Cikël poetik kushtuar 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Ditë e bekuar për Kosovën dhe mbarë shqiptarinë 17 Shkurti . Një ditë mbrohtësie që të jep jeta në një shtet tëndin . Një ditë që erdhi mes ëndrrave , plagëve të hapura , mes bekimit dhe amanetit të gjyshërve . Një shtet me halle ashtu si cdo shtëpi , por me shpresën e madhe se shumë gjëra do të zgjidhen . Me një të ardhme që do të jete më e mirë se e tashmja . Ta gëzojmë si komb këtë festë e sjelltë festa të reja për Kosovën dhe mbarë kombin . Të gëzojë zemrat e shqiptareve në trojet etnike dhe në mbarë botën Gëzuar! Mos mbaroftë kënga e lirisë dhe e begatisë në trojet shqiptare!
Me mirënjohje e me urime , NAMIK SELMANI – shkrimtar Boston , 16 shkurt 2018
1.Shpirti i Kosovës
Një ditë shpirtin e Kosovës e thirrën në shesh
Ia kishin bërë gati gijotinën
Me gjethe dafine e kishin stolisur
Asnjë s’kish mbetur pa sëpatë xhelati në duar
Asnjë për be
Veç prisnin urdhërin e Xhelatit zëngjirur
Po sytë s’ia gjetën t’ia lidhnin me fasho të zezë
E natën para Natës së Gjatë t’ia jepnin patjetër
E qafën s’ia preknin dot, s’ia preknin aspak
Ku tehe sëpatash të ngulnin gjaketur.
..Oh, shpirti i Kosovës kishte ikur, kaltërsia e priste
Kish mbetur kryexhelati që s’kishte ç’të thoshte
Heshtonte sheshi
Krakërima korbash sillte
Sëpatat kishin fluturuar në krahët e zogjve.
2.Eksod Kosove
Me se ta mas
Këtë vargan djepe që ecin?
Në ç’kacek ta fus
Piskamën e heshtur të burrit
Që edhe palcën e dheut dysh e çan?
Me se ta shuaj këtë flakë murdare
Që oxhakun e gjyshit
Në hi të nxehtë po e kthen?!
Me çfarë ta rinoj
Një rrudhë të re në sytë e motrës së mirë?
Me se valle?
T’u them deteve?
Detet po shterohen.
T’u them maleve?
Malet…po largohen.
Do t’u them luleve
Po lulet nxirohen.
Po t’u them ullinjve
Ullinjtë po vuvosen.
Veç shqiponja në flamur
Gdhendur te djepi i foshnjes
Fjalën ma kthen në sokëllimë.
3.Mbijetesë
Meditim mbi pikturën e Abdurrahim Buzës “Refugjatët“
Duke ndjekur marshimin tragjik çam
Djepet e fëmijëve–yje dritëzonin në qiellin e errët buzë Jonit.
Si një lojë e çuditshme
pëllumbash e shqiponjsh në ikje.
Udha kthehej ne varr pa lule, pa emër,
Pa tinguj mortore në marshin funebër,
Pa fjalë besimtarësh,
Guri që prekej në thepa lotin e rëndë e nxirrte.
Borziloku i gjyshes uli kokën pa blegërimat e deleve
Ooooooooo!
Si t’i ndiqte nuset tek vraponin të trembura në udhë,
Baladat thërrisnin njëra- tjerën në kuvend
E lirikat fshiheshin thellë karafilave të kuq
Djepet ecnin…ecnin….ecnin….
Nata s’e mbyste dot
Një ortek të qarash të një porsalinduri.
4.Monolog
Me shuplakë ma goditën historinë
Në qilare të fshehur
Firma gjaku hodhën mbi truallin e gjyshit.
E dhimbja i bëri sa një grusht fushat
E deti i shtoi lotët e kripur.
E qiellit brinjët iu thyen nga goditja.
Gjallimin e lisit mendova
E shpirtin ma bekoi RILINDJA.
Me kërbaç ma goditën gjoksin, këmbën.
Me një hell të nxehtë ma qorruan syrin,
Për të mos parë rrugën e kthimit.
Kockëthyer mes ngërçit nuk qava.
Me dorën cung të prerë
Dhe me dhëmbë
Flamurin nga sepetet e nxorra.
E Zotit në qiellin e sterruar iu fala.
5.Kosovë – Çamëri
Dy bija që nëna i pati afër e larg,
Kur zemra
Gjak i dha që në ditën e parë të jetës.
