Ndue BACAJ
Malësia e Madhe, treva shqiptare , ku ndër shekuj e mote çdo pëllëmbë e trojeve të saj është e bymyeme me gjakun e sakrificat e trimave atdhetar, që nuk i munguan kurr kesaj treve nga më shqiptaret e Shqipërisë Etnike. Në themelet e Shqipërisë së pavarur e sovrane ka gjakun , sakrificat, dëshmorët e kontributin çdo shtepi , fis , katund, bajrak (flamur) apo mal i Malësisë së Madhe dhe “Rranxave” të saja, në kohën dhe vendin e vet. Rrjolli është një nga këto troje të Malësisë, që megjithëse nga numri i banorëve nuk ishte i madh, por për nga atdhedashuria, trimëria, sakrificat dhe gjaku i derdhur për lirinë e trojet shqiptare, krahasohet pa frikë me bajraqet apo me malet më të mëdha të Malësisë së Madhe e më gjërë. Një nga familjet apo shtëpiat e njohura të Rrjollit për trimëri e atdhedashuri, është padyshim edhe ajo e Cuf Shpellzajve. Kjo familje ndër mote kishte lindur e rritur trima atdhetar si Bajram Cuf Shpellzaj-n, dëshmorin trim të luftës nacional- çlirimtare, që me gjakun e tij, pushtuesit nazistë gjerman i shkruan në gjokës “emrin” Partizan.
“PAK” NGA JETSHKRIMI I DËSHMORIT BAJRAM CUF SHPELLZAJ DHE TRASHIGIMISË ATDHETARE, KU LINDI, U EDUKUA DHE DHA JETËN SI DËSHMOR I ATDHEUT:
Bajram Cuf Shpellzaj , lindi në vitin 1920 në familjen “Shpellzaj”, në Rrjollin e Malësisë që nuk nuk ka luftë lirie (me pendë e pushkë) që të mos merrnin pjesë trimat atdhetarë të Rrjollit, ku në mes tyre do të shquheshin edhe trimat nga fisi e familja e Shpellzajve. të “paktën” që nga Lidhja e Prizrenit 1878, kur në Shkoder me 16 qershor 1878 përkrah Dedë Gjon Lulit e Çun Mulës e patriotëve të tjerë malësorë e shkodranë, do të nënshkruanin protestën edhe Mehmet Rrjolli e Hajdar Huka nga Rrjolli…1. Gjithashtu nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit 1878-1881, trimat atdhetarë të Rrjollit do të luftonin me pushkë në dorë përkrah malësorëve , shkodranëve e më gjërë, të primun nga Hodo Begu e Dedë Gjon Luli , për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Hotit, Grudës , Plavës e Gucisë etjerë, nga grykësia e fqinjeve serbo-malazez..2. Gjithashtu në kryengritjen kundër turke-osmane 1911, të ngritjes së flamurit kombëtar në Deçiq, bajraku (flamuri) i Rrjollit do të shquhej për trimëri e atdhedashuri , ku në këtë luftë do të jepnin jetën si me lindë dëshmorët: Selman Haxhia dhe Haxhi Selmani e tjerë..3. Trimat atdhetar të Rrjollit do të shquheshin edhe në luftrat mbrojtëse të viteve 1912-1920, e veçanarisht në luftën e Koplikut (1920), ku do të jepte jetën dëshmori trim Oso Met Beqiraj, si dhe do të plagoseshin të tjerë me në krye trimin Cuf Shpellzaj-n (babai i Bajramit-dëshmor).4. Gjithashtu rrjollasit kishin qënë ndër të parët malësor që kishin rrokur armët dhe ishin inkuadruar në formacionet partizane në luftën nacional -çlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashist 1939-1944. I thashë këto për të treguar se me këtë atdhedashuri lindi, u rrit , u edukua dhe burrërua dëshmori trim e atdhetar Bajram Cuf Shpellzaj.Bajram Cuf Shpellzaj , si i ri i edukuar me idealet e lirisë e