Elena , një histori tragjike Shqiptare …

0
928

Nga : Blerti DELIJA

Nëse policia do ta kishte lejuar të kalonte pa probleme për të hipur në traget, sot Elena Avdillari do të ishte një emër totalisht i panjohur, ashtu sic edhe ishte në fakt deri para 24 orëve. Pse e ka penguar policia të kalojë drejt Italisë? Aq më shumë, kur kishte kaluar edhe 14 herë të tjera po nga Durrësi drejt porteve të Italisë jugore. Nëna e saj thotë se Elena kishte me vete 600 euro dhe një garanci për të udhëtuar drejt shoqeve në vendin fqinj. Pjesa më tragjike e rrëfimit të nënës së viktimës lidhet me varfërinë e familjes dhe ndihmën që u jepte e bija, Elena për të mbijetuar.

E këtu futemi në atë që mbase është një histori tragjike shqiptare që përsëritet. Të paktën që nga 1990 e këtej. Është e lehtë të aludohet siç është edhe e vështirë të mbyllet goja. Policia po heton dy pista: atë të ngjarjes aksidentale por edhe të aksidentit të qëllimshëm. Nëse verifikohet hipoteza e pare, vdekja tragjike e 23- vjeçares do të arkivohet si “viktima e rradhës” e rrugëve shqiptare. Nëse jemi në pistën e dytë, atëhere mendoj se duhet të jemi të shqetësuar.

Sepse ka disa pyetje që mbase duan përgjigje. Cila ishte arsyeja që 23- vjeçarja doli e hyri 14 herë vetëm gjatë 2017-ës nga Shqipëria? Si nuk ra në sy të policisë dhe sistemit TIMS vajza e re, veçanarisht gjatë një viti me monitorim shumë të rreptë për shkak të azilkërkimit? Pse pikërisht kur kishte nisur një vit i ri kalendarik, kjo vajzë u pengua të kalonte drejt Italisë edhe pse sipas nënës, kushtet minimale të udhëtimit i kishte të plotësuara? A mund të jetë rastësi refuzimi i kalimit të 23- vjeçares në kufi dhe aksidenti tragjik i saj, në një taksi, vetëm pak minuta më pas?

A është rastësi që makina tip Benz e përfshirë në aksident, kishte ndryshuar pronësi por në sistem rezultonte me emrin e pronarit të vjetër? Si shpjegohet se aksidenti është verifikuar pranë një pike karburanti, e cila është shume e ndricuar dhe ku zakonisht makinat ulin shpejtësinë? Si shpjegohet që drejtuesi i Benz-it është larguar nga vendngjarja edhe pse mjeti ka mbetur aty dhe që lehtësisht mund të identifikohej?

Të gjitha këto pyetje mund të marrin shumë lehtë përgjigje. Rebusi zgjidhet duke u përqendruar tek e kaluara e viktimës në Itali (që zbardhet lehtësisht), tek personi që ishte në drejtim të Benz-it dhe normalisht, tek punonjësit e policisë në Portin e Durrësit. Jam i bindur se nuk do të zbulohet ndonjë “gjë e madhe”. Thjesht dë të hidhet dritë mbi një tjetër histori tragjike shqiptare. Për te paktën Elena dhe familjarët e saj do të jenë të qetë. Për atë qetësi që mund të krijohet pas stuhisë…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.