Frymë Amerikane – Cikël me Poezi

0
1644

Cikli me poezi nga Namik Selmani

Cikli i mëposhtëm me poezi i poetit Namik Selmani që jeton përkohësisht në Boston është një risi e re letrare në krijimtarinë e tij poetike . I shkruar në një distance kohore prej disa vitesh ai është edhe një Urë poetike mes dy kombeve . Shqiptar dhe Amerikan . 

Veterani i luftës së Vietnamit

Duke përshëndetur një veteran amerikan të Luftës së Vietnamit në qytetin Roch Port të Masaçusesit

Në gjoks të tij ka dekorata
Sa nuk ka vend të vësh më shumë
Dhe qesh, dhe flet gjer kur vjen nata
Për brigje flet, për zjarr e luftë.

Në kokë nuk mban helmetë ushtari
Po një kasketë me shkrim anglez
Sikur rivjen prapë nga Vietnami
Ku një violinë jehon në breg.

Pranë tij kalojnë të dashuruar
Kalojnë gjithë gjuhët që ka ky glob
Dhe lufta larg, sa larg ka shkuar
Aty mes paqes në Roch Port.

Një pulëbardhë sjell tinguj malli
Në gjoks rilindin tre pranvera
Dhe qesh veterani nga Vietnami
Me dekoratat vënë në rreshta

Po shkojnë në varka peshkatarët
Jehojnë këngët bluz e rok
Ai thinjëbardhë sfidoka dallgët
Na zgjon pak luftë në Roch Port.

Dhe flet me mallin veterani
Kujton beteja e paqen prek
Na deh të dy kjo ditë maji
Na çel një lule gjeth më gjeth.

Roch Port Ma , 23 maj 2016

Drejt qiellit amerikan

Eci me një bark metalik të stërmadh në tokë e oqeane,
Ku përralla bëhet e vërtetë nën këto re puplore
Dikush rrufit kafenë si në një klub të largët lagjeje.
Dikush dremit dhe dikush shpleks kujtimet që sharrohen.

Nuk ka dallandyshe e pëllumba të prekin krahët e celikta.
Nuk ka zogj që të të vijnë në xham si miq të vjetër,
Shkronjat e një libri të dehin më shumë se kaltërsia
Kur ti bëhesh kalorës a këmbësor i përjetshëm.

E të gjithë i merr pa pritur malli për pragjet e lënë pas
Për një duarzgjatje gjer kur sytë nuk shohin në qiell.
O, më jepni një pikë loti që në faqe lë vrragë,
T;u jap një simfoni, t;u jap në sy një tjetër diell!.

E të gjithë presin të heshtur castin kur dyert të hapen
Në një tokë ku yjet rrinë në sup bashkë në flamur.
Të tjera sy të presin, të tjera duar zgjaten.
Duke lënë një urim që rimbillet si lule në buzë.
24 prill 2016

NË KISHËN E SHËN-GJERGJIT NË BOSTON
Noliane

Vjen një zë o nga Shën-Gjergji,
zgjohet fjala dhe kuvendi,
ma dredh trupi një këmbanë,
një kujtim ma sillka pranë!

Pa më celka lule shpirti
tek vaditet nga nderimi,
tërë drita, tërë hire
dritë të kuqe shqiptarie.

Dhe përhumbem thellë ëndrrës,
krahë të rinj ia jepkam këngës,
Me jep kënga frymë lirie,
gjoksi merr fllad krenarie.

Po kujtoj sot Bunën, Drinin
kujtoj Lanën dhe Shkumbinin,
kërkoj Vjosën, Lumëbardhin
më vijnë syve xixa stërralli.

Sjell të fala si pëllumba
shkoj me Nolin nëpër fusha,
prek këmbana shenjtërie
marr bekim të flas me yjet.

Marr bekim për ardhmërinë,
bashkë me Nolin zgjoj urtinë,
i them ditës : “Mirë se erdhe!”
në çdo rrugë e dëboj heshtjen.

PESHA E FJALËS

Ati ynë që je në qiell na jep fuqi
që të heshtim kur nuk kemi se çfarë të themi!
Faik Konica

Mos më fut në sinorët e mëkatit , o urtaku Faik Konica
para teje na bej gjithmonë nxënës të urtë fytyrëskuqur,
në uturima avionësh Bostonit ia marr një kurorë me drita,
ta vë në këtë pllakë mermeri me lule mbushur.

O Atë i mençur, zgjona nga vullkani i nxehtë i fjalës
kur lumenjtë e gjokseve mbysin ditëve tryeza,
kemi nevojë të heshtim qoftë dhe para përrallës,
kur të hedhin hapa në agimin me ëndrrën e freskët.