atdhedashurisë nuk mund të rrinte pa rrokur pushkën e luftuar kundër pushtuesve fashist Italian. Pushka e tij e “parë”, që gjëmoi si top ishte ajo kur Bajrami së bashku me dhjetra rrjollas , reças e malësorë të tjerë patriot do të merrnin pjesë e luftonin me pushkë në dorë kundër fashistëve Italian, në luftën e Reçit (30-31 gusht) 1943. Trimëria e atdhedashuria e ketyre trimave malësorë do të shënonte një fitore të madhe historike për shqiptarët dhe një humbje turpëruese për fashistët Italian, të cilët u tërhoqen me mjaftë dëme njerzore e matriale edhe pse ishin një ushtri e organizuar dhe mirë-armatosur. Trimëria e guximi i treguar nga Bajram Cuf Shpellzaj në ketë luftë nuk mbaroi këtu, ai perfundimisht do të delte partizan, duke u inkuadrua në batalionin “Perlat Rexhepi” (i krijuar si formacion me 30 korrik 1943), Falë guximit, shkathtësisë dhe inteligjencës së tij, ai ishte një ndër korierët e batalionit “Perlat Rexhepi”. Këtë detyrë Bajram Shpellzaj do ta kryente me devotshmeri e trimëri. Komanda e batalionit do ti besonte detyra nga më të rëndësishmet si korier, për të komunikuar, dergua letra e marrë udhezime nga bazat e LANÇ në Shkodër, si dhe transporte armatimi e municioni, detyra që i kryente me saktësi e në kohë. Duke kryer një detyrë të tillë me 27 nëntor 1943, në fshatin Rrash-Kullaj, Bajram Shpellzaj-n e kapin forcat naziste gjermane së bashku me tre bashkëfshataret e tij: Gjon Pjetër Paja, Pjetër Gjokë Çoku dhe Ndoc Gjon Çoku. Pasi kontrollohen nga gjermanët atyre u gjejnë disa fishekë, ndërsa Bajram Shpellza kishte pasur me vehte edhe një letër apo dokument që për të mos ra në dorën e gjermanëve e futë në gojë për ta gëlltitur. Gjermanët pasi e vënë re këtë i kërkojnë Bajramit ta nxjerrë nga goja çfar ai ka future. Pasi Bajram Shpellza nuk pranon ata me bajonetën e armes tyre ja shpojnë gojën e pastaj e qellojnë me plumba duke e vrarë, ashtu siç vranë edhe tre bashkëfshatarët e bashkëluftarët e tij; Gjon Pjetër Paja, Pjetër Gjokë Çoku dhe Ndoc Gjon Çoku .5. Pas kësaj vrasje makabre nazistët gjermanë në veçanti, masakrojnë trupin e Bajram Shpellzës, duke i coptuar këmbët, duart e kokën , ndersa me gjakun e tij Bajramit i shkruajnë në gjoks (në këmishë) emrin PARTIZAN. Për vrasjen e e këtyre katër trimave nga gjermanet , shkruan edhe veterani dhe (ish) kryetari i organizatës të veteranve të LANÇ, të Malësisë së Madhe, Deli Bishja. 6. Vlenë të cilësohet se trupin e coptuar të Bajram Shpellzës do ta mblidhte me duart e veta gjyshja e tij, malësorja trimëreshë Mere Shpellzaj. Për këtë gjak, trimëri e atdhetari Bajram Cuf Shpellzaj dhe familja e tij, si familje partizane , do të nderoheshin e respektoheshin nga pushteti e partia në pushtet deri në vitin 1963. Megjithë këtë Bajram Shpellzaj nuk ishte shpallur dëshmor i atdheut. Ndërsa në vitin 1963 gjithshka do të “permbysej”. Vepra e tij heroike dhe gjaku i tij i derdhur për lirinë e trojeve shqiptare , gjatë luftës nacional-çlirimtare, (si edhe jo pak të tjerëve) u la në “harresë” për rreth 30 vite për arësye biografie që ia prishi djali i tij, Lan