Trëndafilët e zemrave / Cikël poetik për Ditën e Shën Valentinit

0
1475
Ju faleminderit  Namik Selmani – Boston , 14 shkurt 2018 

Foto : Flickr

Tashmë ajo ka pasaportën e vet në ditët që jetojmë. Quhet zyrtarisht Dita e Shën Valentinit
Shumë më tepër se një histori e dikurshme, e besueshme ose jo, është një ditë që e duam të gjithë. E në këtë urim botëror të gjithë kombet, të gjithë individët e saj në secilën moshë kërkojnë që të jenë sa më origjinalë në atë që duan të japin tek të tjerët.

E në këtë mision kaq të bukur jetësor e ka vendin e vet edhe lulja, edhe urimi, edhe mirënjohja njerëzore, edhe kënga, por edhe POEZIA. Se ajo shumë më tepër se trëndafilët që dalin nga arkiva e Google të mbeten në kujtesë. I vë nën jastëk, i vë në një qoshe të celularit.  I lexon kur je i trishtuar. Para se t’i lexosh, gjen edhe një muzikë tangoje, një muzikë të bukur që të bëjnë atë goditjen e ëmbël në zemrën tënde. Sa e lumtur që është poezia që mban të tillë emocione. Uroj që edhe cikli që po ju sjell ose të paktën njëra prej poezive të këtij cikli të kishte këtë nder. Të paktën do të gëzonte një njeri. Mbase më shumë se një ose disa. Shumë më tepër dhe mua që  ua sjell kësaj radhe si trëndafilët e bahcve shkodrane, përmetare, tiranase,  çame beratase apo edhe më tej, po si TRËNDAILË ZEMRE.

 

Kurora e dashurisë

Dhe  erdhën nga larg ushatarë syzgurdulluar

Me duar të gjakosura  që mbjellin vdekjen dhe harresën.

Veç  DASHURISË  nuk ia  dhanë natën e sterruar

Para saj mbretërit u gjunjëzuan dhe të mundur mbetën.

Dhe erdhën ciklone, termete, stuhi shkretëtire

Dhe erdhën cuname që rrëzuan drurë, shtylla e vila

Si filiz i pavyshkur në zemra DASHURIA mbeti.

Më e dlirë dhe pafajshme se vetë pafajësia

Dhe dolën nga deti peshkaqenë  të uritur

Drejt saj u sulën çakenj, ujqër dhe dhelpra.

Veç  atë, DASHURINË nuk e panë me flokë të thinjur

Ajo mbeti si lulja e porsakëputur e buqetës.

Dhe erdhën ushtri me avionë, bomba e raketa

Dhe ranë gjyle nga qielli  që dogjën strehën dhe malin.

Dhe bënë shkrumb pragjet e pjergullat në vreshta.

Veç   vrapin e DASHURISË drejt zemrave nuk e ndalën.

Dhe i vunë njeriut pranga, i morën syrin dhe dorën.

E mes gurësh me karrocë e bënë që të ecte si invalid

Po  DASHURISË as dhe një kokrrizë nuk ia morën.

Ajo ishte dhe mbeti fitimtarja që na dha lumturi.

Dhe mori DASHURIA kurorën me margaritarë

Në theqafje jete u bë dritë dhe balsam.

Një  emër gdhenda

Do të  marr ca pikëla të  arta nga toka dhe qielli

Do të  marr blerimin  që  zgjoj gur e zgjon plisa

Do të  marr një  kurorë  rrëzëllitëse nga dielli

Të  vë  në të  sylumtur  një  emër të  bukur  si drita

Do të  marr një mijë kroje që  të  dërgojnë  te urimi.

Do të  marr ca lule që  çelin dhe në  shkëmb

Të  bëhet buzëqeshja det me valë  gëzimi

Në  një  gur e në  një  lis emrin tënd do ta gdhend.

Do të  marr një  shportë  e ta mbush me tinguj kitare

Do të  zgjoj një Lanë   të  re me fjalën në   kristalim

Do marr një  gaz pranveror ku zgjohen livadhe,

Të  vë  shenjtërisht një  emër të  paharruar dritë

Do të  marr një  gërshërë  dhe një  gjilpërë  magjike,

Do të  marr petale nga një karafil i fresktët.

Do të marr bukurinë  e borës majë  lartësie

Të  shkruaj me dorë  të  dridhur, sot e nesër

Farfurin fjala me drita

Pse m’i merr ti sytë e ballit

E më  lë  të verbëruar?

Nëpër faqe ku loz flladi

Do vë buzën e mjaltuar.

Pse ma merr fjalën e bukur

E më lë  memec të  gjallë  ?

