PËR VOGËLUSHEN ADRIANA NË LOZANË ( Tregim i Jetuar )

0
694

SOTIR ATHANASI

 ( ADRIANA! Unë mendoj për ty. Ti, a e di? )
     [ nga kartolina e një çunaku të klasës ]
Takimi me Nikon në Lozanë, s’ishte vetëm një befasim i kënaqshëm, siç rëndom u ndodh dy shokëve. Qe, si të thuash, një domosdoshmëri kulmore për të vazhduar bisedën e nisur vite më parë. Diskutimin mbi një temë sociologjike. Dhe ja, rasti e solli të ndodheshim mbase në vëndin dhe kohën e duhur. Madje, në një stinë tejet të përshtatshme. Trinia, nuk është se harmonizohej me klimën. Sepse, edhe ky fillim maji, nuk mund të themi se kishte ardhur njëkohësisht me pranverën. Përkundrazi. Ai qe në një kuotë ku mëngjeset karakterizohen me një të ftohtë brisk. E ndjeshme kjo, sidomos për ne që vijmë nga Ballkani e një klime mesdhetare. Por, edhe nuk mund të ankohemi, Dielli i Gjenevës është i nxehtë, ashtu si hija të rënqeth…
Gjjthsesi, pas bisedave të para, Nikua, duke kujtuar diskutimin e lënë pa përfunduar, ndonëse me shaka, më tha:
– Nuk besoj se më ke ndjekur nga Athina për të argumentuar tezën e një debati aspak shterues mbi: ” Temperamentin e popujve në vartësi nga klima”.
– Kurrësesi, – thashë unë dhe shtova: – megjithse është rasti ideal për ‘të.
Ai qeshi me shpoti dhe me një humor të lehtë, m’u kundërvu:
– E ndjej që je paisur me argumente për të më mbërthyer me ‘to për muri dhe mezi pret t’i shpërfaqësh . Veçse, edhe unë, kam të miat; ndonëse shpien ujë në “kopshtin rënd”. Prandaj, paraprakisht të them se, e ke të fituar opsionin. Por më parë, shpjegomë pse u ndodhe në këtë Spital Onkologjik, për të cilën nuk mund të gëzohem aspak që të shoh.
– Ke plotësisht të drejtë. Kam mbesën dhjetë vjeçe të shtruar.
– Nga se?
– Për momentin nga një kollë e vazhdueshme me temperaturë.
– Dhe pse pikërisht këtu?
– Sepse është me Leuçemi  dhe në raste të tilla, imuniteti është pranë zeros. Prandaj kërkon rregjim dhe kujdes të rreptë spitalor. Kërkon empati që do të thotë…
Dhe shoku im, nuk më la t’a shpija deri në fund spjegimin.
– Kërkon  ngrohtësi, dashuri dhe mbështetje. Kërkon, por – dhe ai më bëri shenjë të lexoja një tabelë në frëngjisht. Unë ngrijta supet dhe ai e përktheu:
“TI NUK JE VETËM!”
Kështu shkruhet në ‘të. Dhe kjo i drejtohet atyre fatkeqve që kanë këtë diagnozë. Ky është një nga argumentet për të cilën e kisha fjalën aty më parë. Dhe kjo s’ka të bëjë me…, “Temperamentin e Popujve në Vartësi nga Klima “.
Përpara kësaj sentenca solidariteti, tejet mbështetës, kushdo do të mbushej me kurrajo. Kuptova se Niko kishte të drejtë kur tha se ‘provat’ e tij, e dërgonin ujin në “kopshtin tim”
Vura buzën disi në gas, më tepër për t’a zbutur klimën e acartë që u nder dhe në çast, u kujtova se në dorë kisha plikon me disa kartolina . Por më parë duhet të uleshim diku dhe të vazhdonim bisedën. Se edhe ai, për një shkak të ngjajshëm, u ndodh në atë spital.
Ishim në katin e njëmbëdhjetë.
U dëgjua uturima e një helikopteri që u ul në taracën e një tjetër godine të këtij kompleksi të madh spitalor, jo shumë larg nesh.
– Kjo pliko është për ty, si zotrues i mirë i frëngjishtes, – i thash unë.
– Nuk mund të them se e njoh mirë gjuhën, por mjaftueshëm. E mbase aq sa të merrem vesh, por edhe të lexoj.
– Atëhere, po t’a dorëzoj plikon. Veçse së pari duhet të dish se, mbesa, nga që tri javë ka qënë me një kollë të vazhdueshme, mësuesja i vinte në shtëpi dhe i spjegonte të gjitha lëndët që zhvillonte në klasë. Dy ditët e fundit, ajo e pa që fëmijës nuk po i binte temperatura, mori makinën e saj dhe bashkë me të ëmën e sollën në këtë spital. Mësuesen e quajnë PATRICIA FREHNER. Një grua, për të cilën vogëlushja ADRIANA, e ndjen kaq shumë dashurinë, sa që është e pamjaftueshme t’a krahasosh me nënën e saj. Kjo ndërkëmbyeshmëri ndjenje, shoku im i viteve të rinisë, nuk mund të jetë assesi në vartësi të shumçkaje; aq më pak e kushtësuar nga ndonjë faktor, jashtë njerëzor. Aq më pak klimaterik.
Ai buzëqeshi, nga ky nacmim i imi për t’i dhënë ritëm bisedës dhe e shtyu atë më tutje:
– Le të shohim provat.
– Po. Veçse më parë, duhet të nënvizoj se mësuesen e ADRIANËS në shkollë, e quajnë KATHERINË CONOD. Ajo u shpjegoi nxënësve në klasë se, shoqja e tyre, ndodhet e shtruar në spital në një gjëndje tepër të rëndë. Temperatura prej 40°, nuk i është ndarë për dy ditë rresht. Kjo do të shqetësonte çdo organizëm, sado të shëndetshëm të qe.
Prandaj, mendoj se e ka të domosdoshme. Kë?
Ndihmën tuaj morale.
Mbështetjen tuaj.
Të marri fuqi nga forca juaj.
Kurajo nga guximi juaj.
Zemër për të mbijetuar,
Nga zëmrat tuaja.

