Nga: Bashkim Tufa
Në qershor të vitit të shkuar, ata ishin bashkë. Trajneri i U-19, Nevil Dede, i kishte përzgjedhur për një turne miqësor në Kosovë, ku do të bënin dy ndeshje “kontrolli” me bashkëmoshatarët e tyre përtej kufirit.
Të dy luajnë sulmuesë, paçka se të ndryshëm në stil. Njëri shpërthyes, ndërsa tjetri i manovrueshëm në zonë. Të dy janë moshatarë, me një diferencë prej 6 muajsh nga njëri-tjetri.
Më 18 mars, Ernest Muçi ka festuar 19-vjetorin e lindjes, ndërsa Armando Broja, para dy ditësh, më 10 shtator, ka kremtuar përvjetorin e 19-të të tij.
Në turneun e Kosovës, si Muçi dhe ashtu edhe Broja, spikatën dhe shkëlqyen me paraqitjet e tyre. Në ndeshjen e Drenasit (3-1), Muçi shënoi dy gola, ndërsa Broja një. Në miqësoren e dytë, atë të Prishtinës (4-1), Broja edhe Muçi shënuan nga 2 gola secili.
Ernest Muçi ka lindur në Tiranë, teksa futbollin e ka nisur me Dinamon, për të kaluar te Tirana para tri vitesh. I ka kapërcyer shkallët me shpejtësi. Me bardheblutë ka luajtur edhe në Kategorinë e Parë. Sezonin që përfundoi, dhe Tirana u shpall kampione, Muçi ka luajtur vetëm 721 minuta në 20 ndeshje të aktivizuara, duke shënuar edhe 7 gola.
Armando Broja ka lindur pranë të Londrës, ndërkohë që futbollin e ka nisur te Totenhem për të kaluar më pas te Çelsi. Në shkurt të këtij viti, ai firmosi kontratë me “blutë”, me të cilët debutoi më 8 mars, në ndeshjen e fituar 4-0 ndaj Everton. Zëvendësoi Oliver Zhiru në minutën e 86-të. Më 21 gusht, Broja është huazuar nga Çelsi, për te holandezët e Viteses.
Më 9 qershor të vitit të shkuar, ai debutoi me përfaqësueses U-21, në një ndeshje miqësore ndaj Uellsit. Ndërsa më 7 shtator të këtij viti, i riu Armando Broja, në minutën e 75-të zëvendësoi Roshin, duke debutuar me fanelën kuqezi të Kombëtares, në ndeshjen ndaj Lituanisë (0-1) për Nations League.
Rrugëtimi i Ernest Muçit ka patur një trajektore tjetër, jo kaq të vrullshme. Më 4 shtator të këtij viti, në ndeshjen ndaj Austrisë, ai ka debutuar me fanelën e ekipit U-21. Trajneri Bushi e futi atë në lojën në minutën e 56-të, e megjithatë kjo nuk e pengoi talentin e sulmuesit Muçit, të shënonte dy gola në fitoren 5-1 të Shqipërisë.
Vështirë se ndokush mund ta kundërshtojë faktin, se Armando Broja dhe Ernest Muçi janë dy 19-vjeçarë të talentuar.
Atëherë si shpjegohet, që Broja grumbullohet dhe aktivizohet te Kombëtarja, ndërsa Muçi vetëm te U-21?
Nuk është çështje xhelozie. Diferencë talenti? Vështirë ta argumentosh edhe këtë. Thëniet a diskutimet, se “trajneri Edi Reja e njeh të jatin e Brojës”, apo “Rejas i ka telefonuar Lampard që të grumbullojë lojtarin e tij”, janë idiotësi fshatareske, të papranueshme, edhe pse në mjediset tona nuk mungojnë fantazitë e shfrenuara.
Po mundohem, të përgjigjem shkurt: Armando Broja është stërvitur me Çelsin në Angli dhe tani me Vitersen në Holandë. Ndërsa Ernest Muçi është stërvitur dhe stërvitet te i ashtuquajturi kompleksi “Skënder Halili”, me bardheblutë e Tiranës.
Kaq them se mjafton… Infrastruktura, kushtet, mungesa e tyre, i bën dhe i detyron të rinjtë tanë të talentuar, t’i kenë sytë dhe mendjen, vetëm për t’u larguar jashtë Shqipërisë.
Komentet janë të lira…