Tërmet 7.6 ballësh! Tmerr dhe rrugë të çara, shtëpi të fundosura

0
396

Agjencia Meteorologjike japoneze raportoi për më shumë se një duzinë tërmetesh në brigjet e ishullit Ishikawa dhe prefekturave përreth, pak pas orës 16:00 sipas kohës lokale, një prej tyre me një fuqi prej 7.6 shkallësh.Agjencia lëshoi një paralajmërim për një cunami të madh në Ishikawa dhe paralajmërime ose këshilla për cunami të shkallës më të ulët për pjesën tjetër të bregut perëndimor të ishullit Honshu, si dhe për zonat përreth ishullit kryesor, Hokkaido.Transmetuesi publik japonez NHK paralajmëroi se valët e ujit mund të arrijnë deri në 5 metra dhe u bëri thirrje banorëve të largohen sa më shpejt të jetë e mundur në pika më të larta ose në maja ndërtesash aty pranë.Televizioni NHK tha se valët e cunamit mund të vazhdojnë të kthehen dhe paralajmërimet po vazhdonin të transmetoheshin disa orë pas alarmit fillestar. Disa pasgoditje tronditën gjithashtu rajonin.

Zëdhënësi i qeverisë Yoshimasa Hayashi, tha se ishte thelbësore që banorët në zonat bregdetare të largoheshin nga cunami që po afrohej.“Çdo minutë ka rëndësi. Ju lutemi evakuohuni menjëherë në një zonë të sigurt”, tha ai.Të paktën gjashtë shtëpi u dëmtuan nga tërmetet dhe brenda tyre kanë mbetur njerëz të bllokuar. Një zjarr shpërtheu në qytetin Wajima të prefekturës Ishikawa dhe më shumë se 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike, tha zëdhënësi Hayashi.Ai tha se nuk janë konfirmuar raporte për të vdekur apo të plagosur, duke theksuar se situata është ende e paqartë. Ushtria japoneze po merr pjesë në përpjekjet e shpëtimit, tha ai.Pamjet e transmetuara nga media japoneze shfaqën njerëz që vraponin nëpër rrugë dhe tymin që dilte nga zjarri në një lagje banimi. Fotot treguan një turmë njerëzish, duke përfshirë një grua me një foshnjë në shpinë, duke qëndruar pranë çarjeve të mëdha në trotuar.Trenat e shpejtë në zonë u ndaluan. Pjesë të autostradës u mbyllën dhe tubat e ujit shpërthyen, sipas televizionit NHK. Disa shërbime të telefonisë celulare në rajon ishin jashtë funksionit.Agjencia Meteorologjike tha në një konferencë shtypi se më shumë tërmete të mëdha mund të godasin zonën gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy ose tre ditët në vijim.Paralajmërime për cunami janë lëshuar gjithashtu për disa pjesë të Koresë së Veriut dhe Rusisë. Zyrtarët rusë lëshuan një alarm për cunami në ishullin Sakhalin, duke paralajmëruar se zonat në gjithë bregun perëndimor të ishullit mund të preken nga dallgët.Në Korenë e Jugut, agjencia meteorologjike u bëri thirrje banorëve në disa qytete bregdetare lindore të vëzhgojnë ndryshimet e mundshme në nivelet e detit. Valët e cunamit që godasin më vonë mund të jenë më të mëdha se ato fillestare.Qeveria japoneze ka ngritur një qendër të posaçme të emergjencës për të mbledhur informacion mbi tërmetet dhe cunamin dhe për t’i informuar shpejt banorët për të garantuar sigurinë, u tha gazetarëve kryeministri Fumio Kishida, i cili përsëriti paralajmërimin për evakuim të menjëhershëm nga zonat e prekura.Japonia është një vend jashtëzakonisht i prekur nga tërmetet. Në mars të vitit 2011, një tërmet i madh dhe cunami shkaktuan dëme të rënda në një central bërthamor. Zëdhënësi i qeverisë Hayashi u tha gazetarëve se centralet bërthamore në zonën e prekur nuk raportuan ndonjë dëm të hënën./VOA/

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.