NGA:ZANA TAKO
Lumi i pyetjeve vërshon në jetën e përditshme, e brenda këtij lumi zhytemi të gjithë jo për t’u freskuar, por për të gjetur përgjigjen në fundin e tij. Por zhytjet herë kanë sukses e herë jo, sepse ka përgjigje të cekta por edhe të thella, e të cektat nuk duan shumë mund për t’i gjetur e kuptuar.
Një nga këto pyetje që e ka përgjigjen të lehtë është ajo e teknologjisë. Pa të nuk jetojmë dot. Por të zhytesh në thellësinë e ujrave të dijes, për të gjetur çelësin e artë të përgjigjes mbi të vërtetën e saj, do kuptojmë se rëndesa është mundi, sakrifica, izolimi, nga ku marrim përgjigjen që i nevojitet çdo njeriu në përdorimin e kësaj fjale të fundit të zhvillimit.
Me teknologjinë masim forcën e dijes, e cila nëse do t’i shërbente njeriut për zhvillim e përparim, atëherë fjala do të mbetej e vetme në përdorimin e saj, pasi gjuha e teknologjisë do e mundte përdorimin e gjuhës së folur. Në mungesë të saj kemi këtë lloj komunikimi, si përparim në të “mirë” të njeriut. Por e “mira” e këtij përparimi është gjysmake, sepse dobia e saj është çalamane. Të çalosh në zhvillim, do të thotë se boshti është thyer.
Por cili është boshti që mban në këmbë njerëzimin? Boshti nuk është kjo teknologji, me anë të së cilës mund të zëvendësojmë të folurin, të parin, të vepruarit, të dashurit, të perceptuarit, të prekurit, e kështu me radhë.
Të privohesh në liri nuk do të thotë zhvillim. Të lejosh të të sundojnë lirinë nuk do të thotë zhvillim. Të ecësh me sy mbyllur nuk do të thotë se po shijon lirinë. Të lëvizësh me zinxhirë nuk do të thotë se ecën i lirë.
Gjuha e folur është gjuha e çdo krijese kur takohet me dritën. Dalja në jetë nuk është shpikje e teknologjisë. Të jetosh në botën e krijimit, nuk do të thotë se Zot është teknologjia. Të zëvendësosh shpikjet e teknologjisë me arritjet dhe të drejtat e lirisë njerëzore, do të thotë se mbi shpinën e njeriut është vënë ngarkesë mbi fuqinë e tij, e cila e gjunjëzon pa kushte çdo krijesë që ndien shtypjen e kësaj rëndese.
Në politikë nuk flitet me gjuhë teknologjie, por termat dhe ligjet e saj po zëvendësojnë kufij, të cilët janë formë e re e të menduarit të ligjvënies. Barrierat janë të pashmangshme për këdo që preket në pragun e shtëpisë së tij.
Mirëqenia nuk e ka rrënjën e saj tek teknologjia por tek liria. Teknologjia nuk mund të quhet liri. Ky term po zëvendësohet dita-ditës, duke përparuar në mënyrë të frikshme mbi shqisat njerëzore, të cilat janë të destinuara të pranojnë çdo efekt sado i dëmshëm të jetë ai në kanosjen e lirisë së individit.
Të ndjekësh ligjin e vetvetes për të përparuar drejt mirëqenies globale, do të thotë të prodhosh çdo ditë hallka zinxhirësh, me të cilët lidhet memorja dhe arsyeja njerëzore. Produkti i kësaj pune që kryhet në vullnet të plotë, është sipërmarrja që krijohet nga parazitarë të verbër, që çmimin e këtij produkti e barazojnë me çmimin e shitjes së vlerave në zhdukje. Vlerat njerëzore nuk janë dhe nuk mund të quhen mall tregu në shitje të lirë, pasi tregu i shitblerjeve është ai vend, ku matrapazë injorantë dhe të pashpirt bëjnë pazare në kurriz të mjeranëve të paditur për pasurinë që zotërojnë dhe trashëgojnë që në gjenezë.
Teoria e produkteve që zotërojnë më të pasurit, është zanafilla ku përsëritet i njëjti refren i gjuhës së teknologjisë. Të marrësh hua për të shitur atë çka është e jotja, është falimenti më i madh shpirtëror që njeriu i ka bërë dhuratë vetes. Efekti ekonomik është rënia e kurbës së fitimit në atë shkallë, ku shenja e zeros dallohet qartë edhe nga të verbër me sy në ballë. Falimenti është shkalla e fundit ku zbret njeriu në kohën e zhvillimit teknologjik dhe reformator. Kjo rënie është shenjë dalluese për gjithkënd që kupton ato politika, të cilat nuk reshtin duke reklamuar fitore dhe jo humbje nga përdorimi i kësaj teknologjie në jetën e përditshme.
Për atë që kupton se çfarë do të thotë ekonomi në rënie dhe në ngritje, apo politikë në zbritje apo në rritje, kupton edhe që teknologjia nuk është arma me të cilën njeriu fiton betejat e jetës, por është humbja pa kushte e jetës dhe e vlerave të saj.
Të jetosh i lirë do të thotë të jetosh në harmoni me krijimin, pa asgjësuar ligjet dhe format e tij. Por kjo këmbanë bie për ata që kanë veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë.
Krijimi nuk ekziston nga teknologjia, as nuk lulëzon nga teknologjia, por përkundrazi, thahet e vyshket nga pasojat e rënda të kundërshtisë, me atë çfarë Zoti na ka dhuruar bashkë me lirinë në krijim!