Ditëlindja e Alfabetit është ditëlindja e mbrothësisë së Kombit

0
1229

Opinion nga Namik Selmani – Shkrimtar

Ditëlindja e Alfabetit është ditëlindja e mbrothësisë së Kombit

“Më jep një gjuhë, të të jap një komb” Kjo fjalë urtake e pranuar si e vërtetë nga të gjithë kombet e qytetëruar qofshin të vegjël ose të mëdhenj në numër në të gjithë botën, mbase do t’i shkonte më shumë për shtat edhe kombit tonë. Në tallazet e panumërta të historisë gjuha jonë u bë “aleati” më i fortë, i pari ndër të parët, më i sinqerti, më besniku i ditës që preket dhe i ëndrrës që thuret natën dhe ditën. Mbase edhe duhet të na vijë pak keq dhe me një lloj fytyrëskuqjeje, kur themi se shkronjat e para i kemi mësuar shumë herë në kondak të pushkës. Ditëlindja e Alfabetit është dhe duhet të jetë festa më e bukur, më fisnike një kombi. Mbase fill pas asaj të Festës Kombëtare. Në kalendarin me datat e kuqe të ashtuquajtura festa zyrtare, një kryeditë e tyre, mbase do të ishte edhe Dita e Alfabetit. Kjo paradhomë medititative për Ditëlindjen e Alfabetit është gjithsesi shumë më e pakët para madhështisë që ajo ka në mbrothësinë që i jep një kombi aq më tepër kombit tonë. E dimë të gjithë se gjuha shqipe është më e lashta e Evropës. E kanë pranuar këtë studiues vendas e të huaj, aspak të detyruar nga çomangat e politikës dhe të interesave të një kombi tjetër, por vetë me të bazuar në një shkencë të saktë. Por kjo nuk duhet të na bëjë dhe aq krenar kur duhet të kujtojmë se shkolla jonë e parë zyrtare është hapur vetëm para 130 vitesh. Shkolla e parë e mesme është hapur para 109 vitesh dhe Universiteti ynë është hapur vetëm para 60 vitesh, etj etj. Kemi fituar në këtë Vit Alfabeti një beteje të madhe me pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Viti 2018 është shpallur zyrtarisht “Viti i Skënderbeut” përveç kujtesës për heroin tonë kombëtar kemi nevojë edhe për mesazhet e tij të bashkimit të qëndresës. Nuk do të ishte keq që të shpallej edhe “Viti i Alfabetit” pasi këtë vit në nëntor mbushen 110 vjet nga Kongresi i Manastirit që shënoi dhe hartimin e alfabetit shqip. Një ditëlindje që këtë vit ka statusin e një FESTE të re, në të gjithë trojet ku flitet e shkruhet shqip, por edhe në diasporën e botës nga Amerika në Australi. Jo vetëm në raste përvjetorësh, po në të gjithë jetën që një njeri e lidh me shkronjën aq më shumë me mësimdhënien e gjuhës shqipe, të vijnë sa e sa mbresa, herë entuziaste, por dhe here-herë të dhimbshme. Këtu e 8 vite më parë isha i ftuar nderi në Takimet Poetike të Karadakut që bëheshin në Kumanovë. Me studiuesin e mirënjohur Zejadin Ismaili kalonim pranë një shkolle shqipe në Kumanovë. Baca i Urtisë Shqipe në Kumanovë e në mbarë Iliridën e njihnin të gjithë fëmijët. Ata e morën vesh se unë isha mësues i gjuhës shqipe në Shqipëri. Kjo ishte një arsye që ata të më vinin në një rreth dhe lutshëm të e më kërkonin që të bëja një orë mësimi në gjuhën shqipe. U përlota. O, sa i vogël që isha para asaj dëshire fisnike të atyre fëmijëve edhe pse kisha bërë mbi 40 vite mësues në lëndën e gjuhës shqipe. Nderi më i madh për ta nuk ishte një çokollatë, një lule, një dhuratë, një veshje, po një orë mësimi në gjuhën shqipe. Disa burra por