Herë u bë Rozafë
Që gjaku çurg i çurgoi si burim shkumëbardhë,
Herë u bë Doruntinë,
Që malli ia çau palcën e shpirtit të djegur.
Sa larg ishin e janë motrat!
Sa larg!
Rënkimi i kurbetit ua thinji detet e malet
Klone, piramida le të kthehen në fantazma përrallash
E sofra
Le t’i gëzohet sa më shpejt Ditës së Madhe !
6.Kosovë , 1999
Sot edhe guri i bjeshkës u digjka nga flaka e malli
Çdo zemër qenka kthyer në një piedestal gëzimi
Zogjtë të lirë rrahin flatrat drejt qiellit të kaltër
E thellë nga varret rizgjohet gjëmimi.
U ngatërove në shekuj tek numëroje plagë e flamuj zemrash
Kokëulur mbi lahutë rënkimi t’u bë ortek
E prapë thirre si sokëllimë malesh;
“Dëgjomë moj. Botë jallane, dëgjomë
Lirinë e vatrës kurrë mos ma merr!”
Tani rihape fletën e abetares
E shkërmoqe mes gazit dheun
Me farën e re të ëndrrës e bukës!
7.Ç’gaz më jep, Drenicë e kuqe!
Në Kullën e Jasharjave
E shtrëngoj fort grushtin e fsheh lotin e qerpikut.
Për dhimbjen
Po druhem të gjej fjalë, a forcë të lëshoj vikamën.
Në Konakët e Drenicës
E gjen përherë një kafe të ngrohtë për mikun
Një pjatë gjellë
Lokja e ruan të ngrohtë për shtegtarin e largët.
7.Në Drenicë
Qëllohesh përherë nga një cifël e harruar predhe
Nëse kujtesën e vret
E mbi mermere varresh nuk e lexon mirë për nesër amanetin.
Këtu,
Dallandyshet nuk duan të braktisin në dimër çerdhet.
E dielli drenicar
Të kthehet një një flamur që kuqëlon qiellin e detin.
Ketu Fjala e shqiptarit bëhet kurorë lulërore edhe mes akullime.
Askund në Kosovë,
Nuk gazmohet kaq fort sa këtu për lindjen e çikës e djalit.
Askund
Nuk mund të gjesh si në Drenicë ca hoje mjalti dashurie.
E gjunjët
Veç këtu nuk lodhen kur duan t’i ngjiten shtegut të malit.
dasmën e mbesëave e niperve
si Bacë Dardanie përcillte miqtë atje. larg, në mal
Miqve të mi poetëve të Kosovës
Krahët e gjëmbuar
S’i pyetën malet ngjyrë gjaku.
Nuk vrapuan të shkruanin testamente të mermerta.
Do ta thonë më mirë:
Kullat e djepet,
Magjet e këngët majëkrahu
Do ta thonë
Monumentet që kishin gdhendur në Netët e errta.
Kacekët e Dertit
Mblodhën pikëlat e lotit të gazmuar në dasma,
Po si të mbeste sofra
Pa djersën e valles e kulaçin e fjalës?
Pa ftesa
Ku kryefjalë ishte E ardhmja?
E çka shkruat
Kur dielli sterronte
Kur qielli gardhohej nga Pyjet e Dhimbjes?
E çka shkruat
Kur tokat futeshin në trasta diplomatësh
E në Prevezën çame loti thahej në gjokse burrash?
9.Ëndrra Lumëbardhi
Tej, në valë Lumëbardhi
Na prisnin xixëllonjëzat që sillnin dritë deti.
Po ku ta dinin ato
Si na frymonte Kalaja e gurëzuar e gjoksin na zgjeronte?
Në lulet kaltërore
Pëllëmba rritej e bëhej fjongo ylberi
Në hapat putrazbathur
Mbrëmjet i shtynim gjer vonë mbi currila krojesh.
3.
Në trembjen e pafajshme
Garonim bukurisht si vraparakë të botës
E ndiqnim nuset
Tek mbanin mbi supe shtëmbat e bardha hyjnore.
E lotët,
Ktheheshin në margaritarë, tek shkonim drejt odës
Me ballët të mbushur
Si fitimtarë të pagjykuar me gjerdanë xixëllonje
10.Na duhet një Anton Çetë
Na duhet një Anton Çetë ne ditët tona karvanore
Të shohim sy më sy vetveten në pasqyrën e pagabuar
Të shembim pa u lodhuir gardhijet e ferrat ndër troje
Të shtrijmë ëmbëlsht dorën me fjalën e mençuruar.
