100 VJETORI I LUFTËS “KOPLIKUT” DHE TRIMI SIMBOL I KËSAJ LUFTE ZEF PRELË MARTINI…

0
1117

Viti 2020, si viti jubile i 100 vjetorit të Luftës së “Koplikut”, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga invazionet e ushtrisë shovene serbo-malazeze (të kolektivizuara në emrin Jugosllavi), më ka rimotivua per të pergatitur një libër të veçantë që i kushtohet kësaj lufte me protagonist Malësinë e Madhe, Shkodrën e më gjërë, libër që do të shohë driten e botimin në kohen e duhur të perkujtimit e nderimit të kësaj lufte mbrojtëse. Siç dihet barren kryesore të Luftës “Koplikut” e kanë hequr mbi shpinë Malësia e Madhe me në krye Hotin dhe pastaj Shkodra… Për rreth tre dekada unë jam munduar që ta perkujtoj e memorizoi luftën e “Koplikut” me kumtesa, shkrime historike e publicistike në media të botuara e online.

Një ndër keto aktivitete memoriale e nderuese kushtuar luftës “Koplikut” 1920, ka qenë edhe simpoziumi i vitit 2009 , ku një ndër ideatorët e projektuesit e të cilit kam qenë edhe unë së bashku me ish Bashkinë Koplik, e cila e mbështeti dhe sponsorizoi këtë simpozium domethënës, ku kumtesat e referatet e simpoziumit u botuan në një libër të veçantë në vitin 2010, me rastin e 90 vjetorit të kesaj lufte heroike dhe historike.. Kjo luftë mbrojtëse ka qenë e para pas rreth 441 viteve, e udhëhequr nga një Qeveri Kombëtare Shqiptare, ajo e dalë nga Kongresi i Lushnjës, … Qeveria kombëtare e kongresit të Lushnjës (janar 1920…) , udhëhoqi tre fronte lufte mbrojtëse e çlirimtare ; Luftën e Vlorës kundër pushtuesve Italian , Luftën e Koplikut dhe atë të Dibres kundër invazioneve serbo-malazeze (ish Jugosllave)…

Për hirë të vertetës duhet thënë se Bashkia Malësi e Madhe ka premtuar organizimin e perkujtimin 100 vjetorit të Luftës “Koplikut”, me aktivitete të ndryshme perkujtimore e nderuese , duke perfshirë edhe një simpozium , por dhe “rindertimin” e memorialit (apo monumentit) të kësaj lufte në qendër të qytetit Koplik , ku ky memoriali i është besuar skulptorit të njohur malësor (nga Reçi) Pjerin Kolnikaj. Me gjithë “skepticizmin” tim të shprehur në media të shkruara e vizive, që kur u hoq monumenti i luftës Koplikut në vitin 2017 (me arësyetimin e rindertimit të qytetit), si dhe mosperkujtimi i pervitshëm i kësaj lufte, unë vijoj (momentalisht) të besoj në realizimin e premtimeve e projektit të perkujtimit e nderimit të luftës Koplikut nga Bashkia Malësi e Madhe.

Besoj deri në momentin, që (qoftë larg) , ky premtim e ky projekt të mbetet thjeshtë në letër. Gjithsesi, deri atëherë unë me dashamirsi, dhe pa asnjë kompleks jam i predispozuar që brenda mundësive të mia të jap ndihmen time në realizimin e perkujtimit e nderimit të 100 vjetorit të luftës Koplikut. Lufta e Koplikut ka si datë fillimi 27 korrikun e vitit 1920 dhe si datë perfundimi 14 shkurtin e vitit 1921. Gjatë kesaj kohe janë zhvilluar dhjetra beteja luftarake në teritorin e Malësisë Madhe , si dhe kanë dhënë jetën si me le dhjetra dëshmor, të cilët do të “kurorzohen ligjërisht” me rastin e ketij 100 vjetori nga institucionet shtetrore (siç është premtuar…). Meqense data që është perkujtuar Lufta e “Koplikut” nga ish Bashkia Koplik e më gjërë ka qenë ajo e 20 shtatorit (1920), datë që korespondonte me renien heroikisht (në Koplik) duke luftuar kundër ushtrisë serbo-malazez, të trimit hotjan Zef Prelë Martini, mendova që ta përkujtoj sado pak ketë simbol trimërie e atdhetarie si më poshtë: Zef Prelë Martini, është dëshmori trim e legjendar nga Hoti, djalë i lindur e rritur në fisin e votren atdhetare të Hotit, Malësisë e Shqiptarisë.