Nëpër buzë ku ndal një flutur

do sjell prillin të ndezë zjarr.

Pse ma ngrohke sot pëllëmbën

Nuk më lë të hedh një varg

Jam si kali pranë parmendës

Lumturinë do hedh për farë  .

Pse ma ftoh ballin si dimri?

Ngrohma pak dorën në flakë!

Në petale trëndafili

Do hedh vallen në tavan.

Pse ma ngrin hapin e burrit?

Bëj të  eci, s’më lë drita.

Ah, u bëra si kërcuri

Në oxhak kur xixoj xixa.

Pse ma sjell një lumë te këmba?

Herë mbytem, herë ringjallem

Sytë e tu shtiza të rënda

Shkrijnë gurët nëpër male

Sy më sy e shoh ujëvarën

Farfurin fjala me drita

Le të shkojë dieli në maja

Kur në trupin tënd vjend dridhja.

Jo, moj jo s’është flakë qiriri

Në shandan,  në gur të ftohtë

Çelka gazi si filize

Si një kopësht plot me mollë.

Në këtë muzg

Këtë muzg dhjetori  të thashë sa e sa të fshehta shpirti

Sikur po nxirrja florinjtë nga sepeti i një gjysheje

Dhe u lumturova kur zëri ymë mori hije  princi

Dhe u bëra vogëlush që luaja me dallandyshe.

Këtë muzg  dhjetori  ia  hapa portën fjalës magjike

Si pas një një brave kasaforte, gjeja thesare të rralla.

Dhe zëri më dridhet, më dërgonte në të tjera vite.

Si në ca kontinente të rinj që  mungonin nëpër harta.

Këtë muzg me valë lumi  u shpuplova me veten.

Nuk lotova për këmbanat e ferra në këmbën e gjakosur.

Dhe fjala në trungun tend më bëhet lule pranvere

Dhe kënga e zemrës nxjerr filizë të pasosur.

Kësaj nate nuk ia dua yjet, jastëkun dhe pemën.

Kam një hënë  dhe një diell në fjalën që ta thashë.

Ah, veç të vësh dorën e të më dëgjosh zemrën

Turbina e saj lëviz më shumë se një hidrocentral!

Ah, këtë muzg të ngrohtë  dhjetori

Hej, , ç’më zgjove vitet o Ditë e Shën Valentinit!

Kur s‘kishte internet dhe  , çokollata në duar,

Kur s’kishte kartolina e letra  me pullë,

Kishte dy zemra  që rrihnin fort, pa pushuar

Kishte faqe që skuqeshin  si prushi në furrë.

Kur s’kishte limuzina dhe kamera dixhitale,

Kur s’kishte studio martese  me fustanë nusërie,

Kishte dy fytyra që skuqeshin te kroi në male

Kishte dy duar që dridheshin ëmbël me djersitje.

Kur s’kishte pajtonë luksozë dhe fishekzjarrë

Kur s’kishte buzëkuqe,  pushkë që qëllonte

Kishte dy sy të ndezur që dukeshin si një livadh.

Ku dielli përulej me rrezet shtizore  që lëshonte.

O,  , ç’më zgjove dashurinë e largët, të pashprehur

Që nuk e jetova dot si në Ditën e Shën Valentinit

Me urimin e bukur dhe me vargun e freskët

Qënkam sot një pranverë me lule mes dimrit,

Ah, nuk e di se kush do ta fitojë garën e dashurisë

Kush i ka gjunjët më të fortë drejt një Mali Lumturie

Më tepër se lulet, se kitara në muzg e në agim,

Është një lojë zemrash që mbeten të bashkuara në vite!

Sirena e detit të zemrës

Oo, si ta quaj detin  e thellë ku ti je kryesirena?

Si ta prek me krahët që më bëhen të brishta?

Në udhët e largëta loti më bëhet si luleshqerra

Në sinorët e cunamëve prek hambarët me lirika.

Më kot kërkoj guidën e  reklamën ngjyrëpraruar

Vetëm ti më tregon semaforin e vijën e bardhë.

Ti më bëhesh flugeri i shpirtit të mrekulluar

Ti më bëhesh kënga e bukur tingujkristaltë.

Ti bëhesh far i pagabuar për të gjithë brigjet parajsorë,

Ti je sirena që noton e lumtur në detin me vargje.

Unë qënkam peshkatari me rrjetën në dorë

Me një busull që më drejton në fllade e tufane.

Në mos qofsh sirenë, je valë që përkëdhel gurë.

Je pulëbardha që ulesh butësisht në sup të gëzimit.

Vargu më bëhet spirancë në detin me shkumë

Nata largohet nga drita e vërtetë e rizgjimit.

