të  Kuvendit të Arbrit është një dhuratë  jo vetëm për  studiuesit e profileve  shkencore por edhe  për opinion e gjerë.

(Lexuar me rastin e shënimit të 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, në Merçi-Lezhë, më 14 janar 2023)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.