Namik Selmani – Boston – USA
Kushtuar Çun Mulës, luftëtarit të shquar të Lidhjes së Prizrenit që luftoi kundër pushtuesve malazezë dhe atyre osmanë në mbrojte të trojeve amtare
Dil në pragje e zgjo kulla
Ku shqiponja të ndalojë
T’u kndoftë kënga, o Çun Mula
Në çdo luftë t’pret një kurorë
Sillna pranë duhma lufte
Për ca troje të bashkuar
Dhe kur vdekja vjen në supe
Të shkojë larg e turpëruar
Gur më gurë të marrim valle
Dorë më dorë të shkojë tupani
Një shami të djeg mes dasme
Ku të jem unë flamurtari
Cep më cep të zgjohet pushka
Kur një prag na e shkel hasmi
Ta çojë larg zanin lahuta
Kur një djep digjet te zjarri.
Gjeneral që pret taborre
Ardhur larg-o nga Bosfori.
S’i lëshojmë këto troje
Besa-besë po lidh shqiptari.
Sillna këngë majekrahu
Në Zharnicë* ku flet lavdia
Ku flamurin e njom gjaku
Me një besë shqiptarie.
Ku flet shqip gurra dhe bari
Ku flet shqip lisi dhe pragu
Nuk ka vend këtu barbari,
Për liri valon bajraku.
Me vikamë na e zgjo trollin
Që nga Hoti në Mirditë
Gjoks më gjoks me Micë Sokolin
Hap më hap-o me lirinë.
Kulla flet sa njëqind libra
Kënga buzët na përflak
Vijnë ortekë e gjethojnë lisa
Për ty vargu është kala,.
Jepna dorën e pajtimit
Se prapë sherri na sherron
Përmbi terrin e harrimit
Vepra jote flakëron.
· Zharnica- vendi ku Çun Mula drejtoi vullnetarët e malësisë që mposhtën plotësisht forcat ushtarake malazeze nën mbretin Nikolla të Malit të Zi.