Ali Bushati është një emër i lidhur pazgjidhshmërisht me sportin e sidomos me volejbollin. Ai i përket brezit të artë të këtij sporti në Shqipëri, duke lënë pas një karrierë të veçantë e të vlerësueshme.
Ali Bushati lindi në Shkodër me 24 tetor 1942. Dëshirën për sportin e shfaqi që në moshë të njomë. Përkushtimi dhe stërvitja, dhanë rezultatet e rëndësishme që në moshën 17 vjeçare, kur ishte pjesë e gjashtëshes së pare të Vllaznisë.
Karriera e tij me Vllazninë nisi në vitin 1959 për të vijuar deri në vitin 1963. Për dy vitet e mëpasme, deri në 1965- ën, Ali Bushati do të lunate me Partizanin e Tiranës. Do të rikthehej në rradhët e Vllaznisë së tij për tu aktivizuar deri në vitin 1975. Tek Vllaznia, ai ishte kapiten e ekipit.
Ishte koha kur supremacia e Dinamos në volejbollin shqiptar ishte e padiskutueshme dhe në harkun kohor 1968- 1973, vetëm Vllaznia e rivalizonte, duke u renditur e dyta në kampionat.
Në karrierën e Ali Bushatit, nuk kanë munguar as trofetë e vlerësimet. Ai është fitues i 3 kupave te Republikes në vitet 1969, 1970 dhe 1973.
Ka zhvilluar 60 ndeshje ndërkombëtare nga të cilat 25 me ekipin kombëtar në gjashtëshen e parë përkrah mjeshtrave të mëdhenj si Asllan Rusi, Dashamir Fagu, Ylli Shehu etj.
Po ashtu, ai huazohet nga Dinamo e Tiranës në ndeshjet e Kupës se Kampionëve dhe luan shkelqyeshëm në dy fitoret e mëdha në vitin 1966 në Tiranë kundër Virtus të Bolonjës dhe Blokër të Hollandës 3-0. Sikurse shquhet në ndeshjet e Dinamos me kampionët Partizan i Beogradit, Harvey të Hollandës, CSKA të Sofjes etj.
Ali Bushati në gjashtëshen e parë të përfaqesueses në turnetë e zhvilluara në Kinë, Kampionatin Europian në Stamboll në 1967- ën ( Shqipëria fiton 3-0 me Suedinë, 3-0 me Turqinë dhe Greqinë, 3-2 me Izraelin. Në 25 ekipe Shqipëria zuri vendin e 12).
Në vitin 1969 luan me përfaqësuesen në Kampionatin Botëror të Sofjes në gjashtëshen e parë dhe fitojnë me Greqinë, Rumaninë etj.
Pas shkëputjes nga volejbolli i luajtur, Ali Bushati do të ishte po kaq i suksesshëm edhe si trajner. Në vitet 1975- 85 ai ka drejtuar ekipin e të rriturve por dhe të rriturave.
ALI BUSHATI ZOTNI I QYTETIT TONË, SPORTIST QË ME EMRIN E TIJ SHKODRA U NDERUA GJITHMONË
ALI BUSHATI ZOTNI I QYTETIT TONË, SPORTIST QË ME EMRIN E TIJ SHKODRA U NDERUA GJITHMONË
ALI BUSHATI ZOTNI I QYTETIT TONË, SPORTIST QË ME EMRIN E TIJ SHKODRA U NDERUA GJITHMONË
Ishte një volejbollist i gjithanshëm i rrallë si shuter, përgatitje të shkëlqyer teknike- fizike e taktike, supër i aftë në bllok e vijë të dytë, përgaritje të shkëlqyer akrobatike, pasues virtuoz dhe elegant, ngecës fin, janë karakteristikat e Ali Bushatit si volejbollist.
Për të gjitha këto aftësi dhe arritje, Ali Bushati u vlerësua gjatë gjithë karrierës së tij me tij e medalje. Ai ishte mbajtës i titujve “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”. Është zgjedhur në gjashtëshen e volejbollit shqiptar për shekullin e 2-të, i renditur i katërti pas Murzakut, Rusit e Fagut; është zgjedhur në 10 sportistët më të mire të Shkodrës për shekullin e 20- të.
Në vitin 2012 Ali Bushati u nderua me titullin “Mjeshtër I Madh” nga Presidenti i Republikës.