Gishtat u ngrijtën dhe në pjesën e dytë të ditës, kur fëmijët erdhën në shkollë për të bërë dy orët e mësimit të pasditës, ata kishin marrë me vete secili nga një kartolinë.
Atë çast, unë hspa plikon dhe dolën KARTAT POSTALE.
Ishin të gjitha, pa përjashtim, në formë zemre.
Po t’a shkruante këtë tregim, miku im, Prof.dr. Resmi Osmani, dhe t’i shihte ato, njëra mbi tjetrën, do t’i quante: OBELISKU I DLIRËSISË.
Por unë i vendosa perpendikularisht  me tryezën
dhe ato më ngjasuan me një parzmore mbrojtëse.

– Ky rreshtim – tha Nikua si poet,

– është sa stolisës, aq edhe në një funksion mbrojtës.
Këto zemra të gardhuara përballojnë çdo temperaturë.
ADRIANËS, duhet t’i  jenë ulur në normale, shifrat e saj.
Unë miratova me krye, për të shtuar:
– Tani fjalën e ka përkthimi nga frëngjishtja.
Niko mori kartolinën e parë që i zuri dora. Le t’a lexojmë atë:

“Të uroj të kesh kurajo, ADRIANA!
Dëshiroj të shërohesh sa më shpejt. Ne të duam të gjithë. Shumë!
EMMA”
“Kurajo të mirë për ty ADRIANA!
Shpresoj që së shpejti të jesh pranë nesh
ELOISE”
“ADRIANA!
Ti më mungon shumë. Shpresoj të bëhesh mirë shpejt.
LOIC.M”
“Kurajo të mirë, ADRIANA!
Unë mendoj për ty. Ti, ae di?
MEGAME”
“Mirëmëngjes ADRIANA!
Shpresoj që temperatura të të kalojë shpejt.

Gjatë gjjthë kësaj kohe mendoj për ty.
AMBRE”
“Paç fat, ADRIANA.
Pres me padurim të të shikoj.
A L E X”
“Për ADRIANËN!
Shpresoj që të bëhesh mirë sa më shpejt.
Kryqëzoj gishtat që ti t’a kalosh më shpejt luftën.
Të dua shumë dhe do të doja që të kthehesh
 sa më shpejt në shkollë. Paç FAT!
N I N A”

“ADRIANA!
Uroj të shërohesh sa më shpe@jt.
RAPHAEL”

Janë edhe disa kartolina të tjera, të cilat kanë thuaj se një tekst të ngjajshëm.
Kështu, mund të shkruajmë vetëm emrat për t’a lehtësuar disi lexuesin nga një ngarkesë e tepërt. Konkretisht:

GENNY, L OIC,R, OCEANE,G. OCEANNE,F. DIANA,THOMAS.

Mbas kësaj, ne mbetëm si të nemitur për disa çaste.
Dlirësia fëminore na kishte vënë përfund.
Nga kjo gjëndje, na nxorri të dy Nikua. Ai, për t’a ndryshuar krejt tabllonë dhe për t’a futur në tryezën e diskutimeve problemin, tha:
– Shumë mirë!
Por unë, do të jap edhe një argument substancial, ashtu siç edhe të pëlqen ty, të përgjithësosh dhe të plotësosh kushtin e të quajturit TREGIM.
– Nuk mbaj kënd se në ç’muaj isha në këtë spital vitin e shkuar.
Ky institucion mjaft dinjitoz Universitar, në oborrin e tij, ishte tejet, po tejet ama i mbushur me njerës. Në fillim mendova se janë studentë dhe nuk e kisha aspak gabim. Por, veshja e tyre më bënte të dyshoja. Kur pyeta, e di se ç’më thanë?
Unë ngrijta supet.
– Po. Ka edhe studentë. Por shumica janë qytetarë të thjeshtë që kanë zënë rradhën për  të dhuruar gjak.
Nuk gjeja fjalë për t’u përgjigjur kësaj të vërtete fisnike.
Këtij gjesti aristokratik. Apo këtij superhumanizmi galaktikë.
Kujtoj se edhe në Athinë dhurohet gjaku. Por ai bëhet, thuajse i detyrueshëm nga familjarët e pacientit që e ka nevojë atë. Kurse në Tiranë, gjaku blihet nga institucioni.
* * *
Ndërsa po përgatisja këtë shkrim për portalin tim të dashur, Sakra që botohet në ZVICËR, vjen mësuesja PATRICIA FREHNER në shtëpi për të bërë mësimet me ADRIANËN dhe thotë se: klasa e ka marrë vesh që ka dalë nga spitali dhe po bën fushatë për t’i blerë një dhuratë të veçantë.
Ky solidaritet, është më shumë se prekës. Ai ka mbërrijtur krenajën e humanizmit dhe e lë ku e ku diskutimin shterpë mbi:…
Temperamentin e popujve në vartësi ngacklima.

SOTIR ATHANASI

GJENEVË,  7,Tetor, 2015, 
Dërguar nga :
Gjeneva, më: 
20, Janar, 2018! 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.