Bajrami. (Bajrami kur kishte ra dëshmor e kishte lënë ende pa lindë djalin e tij Lanin). Djali i Bajram Shpellzaj-t, Lan Bajram Shpellzaj do të dënohej me burg politik, me akuzen për tentativë arratisje dhe për bashkëpunim me Haxhi Hajdarin, ish partizanin trim të luftës nacional-çlirimtare. Pas çlirimit Haxhi Hajdari ishte deputet i zonës së Rrjollit e më gjërë, i cili do të kundërshtonte masat shtypëse e antinjerzore, si kolektivizimin, shpronsimin e dënimet pa faj nga shteti komunist. Për këto kundërshti e mosdakordësi, Haxhi Hajdarin, shteti komunist do ta vriste mizorisht në vitin 1963… Ndër trojet tona ekziston një “sentencë” popullore që thotë: “E drejta vonon por kurr nuk harron…”. Kjo sentencë merrë më shumë vlerë kur bëhet fjalë për gjakun e derdhur per lirinë e trojeve shqiptare, ai gjak nuk humbë kurr… Kur regjimi komunisto-monist u rrëzua nga froni , dhe në trojet shqiptare “lindi” pluralizmi dhe u dëgjua “era” e demokracisë, filloi edhe rivlersimi i atyre që kishin dhënë jetë e derdhur gjakun për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ndër të parët që u rivlersua ishte edhe trimi atdhetar Bajram Cuf Shpellzaj. Keshilli i Rrethit të Malësisë së Madhe me vendimin nr.312, date 09.6.1995 i jep titullin dëshmor i atdheut Bajram Cuf Shpellzaj-t. E ndërsa populli i kishte ruajtur në heshtje kujtimet e trimërisë e atdhetarizmit të Bajram Cuf Shpellzajt, kantautori i njohur , Mjeshtër i Madhe Rrok Gjelaj , me kujtimet e paharruara nga populli i Rrjollit e më gjërë, i “thurë” këngën brilante dëshmorit Bajram Cuf Shpellzaj, këngë nga e cila zgjodha të citoj vargjet që “mbyllin” në mënyren me domethënëse këtë portret të vogël , përballë gjakut e atdhetarisë së madhe të dëshmorit Bajram Cuf Shpellzaj :
………………………
Bajram Cufi div malësie
Kishte gjak me ngjyrë lirie
E qellojnë përmbys nuk bie
Ish gatue me palcë trimërije.
Mbarojnë plumbat e prapë s’dalin
Bajonetat e gjermanit
Përmbi gjoks me gjak t’Bajramit
Shkruhet emri i partizanit
REFERENCAT:
1.Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878 – 1912 , Akademia e Shkencave të
RPS të Shqipërisë, Instituti i Instituti i Historisë, perg. nga Stefanaq Pollo e Selami Pulaha, fq.33-36, Tiranë 1978.
2.Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet (traditë, ngjarje, njerëz),vllimi I , fq.431-433, Shkodër 1998.
3.Ndue Bacaj; KRYEKRYENGRITJA e Malësisë Madhe kundër Perandorisë Turkeosmane 1911, fq.119, Fiorentia, Shkodër 2018.
4.Hamdi Bushati, po aty, fq.475, Revista “Agimi”nr.5, fq.80, v.1920.
5.Abdyl Sadiku (Ndrecaj), (veteran i LANÇ, M.Madhe); Malësia e Madhe dhe banorët e saj në LANÇ, fq.128, 2006.
6.Deli Bishja; Yje në Qiellin e Lavdisë, Historik i shkurtër i LANÇ në Malësinë e Madhe, fq.40, Tiranë 2004.
- Si dhe disa trashigimi gojore të besueshme, të mbledhura nga autori (N.B.), që gjenden edhe sot…
SHENIM: Te shtohet se ata kane pasur edhe municion e arme, Bajramit i eshte gjete nje document partie te cilin e ka future ne goje per ta asgjesur. Me bajonete ja kane shkye gojen…Nena e tij kur ka shkua me e marre e ka gjete te coptuem