Na merr për dore në Livadhin e Urtësisë së Munguar,
dhe pse këmba e dora do të na gjakoset sërish,
E nisëm me gjak udhën e shqipes së ëmbëltuar,
e prapë na ndjek bekimi i shenjtë në prushërim.

Prishi tribunat e rreme që sytë na verbojnë,
që udhën e djemve na e mbushin me ferra!
Falna, o Atë i Shqipes në këtë kohë të pakohë
që dhe shkronjëshqipes kërkon t’i vërë lesa!

Udhëtim me ëndrrën

Shkoj në botën gjuhëshumë, në doganat hijerënda
Malli zemrën ma bën furrë, brenda meje ndrizet kënga.

Flas me vete, flas me yje, shkronjëshqipja më gëzon
Sjell nga larg një fllad ndër pyje, sjell një gurrë që gurgullon.

Merrmë , o këngë me flatra malli, më ço larg –o në vendlindje
Ku kam thënë fjalë stërralli ku kam ndjerë ninullë lirie.

Merrmë, o shkronjë në supe zogu, bëmë sot pëllumb postjer!
Që të mbjell degë borziloku në një varr ku nëna fle.

Merrmë, o varg, më ço tek oda, të dëgjoj burrat me plisa.
Sa e vogël është bota kur vjen pranë shqiptaria!

Fotot e emigrantëve

Në mjaft familje emigrantësh sheh foto të vendlindjes
Fotot e emigrantëve janë si mollë e dardhë e ëmbëltuar
Janë si kroi i largët ujëkristal që ende për ty curgon.
Janë pika loti që derdhen nga sytë e ty të menduar
Janë eho pa fund që treten si grurë i bluar në gjoks.

Fotot e emigrantëve janë si letra të padërguara malli
Është rizgjimi i dashurisë së parë që të skuq sërish
Është kënga e parë që këndove një një shpat mali
Është një ninullë nëne me fjalët si rrezet në agim.

Aty është dialogu me vitet që kurrë më s;kthehen.
Janë njerëzit që flenë larg, diku, mes varreve të trishta.
Aty cel jargavani, zambaku, trëndafili e luledelet
Aty zgjohet ëndrra e parë me krahët e brishta.

Aty janë pengjet që ditët me trishtim t;i mbushën
Si të ishin trastë që të mbeti nëpër vite jete mbi supe.
Për fjalën e pathënë që na thau zemrën e buzën
Dridhet dora mbi fletë e faqja bëhet lulëkuqe.

Të fala atdheut
Një letër malli nga Amerika

Nuk mundem dot të sjell një mollë të pjekur
T’ia vë vajzave kur mjaltosin gurin e pragut
Në vazo ka mbetur diku, një lule e paçelur
Kërkon frymën time ta ngrohë si zjarr oxhakut
Nuk mund të sjell të fala varrit të babait e nënës
Atje ku bari harliset e do një dorë ta këpusë
Më tepër se malet, po thinjet filizi i ëndrrës
Tek vij me avionë të çuditshëm zbtathur, pa këpucë.

Jepjani të falat mësueses që më mësoi abetaren
E di, është kërrusur shumë e kurrë syzet s;i harron
Thuaja motrës të ma këndojë atë këngë si fyelli në shpate
Thuaji bahçevanit të mbjellë një zambak a një begonjë.
Ngatërrueshëm qënkan sot të falat për livadhet me bar
Ku isha Mbret Blerimi e garoja fitimtar mes lartësie
Nëse ka mbetur një çurril të kroi ujëkristaltë
Shkoni dhe zgjoni për mua kujtime dashurie.

Sytë e Amerikës

Më jep sy që të shoh udhën
Kur hap derën, kur pres bukën
Më jep sy që të gremis malin
Si të ishte lodër zjarri.
Më jep sy të shoh blerimin
Si të nxjerr në çast filizin.
Nëm një gjoks të mund orteqe
Se m’u ndryshk busull e vetme
Se më mori ujë pampori
Nuk e di në ç’breg më nxorri.
Më jep fllad që të puth gjethe
Të kërrej nga gjoksi derte
Më jep krahë që të çaj shtigje
Futmë gjoksit grusht me yje.
Më jep këmbë të shoh lartimin
Si njeri që mund verbimin
Më jep dorë të bëj kala
Të mos bëhem zog pa krah.
Më jep forcë të kap direkë
Kur furtuna të më prekë.

Frymë amerikane
1.