Sot pasardhësit e fisit e familjes të trimit atdhetar Zef Prelë Martini kanë mbiemrin “Lekaj” (Lekë-Nikaj). Zef Prelë Martini ishte nga ata djem të ri që nanlokja bashkë me tamlin e gjinit i kishte mkuar trimërinë, burrërinë, besen e atdhedashurinë. Virtyte të cilat ja kishin mësuar e maturuar kuvendet e burrave, “shkolla” e votres familjare dhe historia e luftrave liridashëse e mbrojtëse, të të parëve të tij ndër mote e shekuj, kundër pushtuesve turq dhe shovenëve të panderqëshëm malazez e serbë. Zef Prelë Martini si qindra hotjanë e malësorë kishte rrokur armën e rrjeshtuar në formacionet e ushtrisë vullnetare shqiptare, kundër invazioneve të ushtrisë serbo-malazeze në luftën e Koplikut.

Që në betejat e para kundër shkjeve, Zefi ishte dalluar si një djal trim e luftëtar i vendosur… Me datën 20 shtator 1920 Zef Prelë Martini në një betejë luftarake kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze në Koplik, i plagosur gjatë luftimeve detyrohet të “ngujohet” në Llazan në shtepinë e Lush Pepë Smakajt (me origjinë nga fisi Ivezaj të Grudës), i cili pa hezitim, siç e kanë pasur traditë malësorët ja lënë Zefit shtepinë e tij per ta kthyer në një kullë baroti që do ti ngjante asaj të Oso Kukës në Vraninë të shek.XIX. Nga kjo shtepi-kullë, Zef Prelë Martini i rrethuar, do të luftonte trimërisht e heroikisht për orë të tëra kundër ushtrisë serbo-malazeze, duke vrarë katër ushtarë e një oficer armiqë. Për të kapur të gjallë Zef Prelë Martinin, serbo-malazezët përdorin dredhinë e shërbëtorit të tyre shqiptar, majorit Lekë Mirash Luca, i cili ishte efektiv i ushtrisë pushtuese malazeze e luftonte kundër vëllezërve të tij malësorë. Majori Lekë Mirashi do ti thoshte Zefit të rrethuar e plagosur; se unë jam shqiptar nga Pjetroshani i Kastratit dhe të themë, se boll keni luftuar si trim i pamposhtur. Të jap besen e burrit shqiptar se trimërinë tënde e vlersojmë e do të falim jetën. Prandaj dorzohu në besën time se boll e kemi dëmtuar njëri tjetrin , ndersa ty do të çojmë në heqima (doktor )në Podgoricë për të sheruar plagët.

Zef Prel Martinit që ishte mësuar me besen e burrave malësorë e shqiptarë , për një moment i përshkuan trupin “mornica” pabesie të fjalëve të majorit Lekë Mirash Luca, që tashmë ishte me gjak të shprishur në shërbim të armiqve shekullorë të shqiptarëve , serbo-malazezëve, por persëritja e premtimit për dorzimin në besë e majorit Lekë Mirash Luca e “bindi” për tu dorzuar. Fillimisht pasi u dorzua e hipen në shpinen e një mushku të ushtrisë serbo-malazeze , por nuk kaloi shumë rrugë dhe në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, disa qindra metra pa shkuar tek pishat e sotme, bishat sllave zbuluan dhëmbët. Ata për faljen e jetës i kerkuan Zefit të puthë flamurin malazez e të shkelë me këmbë flamurin shqiptar. Zef Prelë Martini me perbuzje nuk do të pranonte kurrsesi oferten e shkjeve, perkundrazi shkeli me këmbë flamurin malazez e puthi atë shqiptar. Ky ishte momenti kur shkjetë e vranë në besë trimin shqiptar Zef Prelë Martinin.