Na duhet një Anton Çetë si ëndrra që troket te porta
Të heshtim para marrisë që hap arkivole
E vargu i ditëve tona të mos jetë qerre pa rrota
E balta e udhëve të bëhet lule qumështore
Tel i violinës të mbesë në shpirt i pakëputur
E Kulla e Ngujimit të mbesë veç Muze në kohë
Në dorën e lunushme të tij uleshin pëllumbat
Në fjalën shërimtare paqja thurte kurorë.
E kur të skuqin udhët më fort se muzgjet e territ
E magjja e sofra të mbesën ( oh!) pa miellin e bardhë
Do kërkojmë Anton Çetën fjalë mentar me hark ylberi
Të na rizgjojë besën e të zgjidhim nyjen në litar
Na duhet, bre, një Anton Çetë!!
11.Këtu, në NEWBORN….
Etyd për pavarësinë e Kosovës
1.
Historia paska ndalur këtu:
Të dëgjojë bacalokët fisnikë më të thinjur se të gjithë malet e borëruar
Të përcjellë nuset e reja e të puthë ca plagë të ngrohta nën bajrak
Të takojë Adem Jasharin e të riçelë lulëkuqe në Drenicën kullëplaguar
Të dëgjojë heshtimin e lotit të vrarë mes dhimbjes bukur të gjatë.
Dita paska ndalur këtu:
Të prekë këmbë të ardhur nga viset, nga klonet e humnerta ndjellakeqe
Të dëgjojë ca zëra çiftelish e lahutash, si hapa këmbëzbathurish mes flakëve
Të rizgjojë ca rremba krojesh të kaltëruara si maja bjeshke në majin me rreze
Të heqë tabelat e udhëkryqeve me kahjen e pagabuar të bajrakëve .
Nata paska ndalur këtu:
Të marrë hijet e fundit në theqafjen drejt honesh, drejt ca strofkash kuçedre
Të fshehë gjer në shtatë palcë dheu ca llumërina fjalësh besëvrarësh.
Të riveshë mantelin e yjeve që bien, e bien, e bien nga male e treten
Të humbojë mallkimet e thëna e të pathëna si sëpata druvarësh.
Kali i Gjergjit këtu paska ndalur trokun:
T’i thotë motrës lotpatharë të ngrihet vrik nga varri nën bli.
T’i thotë Doruntinës se Kostandin emërmadhi është gjallë, gjallë.
T’u thotë bregdrinasve se këtej e tutje do të kenë ndër brigje edhe ca ullinj
Bash si me kenë një Urë e re kënge që lidh shekujt me fjalët- balsam
12.Ta kam një borxh kënge, Zahir Pajaziti!
Ta kam një borxh kënge, lum trimi
E dheu i babës mos ma kalltë shtatin për të në shekujt e rreptë.
E vargun
Do ta bëj martinë për të vrarë HARRESËN
E prapë do të vij në Llap
Të ulem në gjunjë në lulet e para të livadhit në bjeshkë
Me bishtin e lahutës
Do bëhem karvanar i tingujve që filizojnë njëherësh
2.
Ta kam Borxh, lum Baca,
Një plis kënge të pakënduar askurrë në vite
Në Llap
Në Koshare, Reçak me ty do të vij në borërimin e Janarit
Në pranverën e Kosovës
Do të sjell lulërimin e lirisë që hap kudo ngjyrë shenjtërie
Do të hesht me ty,
Do të flas me ty,
Do të rijetoj me ty
e në gjunjë sërish si Isa do ulem të flamuri ngjyrëzjarri.
3.
Thërrimet e dheut
Një nga një do t’i shpuploj në pëllëmbën e dirsur
Pa harruar plumbin
Që të shpoi mes kallkanit në gjoksin flakadan
Në Shkodër
Do t’u flas qelive të ma thonë ëndrrën tënde të ndritur
E Sharrit
Do t’i them të përcjellë zërin, amanetin , si të ishte vikamë.
4.
Gishtat
Ia kam nisur në bedenat e gurta të dritës që na le.
Në shpirtin e këngës
Mbytem e dehem si udhëtari në tymtarin e odës
Lapidarin për ty
e ngrej brenda vetes si të isha vetë zog me fole
A thua
Se qënkam aed i kohëve moderne që ende klithmon mes llohës?!!
5.
Në Prishtinë
Tek monumenti do të ngjitem gjunjëpërgjakur si në degë të manit dhe lisit
Ta puth pushkën
e ta ndjej grykënxehtën në duar, në këngë e në varg.