Në këto maja të tokës qelqore
Në një lartësi të re qiellore dua veten ta mat
Në dritë vetëtimash
Një të nesërme këtu dua të ngrej për vete
Në këtë oqean
Që herë qengjëzohet e herë ngre dallgët si mal
Dua pafajësisht
Që shpirtin tim ta vë një ditë në kandar pa cene.

2.

Në këtë udhë yjore
Kapistallin dua që t’ia heq përherë Kalit të Erës.
Po s’dua të rrëzohet
Karocë e invalidit që i gëzohet fëmijërisht ditës.
Në detin e blerimit
Dua të vë një fjalëmençur si farë të blertë.
E në perëndimin prushndezur
Të ngjyej penën kur të më mungojë harku i dritës.

3.

Në këmbët e mia
Pulëbardhat po më kërkojnë të bëjmë një lojë puplore.
Lundroj në relike
Që shpalosin shekuj, vise e hapin Sëndykët e Kujtesës
Në këto udhë bredhëroj
Ku bardhësia bëhet Mbretëreshë pa kurorë.
E dua të më kallëzoni
Atë ëndrrën më të guximshme të gjyshit më të vjetër.

4.

E falmëni
Që s’di të belbëzoj të gjithë gjuhët e botës.
Që s’di
Të rrëfej gjithë dasmat, dashuritë a vdekjen egër.
Ja, këtu, në Bruklin
Si në qoshen më të nderuar të Odës
Dua të ngre dolli
Për gëzimin që të jep liria, puna dhe balli i mençur.

Uollt Uitmanit

Klorifila e drurëve
U bë polen për ditët e paprekura që dot s’i jetuam
U bë ehoja jote
Një maja për fjalët e pathëna si qemere urash
Ujëvarë shpirtërash
U bënë metaforat trallisëse uitminane kur lirinë ëndëruam.
E nxënës të përjetshëm
Mbetëm në bankën e lisnajtë a në gryka furrash.

E ëndërr e prekjes
Mbeti zgjuar për tokën që të lindi e shtatin ta bënë si mali
Një dtqë edhe vetë e prekëm si flakadanë që skuq fytyrat e vrara
Hello, Uollt Utiman
O gjyshi i poetëve të lirë me fjalë piedestali
Me një fjlë të ëmbël
Si plisat e bukur radhitur të tokat ku farën pret ugari.

Hello!!!

Baladë moderne
Shumë herë emigracioni në Amerikë ka patur dhe dhimbjet e veta
Ku ta gjej varrin e largët, të vë ca lule mali
Më ka marrë malli shumë, m’u bë gjiri vatër zjarri.

Sill një gur nga Amerika, që ta vë jastëk te shtrati
Kur vjen muzgu, kur vjen drita, gur e akull bëhet shtati.

Do ta lë derën të hapur të më vish-o pa trokitje
Do të rri me duar zgjatur, kur të zbradhin prapë agimet.

Do të zgjoj djepin e heshtur të këndoj me fjalë zemre.
Djalë , o djalë ku më ke mbetur ku pret diellin dhe mëngjese?

Do t;i them zogut te çerdhja, të këndojë ca këngë pranvere
Bolorimë më bëhet jeta mbushur-o me dhimbje, derte.

Kur këtu ndrin diell i ngrohtë, atje është natë e gjatë
Kthehu bir që të të shoh, m’u bë floku borë e bardhë.

Para flamurit amerikan

Mbi dru të fort direkun e rreh thekshëm flladi
Mbi të një flamur me yje puthet me tufane dhe shira
Në të prej kohësh kam vënë zemrën guackë kristli
E sytë e mi garojnë ditënetëve me vetëtima.

Aty më mbeti ëndrra e ndezur që është kaq e lumtur
Si një çek i shtrenjtë që secili e do ta ketë në xhep
Teksa direku kolovitet në një anije e busull
Me një kapiten në bash dehur nga kaltërsia që e pret.

E syri më merr përditë lulëzim dhe bardhësi bregu
Jam bëerë pelikan që asnjë zjarr nuk më ka shrumbuar
Po zemra ime qënka vetë fitimtar e vënë te direku
Që këngës së marrë po i a mban një isoje të pambaruar,

Nuk edi kur e shkrova për të fjalët e lrikës së parë
Në ca ditarë kapitenësh lexova për jetë të tjera
E anija ecn mes dallgësh si në ca shpate të lartë.
Në sytë e i që ngrejnë vetëm bedena në kështjella

Mirënjohje Shqiptarisht
Namik Selmani
Boston , mars 2017

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.