NGA:Ndue Bacaj

Hoti: Smajl Haxhija, Lucë Gjeloshi, Gjon Leka, Lukë Deda, Prekë Gjoni, Tomë Nika, Pjeter Zeku, Prekë Gjoku.
Gruda: Mark Zefi, Mark Gjeku, Martin Hasi, Selman Juku,
, Dokë Martini, Nikë Marashi, Gjokë Deda, Zef Preka, Pjeter Nika.
Trieshi e Koja: Mark Toma, Gjon Lucë Nika, Gjon Smajli,
Kolë Preloka, Pjeter Nikashi, Pretash Zeka Ulaj, Prenash Uci.
Tuzi: Sherif Hyseni, Dem Binaku, Prekë Gruda.
Vllana, Vrana e Matagushi: Ali Zeku, Pretash Nika.2.
Pas këtij memorandumi, Malesia e Madhe, ndonse vuante pasojat e pushtimit fashist si pjesa tjetër e Shqiperisë, Ballkanit e më gjerë, ju krijuan disi premisa më të favorshme per bashkepunimin e trevave të saja të ndara, që në vitet 1878 -1913. Madje fashizmi per qellime edhe propogandistike mori parasyshë memorandumin e perfaqësuesve të Malesisë së Madhe të dates 12 maj (1941) dhe me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941 shpalli ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet…3.
MALËSIA E MADHE NË “MES” FASHIZMIT E KOMUNIZMIT.

TUBIMI I FUSHËS SË TUZIT APO TUBIMI I FUSHË SË TURPIT TË KOMUNISTËVE SHQIPTAR, TË 07 SHKURTIT 945.
Përshkrimin e ketij tubimi tradhtie e turpi , mendova t’ia lë nacionalistit Prekë Gruda, pjesmarrës në këtë tubim, të cilin e përshkruan vertetësisht në një dorshkrim që më ka ra në dorë para rreth 30 viteve me titull : « Hot Grudë, pervjetuer turpi për komunistat shqiptarë », nga i cili për të kujtuar 77 vjetorin e kësaj ngjarje tragjike mendova të citoj :
“Mbas tërheqjes së gjermanëve prej Malit të Zi, Shtabi i divizionit VI – të të ashtuquajturës ushtri naç – çlirimitare shqiptare, thirri në Tuz të gjithë burrat e Malësisë ku lajmëtarët kumtojshin që mos të mungonte asnjë mashkull, dhe porositnin të shkonin të gjithë të armatosur në bashkim, ku do të komunikoheshin disa çështje me rëndësi. Bashkimi u bë në fushë të Tuzit me dt.7.02.1945. Në tribunë zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Kërkush nuk mundej me mendue tragjikomedinë e turpshme që kishin pranuar me vu në skenë n’at çerdhe Shqiptarie komuniste shqiptare… Perden e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, e i porositi për qetësi dhe i ftoi të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, dhe i porositi ata burra Shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye mercenari nga gjeneral Gjoku me shokë e u tha: Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun t’i vrisni, në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Këtu ia preu fjalën Kol Zefi i Grudës, i cili ndër të tjera tha: “Tash 52 vjet kjeshë detyruar me shtëpinë time me i shërbye sllavëve, tuj o mbrojtë me gjoks e fanatizëm interesat e këtyre maleve shqitpare, që qysh prej kongresit të Berlinit e këndej filluan të shkatërrohen prej malazezëve. Ju këta i paskeni ba vëllazën, ndërsa ne kurrë as për formë nuk kemi muejtë me u thanë miq… Me 1890, kur filluam luftën kundër Turqve, na kjeme lidhë me besë të Zotit drejtpërdrejtë me Kral Nikollën e Mark Milanin, per me na ndihmue, e Vendet tona që do t’i merrshim me gjak prej turqve me na i njoftë si zona të lira shqiptare, por ata na rrejtën. Trojet që i çliruam me aq sakrificë ia bashkuan Malit të Zi. Gjithmon na kanë rrejtë e mashtruar dhe tradhëtuar. Shumë më zi kanë me jua ba ju, shpejt keni me u pendue, por ka me kenë vonë me fitua çfarë sot, me syplasët po dhunoni. Jemi shqiptarë me mish e me shpirt të gjithë në këto male, prandaj na duket shumë e natyrshme e njerëzore që të mbetemi me Shqipninë. Sa për dajakun ktheje ka doli se na e kemi pasur traditë me u pre me shpata me Malazez, e me u vra me pushkë ballë për ballë, e jo me u rrahë si gratë me shkopinj”. Mbas Kolës, foli Smajl Haxhia i Hotit, që nuk pranoi me i dhanë dorën gjeneral Gjokut. Smajli të nesërmen vdiq, plasi nga maraku që mbuloi Malësinë. Tom Nika i Traboinit foli, me nji ton të zjarrtë patriotik tuj vu në dukje luftëtarët e përpjekjet e Malësisë për Shqipni. Po kështu i argumentuan punët Ali Zeku i Vranjes, nik Zeka i Trieshit, Pretash Zeka i Kojës, Luc Maxhi i Luharit e Osman Bajri i Dinoshës. Të gjithë kërkuan energjikisht mos të ndaheshin ma prej Shqipnie, por me kë me folë e kujt me iu drejtue?