Mall i ndezur

Se do puth miken te balli

Të gjethojë lisi e mali.

Se do puth miken te gusha

Lule plot të mbushet fusha.

Se do puth miken te gjiri

Të  çelë bari dhe tërfili.

Do ta marr në krahë  hopa

Si një zog që fluturoka.

Se do prek flokët e bukur

Sikur ndal mbi to një flutur.

Se do puth miken te dora

Të më vërë majë kurora.

Se do puth miken tek buza,

Zjarr e flakë  të  ndizet furra.

Se do puth miken të syri

Të  çelë gonxhen trëndafili.

Fjalë më fjalë e dorë më dorë

Të shkrijmë malin me dëborë.

Se do qesh si një fëmijë

Kur t’ia vë dorën në gji.

Se dhe borën do e shkrij

Kur mes trupit ta përpij.

Se me diellin do të matem

Kur të thur gjerdan me vargje,

Do zbardh natën e sterruar

Kur t’i them në vesh “Të dua!”

Pesha e dashurisë

Më kërkoi mikja peshën e vërtetë të dashurisë

Ah, s’e gjeta dot në raftet e rënda mes marketesh.

I fola për diell maji dhe për kuqëlimën e qershisë

I fola për dallgët-mal mes shkëmbinjve buzë detesh.

I fola për pikëla petalesh, për vesë agimi e muzgje,

Kërkova në reklama, postera, libra, por askund s’e shihja.

Dhe u bëra mëkatar për miken që si një agimlindje skuqej

Dhe dot s’ia thashë, ah, peshën që kishte dashuria.

I fola për rrëke shiu në livadhe  e trëndafilat në kurora,

I fola për ngricën e dimrit që shkrihej në sytë e saj të zjarrtë.

Po peshën  e vërtete  të dashurisë nuk munda t’ia thoja

Kur buzët  e mollëzat dridheshin në atë trup si vullkan.

Dhe heshtja në mëkatimin fisnik të fjalës së pathënë .

Dhe sërish kërkoja ia kërkoja atë peshore  botës me mister.

I thashë të më shihte sytë e dritësuar nën diell e hënë

Të më lexonte syetur njëqind herë vargun lueshqerrë.

Nuk e di, për besë,  sa besonte për atë peshë të kërkuar.

Pa firmë noteri e fatura marketesh me  euro dhe dollarë

Qoftë kjo poezi si vulë e si mollë e ëmbël e kuqëluar

Qoftë si guri në brigje zemrash a ura më jetëgjatë.

S’e gjeta dot në peshoren  e vënë në një mur në gjykatë.

As te Betimi Hipokratit të lashtë si refren kënge të lumtur.

Sërish peshorja e dashurisë më mbeti si ëndërr e gjatë

Por para Gjyqit të Zemrës kurrë nuk doja të dilja i humbur

Të  jetosh dashurinë

Mund të  mos dish fjalë  të  bukura

Metafora për yjet,

Epitete për detin

Citate të  Shekspirit

Vargje të  Pushkinit, Eseninit.

Mund të  kesh një  këmbë  në  karro

Sy të  fashuar

Një  krah të  prerë

Xhepa të shpuar..

Mund të  mos njohësh alfabetin

Libra të  mos kesh në  sirtar

Të  mos hapësh derë makine

Mund të  mos kesh celular amerikan

E një  avion ku të  ngjitesh në  re, lart..

Mund të  kesh thinja në  kokë

kacurrela e flokë  të modelit të  ri

mund të  moë kesh parfume franceze, japoneze

e këngëtar a aktor nuk bëhesh një  ditë.

Mund të  mos kesh diploma në xhep

E në  radhë  të  rrish për ilaçe moshe

Mund të  vësh përpara kope me dele

Ah,

Zemrat kanë  një  kod të  çuditshëm

Më  të  mistershëm

se misteret e botës pa kufi

Të  gjithë  të  gjithë

jemi aktorë,

 Personazhe, regjisorë

Në  skenën-dashuri.

 

Do të bëhem….

Do të bëhem shall te gusha

Të të ngroh në ditë dimri.

Do të shtroj barin te fusha

Të të duket si qilimi.

Do të bëhem shami balli

Si dikur në nusërim.

Do thërras pishën te mali

Ta ulë kokën me nderim.

Do të bëhem fjongo floku

Të prek mollzat kur vë dorën.

O aromë e borzilokut

Bëmë mbret që të kem botën.

Do të bëhem gjethe peme,

Të të mbaj takën e bukur.

Bëhu flad e përkëdhelje

Bëhu zog e bëhu flutur!

Do të bëhem dritë e rreze

Do të bëhem degë lisi.

