21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë      

0

Nga: Gladiola Jorbus

 Tagora: ‘Poezia është jehona e melodisë së universit në zemrat e njerëzve’

Dita Botërore e Poezisë çel siparin e pranverës dhe kjo stinë nuk mund të trokiste dot më bukur. Një ftesë kolektive për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të aftësive krijuese të gjithsecilit. Qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është të përkujtojmë rolin e poezisë në mbijetesën e gjuhëve dhe në flakërimin e botës.Poezia daton në hieroglifet egjiptiane rreth 25 shekuj para lindjes së Krishtit. Ajo është fjala e shenjtë që i jep dritë, kuptim e plotësi – ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë. “Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, i cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje.Ndonjëherë, ajo arratiset nga dhomëzat e shpirtit dhe ngre fole në ëndrra, në rrënoja kujtimesh, në shpresa utopike a në heshtje vetmitare sepse është fluturake, e brishtë dhe njëherazi një planet i ngujuar që frymon si qenie njerëzore.Në një botë shifrash marramendëse, ku i kushtohet rëndësi sipërfaqësores dhe jo thelbit, akumulimit të sendeve luksoze dhe jo të vlerave, ku morali dhe virtyti vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës së praruar poetike ngjet me një puhizë të freskët që i dhuron frymëmarrje shpirtit të munduar nga pikëllimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.Ndërsa festojmë poezinë, ne festojmë trashëgiminë kulturore, emocionale, linguistike dhe spirituale të të gjithë njerëzimit.

Redaksia e revistës  “Fjala”  pikrisht   në  këtë  ditë  zgjolli  disa poezi nga autorja   famoze  e pozisë Shqipe  Gladiola Jorbus.

Pulitje sysh

Retë elegante vërshonin

mbi pandeminë e hipokrizisë.

Shpirtrat – të dehur pas epshesh tokësore

Mbyteshin në përqafime

të boshatisura dashurish.

Tronditëse…!

Sy të perënduar,

në ngërçe klithmash shurdhuese.

Dhe retë të mbarsura

me lutje të ngërthyera

botën gllabëronin,

në një pulitje sysh.

Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët…

Tek ti u përmbytën

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki…

Perënditë verbohen

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua…

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë…

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë

e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.

Komodina e vjetër

Në komodinën e vjetër

fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,

trillet, premtimet e tua.

Gumëzhitja vjen nga mendja ime,

si mbrëmjet e mjegulluara

ku qiellin e shquan, në dritëhijet

e neonëve të shëtitores.

Melankolia – statuja kokëfortë

që nuk dridhet para askujt.

Stolis skajet e ndjenjës,

kujtimet e pezullta,

lumturinë në miniaturë,

stuhinë e fjalëve të pashprehura.

Dhe narracioni vetmitar i syve,

psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave 

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave !

Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër –

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse,

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit…

Dhe trëndafili i tyre –

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë,

me faqe të shndritshme.

Të çmuara – si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.

Krijesë e brishtë

Koha ndalet në sytë e saj.

Një grua e trishtuar – është historia

e mijëra grave zemërngrira.

Buzëqeshjet mbyten në lumenj lotësh.

Flokët e mëndafshtë struken në diell.

Dëshirat femërore shtegtojnë larg…

Përtej kufijve të asaj bote,

që e mbiquajti gruan,

krijesë të brishtë.

Romanca e hënës

Ëndrrat derdhen mbi romancën e hënës.

Metafora e dashurisë

shndrin mbrëmjen e përflakur.

Një copëz universi

gacullon në kalendarin e nostalgjisë.

Bardhësia e sferës qiellore

micëron errësirën, me pyetjen profane: – Përse deti po mban zi?!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.