edhe zonja si Parashqevi Qiriazi të veshur si jo më mirë (tamam si një festë e bukur që do ta kishte jehonën edhe për shekuj të tjerë) nga më mentarët e kombit tonë i priste krahë hapur Manastiri. Jo si murgjër të heshtur që donin të futeshin brenda katër mureve të një shtëpie si shpagim ndaj vetes për mëkatet e bëra dhe të pabëra në jetë. Nuk do të ishin në pritje të një Tymi të Bardhë. Ata ishin dhe mbetën heronjtë e Kombit të tyre. Se edhe ata që vënë themelet e kulturës të alfabetit të një gjuhe janë po kaq heronj e njerëz monumentalë sa dhe ata që kanë derdhur gjakun për liri. Mbase pak më shumë. Të gjithë luftrat e botës jata ose të shkurtë ra, me vende të vegjël e vende të mëdhenj, një ditë e kanë fundin e tyre. Atë, castin e humbjes apo të fitores. Po beteja e luftëtarëve për gjuhën, për alfabetin ë shtë më jetëgjata në histori. Është buka e përditshme e një kombi që të jetojë sa më gjatë. Kongresi u mbajt prej Shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Kongresi i Manastirit i filloi punimet, më 14 nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 nëntor. Kongresi kishte 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 23 qytete, shoqëri dhe klube. Kishte dhe 18 delegatë të tjerë, pa të drejtë vote. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, 32 Shoqërive Kulturore e Patriotike dhe vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, kryetari i Kongresit, Mithat Frashëri, bashkëkryetar dhe sekretar i Komisionit, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Kush i mblodhi? Kush i organizoi, kur s’kishte shtet? Ku u ushqyen dhe ku fjetën? Me se udhëtuan kur s’kishte rrugë të gjëra, kur s’kishte hotele, ftesa e lule. Këtë “,prapavijë” të Kongresit mbase nuk e dimë, po një gjë është e qartë ata i udhëhiqte dashura dhe vetë mohimi për atdheun për  gjuhën. Po edhe mjaft pengesa mund të gjendeshin, mjaft arsye mund të kishte për të vënë “gurë në rrota” për ta penguar atë duke vënë në ballë të kë saj pengese edhe shtetin osman. Përtej këtyre kujtimeve entuziaste menjëherë të zë trishtimi. Të vjen një moshkall në fyt po e them  çamçe, ose ngërç në fyt kur shohim se sot pas 110 viteve kur kemi një ose dy shtete shqiptare dhe me një faktor social e poltik në rritje në Maqedoni dhe në mal të Zi, nuk po kryejmë si duhet obligimet ndaj gjuhës amtare. Dhe këtu gjynahet shkojnë sa në një qoshe në tjetrën, sa te shteti te politika po aq sa dhe te vetvetja, te secili që kishim dhe kemi dicka që të veprojë në kë të fushë betejë . Ta nisim nga më e largëta deri te e afërmja. Ata fëmijë, por edhe të rinj të një shifre zyrtare prej 2 milion e më shumë në kurbet, lindin e rriten duke e harruar pak nga pak gjuhën shqipe. Një festë në një ditë të vjeshtës së tretë ku ka flamuj të shumtë dhe këngë patriotike (po asnjëherë këngën e famshme të Alfabetit) nuk mjafton që ta përtërijë me themel gjuhën e të parëve. Për ata gjuha po quhet me dhe pa dashjen e tyre “një mollë e ndalueme”. Pak libra të gjuhës shqipe të të gjithë kategorive shkollore vihen në çantat e mbushura me ushqime e veshje për në qiejt e botës. Pak bën shteti. Pak bëjnë organizmat e emigracionit në botë, e pak bëjmë dhe ne, vetë për fëmijët që