Të të marr veç buzëqeshje

Të më japësh hije princi.

Do të bëhem kënga pa derte

Pa troktje hapet dera.

Në do thahen një ditë dete

Eja, moj, fshihu te zemra.

Do të bëhem lumë mes gurësh

Të vërshoj në kurm të nxehtë

Si ylber të sillem gushës

Si  kitarë që zemrën ndez.

Oksigjeni

Ti më  jep oksigjenin që  ushqehet në  rreze lumturie

Më  freskon nga tymnaja e nga  mjegullnaja e  dendur

Më  mbron nga ngricat që  vijnë  nëpër vorbulla stine

Ma shton forcën e hapit me ëndrrën  flakërisht të  ndezur.

Nuk dua të  kujtoj tabelën e vjetër të  Mendelejevit

Të  më  falë  mësuesja për një  simbol të  gabuar.

Oksigjeni yt i jep bukuri jetës, këngës dhe kuvendit

Ndaj krahët hap në  një  horizont të  parfumuar.

Nuk dua biletë  hyrëse në  këtë  qiell të  lulëzuar, të  paanë .

Nuk dua diell  në  sy, sepse kam një  të  dytë  me vete.

Ky oksigjen që  del nga fjala jote si një  margaritar,

Më  qënka si flamur i ngritur mbi dallgët në  dete.

Në sytë e tu dua që ta shoh festën

Dua që ta shoh jehonën e festën në sytë e tu, o mike

Ani pse janë të lodhur nga detet, qiejt e udhët

Ani pse na kanë prangosur shpesh me trishtime

Ani pse jastëkëve të shtratit dikush vë ferrat e gurët.
Tek sytë e tu dua ta shoh festën pa fishekzjarre

Nuk dua fjalë diplomatësh e buzëqeshje  të acarta.

Nuk dua tamtame dhe poezi të parfumuara, tribunale

As torta ku tortaxhinjtë nuk harrojnë lule, emra e data.

Në livadhin e syve të tu dua që të shoh gëzim dhe festë

Të besoj se jam Odise që kërkon pragun dhe brigjet.

Lesat e larta me dogana nuk i mbajnë dot rrufetë

E shija e kripës së tepërt nuk hiqet nga pjata lehtë.

Oh, tek sytë e tu dua ta shoh festën

Dhe në dimër të rijetoj pranverën.

Ninullë  dimri

Dhe në  dimër kam pranverë  me pëllëmbën tënde të  djersitur

Natën e kam tek puthja e nxehtë  e paprovuar në  buzë

Ëndrrën e kam tek trupat ngjalërorë  të  ngjitur.

Sytë  i kam te mollët e pjekura në  gjoksin e prushtë .

Hapat e largët i ndal te dera dhe dritarja me perde.

Druhem të  këndoj serenatën e ëmbël si dikur.

Besomë, kjo këngë  është  ninullë  ardhur nga dete

Sa të  të  dridhet dhe shalli i bukur që  vë  në  gushë .

Të  puthësh jastëkun e fshehur dhe nga pasqyra.

E kuqëluar si muzgu që  prek dashurinë  e parë .

Vargun do të  bëj përkëdhelje për zemrën e fytyrën

E ty doja të  të  hidhja  në  qiell si balerin i rrallë .

Të  të  hedh e pres nëpër  duar si kolopuçe gazmore,

Të  qeshësh e të  thuash: “Ja sot filloi për mua jeta!”

Dhe dita që  vjen të  duket si buqetë  me lulebore

Dhe rruga që  prek të  duket si ëndrrat e prekura.

Magjistar apo spektator

Më ka befasuar në vite kufiri i vërtetë  i një magjie.

Me sy të ngulitur prapë nuk e kam kuptuar sekretin.

Po me ty jam bërë lundërtar i guximshëm stuhije

Si një magjistar shkërmoq malin,  e pi dhe detin.

Nuk di nëse jam vetë magjistari apo spektatori

Jastëku i zhubrosur të vërtetën e madhe të ma thotë.

Si magjistar për ty shkrij borën e dimrit tek oborri

Mbjell lulet e  botës në vazo zemre që hapi yt të nusërojë.

Dhe nuk druhem që të them  se jam bërë pak magjistar.

Kur natën e gjatë e bëj ditë për udhëtarë dashurie.

Frymoj gurët, lulet e bëj për ty një qilim me gjethnajë.

Me një verë trëndafilësh të mbush pragje dhe vise.

Përherë do të ketë magjistarë në skenat me dritë

Do të na fusin në kurthin e habisë dhe të misterit

Oo, unë dua të jem ai kopështari anonim duarflorinjtë.

Që pret të të sjellë një ujëvarë drite mes territ.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.