Nga: ZANA TAKO
Letërsia shqipe, nuk quhet institucion ku hyjnë e dalin shefa kabinetesh, apo drejtorë të emëruar nga shkesë, që në parim kanë interesin. Vëmendja tashmë nuk përqëndrohet në epiqendrën e moralit apo të kulturës që nuk vjetërohet në kohë. Stigmatizimi i titujve me ngjyra apo pa ngjyra interesi, bën që bota ku lundrojnë idetë dhe parimet në letërsi, të jetë e vakët dhe pa gjallëri.
Nëse jetëgjatësia e mendimit të lirë mund të kufizohet në ditët e sotme, atëherë shpirti është burgosur nga manipulimi, i cili vjen si pasojë e zhgënjimit ndaj vlerave të moralit njerëzor. Këto vlera nuk shiten për tu pasuruar në dije, pasi varfëria në tregun e lirë të librave që presin blerës, është shenjë dalluese e krizës shpirtërore, ku si pasojë e kësaj krize, mbetemi në kërkim të thesarit që nuk humbet e që sot quhet fjalë e lirë e mendimit të lirë, ku askush nuk mund të cënojë shpirtin që godet atë që nuk është e drejtë, atë që nuk bëhet pis nga molepsja e varfërisë së mendimit korruptiv.
Të dish të dallosh fjalën e lirë nga ajo e manipuluar, duhet të mësosh vlerën e jetës që jetohet në të vërtetë, ndryshe gënjeshtra dhe efektet e saj shëmtojnë fytyrën e gjithësecilit që mendon se jeton në dinjitet.
Letërsia e gjuhës shqipe nuk është e varfër në komunikimin njerëzor, por bëhet e tillë, kur dija e zbeh fuqinë e saj nga bërryla dhe shkelma që qëllojnë me urdhër pa zë.
Fuqia e fjalës së lirë është emblemë e shkruar në çdo faqe të jetës së njeriut të lirë. Liria e fjalës është simbol i shpirtit që dashuron jetën, në përplotësinë e madhështisë së saj.