… Vetëm komisari i divizionit të VI-të, Muyzafer Spaho, u prek e pa me sy tradhëtinë e tij e të shokëve të vet. Ai tha: “Qëndroni shqiptarë, se ne nuk luftuem me vendosë kufijtë e versajës e as të boshtit për liri e bashkëpunim të popujve. Ju qenkeni më shqiptarë se ne, prandaj gjaku ynë i kësaj lufte e i juaji gjithnjë për liri, u garantojnë vetvendosjen tuaj në bazë të luftës sonë e të premtimeve aleate.” Këtu ia zunë në fyt fjalët Peçi me shokë, atë ditë ra viktimë e idesë mashtruese edhe Myzaferi, që kishte lënë studimet në Itali, për të luftuar për lirinë e Shqipërisë. Ai ishte një ndër të paktët që nuk iu nënshtrua turpit mashtrues. Nuk munguan oratorët malazez me folë me demagogjinë marksiste, tuj lavdërue shërbëtorët e vet. Gjendja u keqsua fort. Malësorët edhe pse e panë se çështja e tyre shqiptare asi shtegu dështoi, vendosën të gjithë të vdesin me armë në dorë, por kurrë mos me u dorëzue, ç’burrni ishte në atë tubim Tradhëtie. Pater Zefi që qysh në fillim kishte refuzuar me ndejtë në tribunë, duel nga mesi i trumës në shesh të burrave, e theksoi rrufeshëm: “Po e shihni, o komunista shqiptarë. Mjerë Shqipnia në duart tuaj. A keni mendua ndopak për historinë e kombit? Ku janë premtimet marksiste për liri e të drejta të popujve? Ndërsa ju Malazez u lumshin krahët, sepse dini gjithmonë me manovrue për të mirën e Malit të Zi e Jugosllavisë. Na jemi tuj e pa se prapë u bëmë robët tuaj, por jo për dobësi të këtyre burrave luaj malesh ndër pranga, por për tradhëti të komunistëve shqiptarë që i paski marrua e ç’burrua kështu. Sa për dorëzimin e armëve Malësorët paskan punë me ju, por siç po e shihni nuk dëshirojnë me i dorëzue sot këtu, prandaj le t’i kthejnë të armatosur ndër shtëpia të veta. Ju e dini se me to nuk u bien tradhtishtë. Vëllezën shqiptarë që u braktisën Vëllazënit e Shqipnisë, qindroni burra e të urtë. Detyrën tuaj e keni krye, ma tepër nuk keni çfarë me ba. Armët keni me i dorëzue autoriteteve Jugosllave kur t’jua kërkojnë. Të shpërndahemi për në shtëpiat tona. Rrnoftë Shqipnia. Zoti kjoft me ne.” Akti i Parë i tragjeditë u mbyll, tjetri u luajt dy javë më vonë, kur natën hynë brigadat Serbo – Malazeze, gjoja me bashkue armët. Në atë natë të kobshme terri mjaftë burra nacionalista të përvëluar për Shqipëri u vranë pa faj, pa kurrë një farë gjyqi të paktën formal. Po atë natë u muar në kishë të Traboinit, ndërsa ishte ndër të lutuna edhe Pater Zefi (Leonardi) e u pushkatuar ndër sy të nanës së tij, vetëm pse i shërbeu Zotit e Kombit me besnikëri. Akti i Tretë i tragjedisë u vu në skenë në Hot e Grudë, ndër krahina të Ulqinit e Tivarit me Larje e Shestan dhe në Plavë e Guci me rrethe…. Porse me Kosovën tonë të martirizuar skena e masakrave ishte gjithnjë e hapur qysh përpara….me Karagjerogjeviqa, me Pashiqa, prej Titos me Dushana e tjerë, për çfarosjen e Kombit Shqiptar… ».5. Sot edhe pse kanë kaluar 77 vite nga kjo tradhti kombëtare e komunistëve shqiptar, trojet etnike shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjërë vazhdojnë t’a vuajnë këtë ndarje…por pa humbur shpresen e ribashkimit me Shqipninë nanë…
REFERENCAT :
1.Mul Deli Bajraktari,Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq.9.Shkodër 2004.
2.At Marin Sirdani “Ndricime te historise,kultures dhe artit shqiptare,fq.61-62. Prishtinë 2002.
3.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.
4. Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme,sa kam shprese kame shpirte”(1937-1975) pjesa I, fq.192-193.Tiranë 1995.
5.Prekë Gruda, Hot Grudë, pervjetuer turpi per komunistat shqiptarë (dorshkrim…), + Ndue Bacaj, gazeta “Shqiperia Etnike,nr.15, viti 2001,+Kostaq Xoxa, gaz.55,dt.7 qershor 2010.
6.Më e zgjerueme kjo histori tradhtie e krimesh komuniste, është pasqyruar në librin tim të botuar në vitin 2018 me titull: Malësia e Madhe Kundër…, ku janë të shënuar edhe emrat e plotë të të pushkatuarve nga komunizmi jugosllav e shqptar…
Malësi e Madhe, 07 shkurt 2022