lindin e rriten në kurbet kur është fjala për gjuhën shqipe. Të vijmë në sinorët e “gardhit shqiptar” Kush e pengon bashkinë e Tiranës, të Durrësit, Sarandës që të marrin nismën “Të shkruajmë shqip” kur shohin tërë ato lokale qoftë edhe në Bllok që shkruajnë në të gjithë gjuhët e botës vetëm jo në shqip!!!!??? Shikoni pak njoftimet e marrjen në punë të administratës! Ka mjaft kërkesa përvojë pune. Diku thuhet edhe të jenë “të paraqitshëm”, po në asnjë vend nuk thuhet se ai ose ajo duhet të njohë me themel gjuhën amtare. Ai ose ajo do të formulojnë shkresa të dryshme. Sa mirë do të ishte që të kishte dhe një konkurs për drejshkrimin e gjuhës letrare! Shikoni pak në sirtarët e sekretarëve të bashkive që janë kryesisht vajza të reja! Mund të gjesh lloj-lloj parfumesh. Mund të kenë aty lloj-lloj reklamash e asnjë Fjalor Drejtshkrimor ose Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe nuk gjen në to. Madje as në librari nuk e gjen që ta blesh. Pa u zgjatur po përmend vetëm disa përparësi që ka frankofonia në përdorimin e frëngjishtes në administratë. Kemi mjaft përvoja botërore në këtë drejtim dhe nuk ecim në udhë të virgjëra Një ndëshkim mjaft të madh jep shteti francez për ata që gabojnë në një shkresë që del nga zyrat e shtetit. Për t’u futur në këto zyra duhet që ta kalosh provimin e gjuhës frënge në 5 nivele. Edhe pasi i merr këto provime, gabimet e mundshme ndëshkohen me gjobë ose me përjashtim nga puna. Cili institucion shtetëror, aq më pak dhe ai privat e merr parasysh këtë kriter në Shqipëri e në Kosovë? Asnjë televizion nuk jep qoftë edhe një herë në javë një emision për gjuhën amtare. Nuk ka programe të Fjalës Artistike në një kohë që me dhjetra të tjerë qoftë edhe me më pak vlerë radhiten njëri pas tjetrit. As shtypi nuk e bën këtë mision fisnik që ta mbrojë këtë rrënim të gjuhës letrare kombëtare. Një gazetë e më tej një revistë “Mësuesi” ka hyrë në sinorët e harresës. Aty edhe mund të gjeje ose të bëjë një rubrikë për mbrojtjen e gjuhës amtare. Shko në shkolla të mesme ose 9-vjeçare të vendit! Në të nuk ka Kabinete të Gjuhës Amtare. Bëhen sa e sa kurse për të gjithë gjuhët e botës, po askund nuk merren njohuri plotësuese për gjuhëm amtare, edhe pse formimi i tyre gjuhësor është i niveleve më të ulta. Jo i mirë është ky nivel gjuhësor edhe te vetë mësuesët. Këtë e pranojnë me zë të lartë të gjithë pedagogët e shkollave të larta private ose publike.  Pse të mos kemi për gjuhën amtare dhe botime xhepi të financuara nga shteti në Shqipëri, Kosovë? Botime të tilla ku të ketë poezi të zgjedhura, disa rregula kryesore drejtshkrimore mendime të arta për gjuhën mund të ishin  dhe pjesë e bibliotekës së nxënësit, të paktën në shkollat e mesme pa folur edhe për studentët që kanë mangësi të jashtëzakonshme në drejtshkrim Lexoni librat e mbi 100 Shtëpive Botuese në Tiranë apo të tjera që janë në qytete të tjera të Shqipërisë! Po kështu dhe në Kosovë. Në të ka me mijëra gabime drejtshkrimore dhe për këtë asnjë nuk përgjigjet për mëkatin ndaj gjuhës së kombit tonë. Të gjithë kemi bërë një marrëveshje të heshtur që ta prishim e të mos ndëshkohemi. A ka një Polici Gjuhësore, nëse do ta quanim kështu? Kush i kontrollon këto Shtëpi