Emocion . . .

0
910

NAMIK SELMANI 

Emocion

Nuk e patëm në dorë truallin që një ditë na lindi.
As djepin ku u përkundëm, vetë nuk e zgjodhëm.
Veç kudo ku shkuam, mbetëm si degë të blerta ulliri.
Me këngët e uratat e vendlindjes mbushëm botën.

Nuk e patëm në dorë dhimbjen dhe gëzimin që na erdhi.
Nuk numëruam dëshirat që si kordele jeta na dha.
Po zemrat tona ende dallgëzojnë pa fund si deti.
Para fëmijëve tanë shumë pengje si gjurmë lamë pas.

Nuk e patëm në dorë trokitjen e parë të dashurisë,
Që në ëndrra na kuqëloi ballin, faqet e fytyrës
Pa ditur as vetë. do preknim bëmat e pabesisë.
Teksa fshiheshim si mëkatarë pa faj para pasqyrës.

Diku me fener mençurie bëmë krushqi me fjalën.
Ta thurnim bukur si vajzat duararta qëndistare.
Mbase si Posejdoni donim të përpinim të tërë dallgën.
Të mos na prekte lëmenj, abetare, çati dhe varre.

Na erdhën në buzë baladat e hidhura të mërgimit
Vetë një ditë u bëmë pjesa e shkrirë e baladës.
Hipur mbi kuajt e bardhë në Stinën e Kthimit
Harruam si hidhet fara në vijën e drejtë të brazdës.

Bëmë mik diellin dhe drapërin e hënës së praruar.
U qullosëm gjer në palcë e tabanin e putrës.
Si Magelanë mbase pamë një kontinent të ti, të zbuluar.
E u bëmë kronikanë të saktë për shpirtërat e zbutur.

Boston , Tiranë , prill 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.