Gjenerali që mbron kullat

0
830

Namik Selmani – Boston – USA 

Kushtuar Çun Mulës, luftëtarit të shquar të Lidhjes së Prizrenit që luftoi kundër pushtuesve malazezë dhe atyre osmanë në mbrojte të trojeve amtare 

Dil në pragje e zgjo kulla

Ku shqiponja të ndalojë

T’u kndoftë kënga, o  Çun Mula

Në  çdo luftë  t’pret një kurorë

Sillna pranë duhma lufte

Për  ca troje të bashkuar

Dhe kur vdekja vjen në supe

Të shkojë larg e turpëruar

Gur më gurë të marrim valle

Dorë më dorë të shkojë tupani

Një shami të djeg mes dasme

Ku të jem unë flamurtari

 Cep më  cep të zgjohet pushka

Kur një prag na e shkel hasmi

Ta  çojë larg zanin lahuta

Kur një djep digjet te zjarri.

Gjeneral që pret taborre

Ardhur larg-o nga Bosfori.

S’i lëshojmë këto troje

Besa-besë po lidh shqiptari.

Sillna këngë majekrahu

Në Zharnicë* ku flet lavdia

Ku flamurin e njom gjaku

Me një besë shqiptarie.

Ku flet shqip gurra dhe bari

Ku flet shqip lisi dhe pragu

Nuk ka vend këtu barbari,

Për liri valon bajraku.

Me vikamë na e zgjo trollin

Që nga Hoti në Mirditë

Gjoks më gjoks  me Micë Sokolin

Hap më hap-o me lirinë.

Kulla flet sa njëqind libra

Kënga buzët na përflak

Vijnë ortekë e gjethojnë lisa

Për ty vargu është kala,.

Jepna dorën e pajtimit

Se prapë sherri na sherron

Përmbi terrin e harrimit

Vepra jote flakëron.

·         Zharnica- vendi ku Çun Mula drejtoi vullnetarët e malësisë që mposhtën plotësisht  forcat ushtarake malazeze nën mbretin Nikolla të Malit të Zi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.