Botuese apo dhe më saktë kush i ndëshkon për shkeljet që janë në to? Ato kanë certifikatë tatimore, kanë liçencat përkatëse, po shumë herë nuk i respektojnë këto kërkesa, ashtu si përgjigjen për detyrimet financiare. Fajtori???? Të gjithë jemi kush më shumë e kush më pak. Ministria e Kulturës që ka sa e sa inspektorë, ka dhe një Drejtori Libri, as nuk e merr mundimin që të trokasë në këto Shtëpi Botuese e të marrë masat përkatëse. Vërtet në këtë “Vit Skënderbeu” dhe në këtë “Vit Alfabeti” më vjen keq shumë keq që gjuha e kombit tonë të jetë kaq e sakatuar.  A mos vallë nuk e dimë mesazhin e madh se që në krye të herës ajo u gjakos si asnjë gjuhë tjetër e Ballkanit dhe e botës? Fqinjët tanë e kishin dhe e kanë ende frikë shkronjat e alfabetit. Duket se se ato fjalë të këngës së Alfabetit që sot dhe nesër duhet t’i dijë çdo i vogël e i madh. “Shkronjat tona janë të arta- këto duam ne” të jenë të njohura nga të gjithë. Mësuesët e parë dhe prijatarët e mësimit të gjuhës shqipe që në krye të herës u gjakosë n bashë me shkronjat që ata shkruanin në radhonjtë e pakët. Idealizmi i Mësuesit të Popullit Jeronim De Rada që edhe në moshën 90 e ca vjeçare shkonte me kilometra të tëra rrugë për të mësuar shqipen fëmijëve arbëreshë duket se sot është një “përrallë moderne”. Fjala–amanet e Mësuesit Papa Kristo Negovani para vdekjes “Vramëni, por gjakun mblidhmani në një enë që të shkruajnë nipat tanë gjuhën shqipe”! Në kohët tona nuk është e vështirë që të kujtojmë këtë sakrificën prometejane, por edhe të mks e besojmë këtë të vërtetë Të kujtojmë Mësuesin e Popullit Babë Dudë Karbunarën që e hoqën zvarrë dhe e rrahën me shkop në mes të qytetit të Beratit. Më vonë ai do të linte një fjalë tjetër amanet ”Kush nuk mëson gjuhën e vet, është i dënuar përjetë” Apo dhe krismat që ia morën jetën Mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjoka që hapi në Mirditë 50 shkolla për mësimin e shqipes. Edhe poetin tonë të parë Pjetër Budin e helmuan ose e mbytën në Drin. Edhe Bogdanin. Vetë po etët e mëdhenj të kombit me një ligj të pashkruar bënë poezitë më të bukura për gjuhën shqipe. Kështu bëri Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda. Mihal Grameno, Petro Nini Luarasi. Foli dhe shkroi Faik Konica, Ismail Kadare.

 Duke e vënë gjuhën deri në kufinjtë e mitit, sërish na vjen në mendje Ditëlindja e Alfabetit. Duam që të jetë një festë e vogël, por edhe e madhe kudo ku shkruhet shqipe. Ku të mos harrojmë që të ftojmë edhe miqtë tanë evropianë , amerikanë. E patë sa bukur që ishte kur më 21 mars në kuadrin e Ditës së Poezisë në ambasadën amerikane në Tiranë vetë miqtë amerikanë bënë një koncert poetik me poezi të autorëve shqiptarë . Mjaft me thirrje interneti ku bëhemi të gjithë patriotë e, kur vjen fjala në praktikë, nuk bëjnë gjë! Të mos ngopemi më tribunat me lule ku tribunarët kujdesen që të rrisnin fuqinë akuistike të mikrofonëve që ta dëgjojë më mirë salla ose ndonjë kamer televizive që vjen aty e komanduar. Mbase tani sa nuk është vonë duhet të bëjmë një betim të ri dhe të besueshëm për brezat e ardhshëm “Për besë të alfabetit shqip! Për besë të gjuhës sonë!” Boston, 23 mars 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.