Kosovës
Të tërë ia kemi një borxh të madh djepin dhe hapin e agimit
Lirisë
Ia kemi borxh amanetin e gjyshit që toka s’e tretka aspak.
6.
Borxh ta kam një këngë, lum Baca, që kurrë s’më mbaron!
Te varri ku ylberi i tingujve rri si kurorë…
Të frymoj shqiptarisht
Të jetoj shqiptarisht në botën e rreptë.
13.Mitrovicë, 2018
Lis naimjan
Gur çajupian
Dallandyshe shirokiane
Frymë lasgushiane
Pëllëmbë e gjakosur
Këngë e pasosur
Dhimbje e patreguar
Qiell i amëshuar
Lumë i pranguar
Muzg i trishtuar
Ëndërr supevrarë
Këngë filizpatharë
Loke ballërrudhur
Shtëllungë e pathurur
Ajkunë pa bjeshkë
Këngë pa tekst.
Bacë plisbardhë
Me plagë të patharë
Dorë në sup mbështetur
Bronx ende i pagdhendur
Mitrovica…
Ibërdrita…..
14.Dil moj, dil!!!
Dil, moj dil te Shatërvani
se pa ty s’rrjedh Lumëbardhi
Dil, moj dil, të Urë e Gurit
jepi dritë e gaz Flamurit
Dil moj dil, matu me lulet
gur i malit për ty zbutet
Dil moj dil, matu me qiell
kur ti flet nxjerr synë një diell
Merr një këngë ta dëgjojë Zhuri
se të pret një zog te supi
Këmbëzbathur shko në shpate
mblidh për mua manushaqe
Merr një këngë si det në bjeshkë,
thuaj erës që të heshtë.
Dil, moj dil më shpejt nga pragu
se për ty zgjohet zambaku.
Dil, moj dil e puth pranverë,
bëhu flutur, luleshqerrë
gjerdano lule në ballë
vër në gjoks një shall të bardhë
Se për ty merr sy kalaja
kënga merr të tjera maja
Nënë këmbë rizgjohet vallja
nëpër hone ikën nata
.
Merr një flakë e hidhja gjoksit
Thaja moj pikën e lotit
Nëpër ballë vër xixëllonja
Të mos lërë ca pengje koha
Nëpër male zgjoi gurrat,
nëpër odat ndizi furrat.
Porsi zanë vrapo në pyje,
numuro me mijëra yje
Bëhu flakë në shpuzore
e zgjo ditët vajzërore
Ndale hapin te Marashi
E kudo ndaj lule gazi.
15.Me duart nga varret e pagjetur…
Kushtuar të zhdukurve në Luftën e Kosovës
Ofshama e shkronjës
Ma nxjerr klithmën e gjoksit
E jam bërë si sonambul në një tokë plagëhapur
E në duar më mbetën hartat e zverdhura të kombit
E në deje
Më vjen kënga e pathënë si petale e çelur zambaku
E lulet
U vyshkën në duar, në kurorat me kordele
E loti u tha
Në kroin e syrit nga pritja pa fund.
Heeeeeej, kur do ta gjej djalin e fshehur në zabele?
T’i nis vajit
Me fjalë që bien si gaca në prush.
M’u mbushën duart
Me kokrriza dheu të baltosur, të hirnosur
Sytë m’u gropëzuan si në humbëtirën e natës.
O qiell, o hënë
Që ndrini në qiellin e nxirosur
Oooooo, ma thoni një fjalë, bre, për varrin e munguar të bacës!!!
E duart
I paskam të vogla, të dridhura kur gurët shpuploj
E në gjunjë ulem
Si në namazin e drekës me burra mëhalle.
Ku janë ata???
Ooo, i ende përballë vetes gjëmime topash dëgjoj
Tek shoh
Kullën e Jasharajve të djegur nga zjarre.
Qielli
Po më duket si oxhak kulle a saç ku gatuhet fli.
Toka po më digjet si prushnajë vullkani
Pres të më zgjohet brenda vetes si një rreze në prill.
Dhimbja po ma hollon çdo damar gjaku te shtati.
Selvitë thahen pa u mbjellë në murrana lufte
Në pragjet e kullës zgjoj hapin, këngët e urimin e shenjtë.
Po nxirrni bre, nxirrni nga gërmadhat djepet me lule
Për dasmat e vjeshtës i vini curlet dhe tupanat në rresht!
Boston , shkurt 2018