Me këtë akt pabesie (ndoshta) ndërgjegja e majorit Lekë Mirash Luca, do ta kuptonte sadopak se vatha ku ai shërbente e jetonte, ishte një vathë e mbushur me ujqër që kërkonin si gjithnjë, të ushqeheshin me prenë shqiptare, që njëkohësisht ishin edhe “vëllezërit” e majorit, i cili një ditë, kur t’u mbarohej preja këtyre ujqërve do t’i vinte radha edhe këtij shqiptari gjak-prishur. Data e rënies së dëshmorit 25 vjeçar , Zef Prelë Martini është me 20 shtator 1920. Trimi Zef Prelë Martini që nga ajo kohë aty ku kishte rënë i ishte ndertuar një vorr bri rruge nacionale (Shkodër-Hotit), në Badër të Mehajve (Koplik), ku malësorët e identifikuan per dekada me “toponimin” vorri i t’hotit. Pas vitit 1991, pasardhësit e trimit atdhetar Zef Prelë Martini, i muaren dhe i rivarrosen eshtrat e tij në vorret e tyre familjare në Hot.

Ndersa në vendin e vorrit ndertuan një memorial, në formë lapidari, të cilin së fundi pasardhësit e Zef Prelë Martinit e kanë rindertuar këtë memorial, në nderim e perkujtim të 100 vjetorit të renies të ketij trimi atdhetar. Trimnia e këtij atdhetari në ato kohë mori “dhenë” në trojet e Malësisë e Shqiptarisë. Veprimtari, poeti dhe patrioti i njohur shkodranë Hilë Mosi, do të frymzohej nga trimëria dhe heroizmi i Zef Prelë Martinit, duke shkruar një nga poezitë letrare-patriotike më brilante për atë kohë, por edhe për sot pas 100 viteve… Pikrisht për ketë unë mendova ta mbyllë kujtesen time me këtë poezi…: Atje, n’atë vend të lamun Me gjak arbnorit t’dlir , Atje nji djal asht vramun Atje mbet nji ilir ! Atje n’atë vend barbari E njofti mirë djelmnin ! Atje tregoi shqyptari Sa shtrejt e “blenë” lirinë ! Atje shqypja luftovi Trimnisht me zogjt e vet ! Atje nji za ushtovi : Në zjarm , se nji na mbet ! Aj vend nuk do t’harrohet I gjallë do t’jet për nê ; Mbas tashit do t’emnohet : Nji çerdhe e shqypes s’re !.

Nderimi e lavdia u takon atyre burrave që dhanë jetën për trojet etnike shqiptare , por jo pak nderim e lavdi meritojnë edhe ata që i nderojnë , perkujtojnë e memorizojnë , emrat, gjakun e sakrificat e dëshmorëve të shqiptarisë… Koplik , 20 shkurt 2020 (Shënim i botuesit: Libri i njoftuar më sipër nga autori, që i kushtohet Luftës “Koplikut” që pret driten e botimit, është i katërti në radhë i Ndue Bacajt , dhe vjen pas atyre; Kryekryengritja e Malësisë Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911, Malësia e Madhe kundër…”- kushtuar kryengritjes së parë antikomunsite (1945), në Shqiperi dhe në të gjithë Europën… dhe Rrethimi Shkodrës (1912-1913) dhe Malësorët- i pamë në rrethanat e atyre kohëve. Libra që prej kohësh janë në biblioteka dhe në duart e dashamirësve të historisë së Malësisë e më gjërë).

Nga: Ndue BACAJ

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.