Abedin Axhoviq zgjidhet Kryetar i Komunës Tuzit , komunë në kuader të Kryeqytetit 

0
839

Albert Camaj 

Sot, në seancen e dytë të Kuvendit të Komunës së Tuzit, komunë në kuader të Kryeqytetit, Dr.Abedin Axhoviq u zgodh kryetar i komunës.

Në emër të Koalicionit DPS-PB-UDSH-SD, propozimin që Abedin Axhoviq të zgjidhet kryetar i komunës së Tuzit, e bëri Halil Dukoviq.

Edhe pse z. Axhoviq ishte i propozuar nga vetë këshilltarët e pozitës, për të u desht të bëhet rivotimi, pasiqë në raundin e parë nuk kaloi, sepse Axhoviq nga 18 këshilltarë që votuan, mori 16 vota, prej 17 të nevojshëmve, ndërkohë që dy vota ishin kunder.

Pas kësaj koalicioni shumicë, mori disa minuta pauzë dhe organizoi një votim të dytë, i cili rezultoi kalimin e Axhoviq, me 17 vota për dhe një kunder.

Është i çuditshëm fakti se si i propozuari nuk mori votat e mjaftueshme. Kjo flet sikur kjo shumicë është me probleme.

Lidhur me kandidaturën e Axhoviq, Vasel Berishaj, nga LDSH, tha se kjo parti për çështje parimore nuk do të marr pjesë në votim, por do të apstenojë, për ç’gjë ishin të parët që braktisën sallën e kuvendit para votimit, e më pastaj këtë gjë e bënë edhe këshilltarët e ASH-së dhe këshilltari i Demokratëve.

Nikë Gjeloshaj nga ASH, deklaroi se ishin në pritje që kandidat për Kryetar të Komunës të jetë Marjan Junçaj, pasiqë këtë e konfirmoi edhe shefi i DPS-së në Podgoricë Vlladan Vuçeliq, dhe shtoi që me këtë kandidim po manipulohen votuesit pasiqë Axhoviq nuk ishte i pranishëm në fushatë parazgjedhore. Ai theksoi se ASH, bëri bisedime me DPS-në, që te jenë pjesë e pushtetit, pasiqë ata dëshirojnë të marrin përgjegjësi.

Shtjefën Camaj, nga Demokratët, deklaroi se nuk do të përkrahin Kryetarin e propozuar pasiqë këta për dy muaj ishin në konflikt me njeri tjetrin dhe nuk mund të merreshin vesh se kush do të jetë kryetar dhe pastaj si kompromis erdhi që përsëri te jetë Axhoviq. Camaj theksoi se ndoshta Axhoviq meriton te jetë kryetar i ndonjë komunë, por jo kur propozohet nga një strukture e tillë e cila vullnetin e popullit e blenë me para dhe me anë të kërcnimeve të ndryshme.

Lidhur me deklaratën e Camaj reagoi këshilltari i PDS-së, Nikollë Gegaj, i cili theksoi se si antar i Krysisë së PDS-së, nuk është në dijeni se ka pas konflikt rreth kandidatit, kurse paraqitja e më shumë kandidatëve brenda partiet, është dukuri normale.

Në rend të ditës ishin edhe Propozim vendimi mbi verifikimin e Vendimit mbi financimin e përkohshëm të komunës në kuadër të Kryeqytetit-Tuz, për periudhën janar-mars 2018; Propozim vendimi mbi themelimin e trupave punues të Kuvendit të komunës në kuadër të Kryeqytetit, dhe Propozim vendim mbi vulat.

Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës këshilltari i LDSH-së Ivan Ivanaj, theksoi se për shkak të motit të lig, respektivisht, nga dëbora, ishin bllokuar dy vendbanime në Malësi, Triesh e Kojë. As kryetari i komunës, as kjo administrate nuk u kishin dalë në ndihmë këtyre banorëve, edhe pse ata kishin kërkuar ndihmë nga komuna, ku kishin fituar pëgjigje se nuk janë kompetentë për këtë. Pastaj, po të njëtjtit, dje kanë dërguar një makineri për pastrimin e borës, por kishte arritur kur bora vetem ishte shkri.

Ivanaj vuri në dukje se në këto dy vendbanime nuk ka mjaft vota, prandaj as që u delet në ndihmë në kohen e duhur.

Kryetari i komunës Abedin Axhoviq, reagoi në lidhje me këtë, duke thënë se për sa është në dijeni u është dalë në ndihmë këtyre banorëve, por ka mundësi se LDSH i ka raportet e gabuara, mirpo në replikë Ivanaj tha se nuk ka thënë se nuk kanë dalë, por kanë dalë kur bora veç ishte shkri. Ivanaj shtoi se nuk flet në bazë të raporteve, por të gjendjes në teren dhe takimeve me qytetarë, kurse në komunë janë mësua të punojnë në bazë të raportimeve.

Këshilltari i ASH-së, Gjergj Camaj, lidhur me këtë pikë të rendit të ditës vuri në dukje se vendimi për financim të përkohshem është sjellë me 31 janar të vitit 2018 dhe pyeti se si ka funksionuar komuna nga data 1 deri me 31 janar, kur është sjellë ky vendim dhe kërkoi të sqarohet përse nuk është sjellë më parë ky vendim.

Sa i përket Vendimit mbi themelimin e trupave punues të Kuvendit të komunës në kuadër të Kryeqytetit-Tuz, si LDSH poashtu edhe ASH, përkrahen këtë propozim dhe deklaruan se do të jenë aktiv në këto këshilla.

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.