Nga Ndue BACAJ
“Ma kadal kanë thanë motit /
se nuk je Kolë Maçi i Hotit…”.
(Populli)
Kolë Maç Smajlaj, lindi në vitin 1881, në Rapshë të Hotit (Malësi e Madhe). Kola kishte qenë 5 vjeç kur mbeti jetim pa baba , por nanlokja fisnike , nuk i la gjë mangut në rritje e edukim, si për besë, bujari, trimëri e mbi të gjitha atdhetari. Siç ka qenë traditë ndër mote e shekuj , djemëve nënloket që në djep bashkë me tamlin e gjinit u mkonin këngët e djepit (ninullat), ato këngë plot afsh trimërie , burrërie, bese, bujarie, urtie e dashnie për trojet e veta. Kolë Maçi gjatë viteve të fëmijërisë kishte pasur fatin të mësonte edhe shkrim e këndim pranë famullisë së fshatit. Ai do të mësonte edhe gjuhet italiane dhe serbo-malazeze. Kolë Maçi perveç edukates familjare dhe të fisit tij të njohur Smajlaj, ai do të edukohej edhe nëpër kuvendet e organizimet e tjera të burrave të Hotit e më gjërë, me në krye kreshnikun e shqiptarisë, trimin e urtë Dedë Gjon Luli. Vlenë të cilësohet se Kolë Maçin, duket se vetë krijuesi e kishte “nda” me shenj jo vetëm për urti e trimëri , por edhe për pashi (bukuri e hijeshi)… Kolë Maçi siç e kishin traditë malësorët do ta hillte krahut pushkën shumë i ri, por do ta mbante me nderë, erz e trimëri edhe pse në atë moshë. Tregojnë se kur ishte 16 vjeç e do të shkonte në një betejë luftarake kundër malazezëve, së bashku me vëllan më të madh (në moshë) Prelë Maçin, ishte dallur si trim sypatrembur në këtë betejë. Mbas betejës së fituar , disa kushrinjë i thonë nënës së Kolës për ta “provokua”, se Kola është vra në luftë. Nëna e Kolës si fisnike , në vend që të vënte kujen, ajo si trimëresh malësore iu a kthen menjëherë: “Nuk po kam dert se u vra , por kam frikë se ska ditë me luftua e ka koritë malin e Hotit”. Në të vertet Kola ishe shëndosh e mirë… Kolë Maçi do të merrte pjesë si një trim i urtë e atdhetar në të gjitha betejat luftarake ,kundër pushtuesve turq dhe shovenëve fqinjë malazez e serb. Do të shquhej veçanarisht , si një luftëtar trim, i urtë e frymëzues i kryengritësve hotjanë e malësorë në kryengritjen kundër turkeosmane të vitit 1911 , ku u ngritë me 6 prill 1911 flamuri kombëtar shqiptar në Deçiq, për herë të parë pas 432 viteve robëri turkeosmane, …(N. Bacaj , Kryekryengritja e e Malësisë Madhe kundër perandorisë Turkeosmane 1911, Shkodër 2016). Gjithshtu Kolë Maçi ishte nga ata burra që nuk u gënjye as nga florinjët dhe as nga propoganda malazeze në luftën e rrethimit të Shkodres më 1912- 1913, kur jo pak malësorë në vend që të bashkoheshin me mbrojtësit e Shkodrës e më gjërë, u bashkuan (fillimisht) me ushtrinë pushtuese malazeze. Kolë Maçi në vijim të atdhetarisë së tij do të shquhej si luftëtar i urtë e trim në luften mbrojtëse të vitit 1915 , e veçanarisht në Luftën e Koplikut 1920, kundër shovenëve serbo-malaz ku u shqua jo vetëm si luftëtar trim , por edhe si udhëheqës e strateg i vullnetarëve malësorë në këtë luftë mbrojtëse. (N. Bacaj, Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, Shkodër 2020). Kolë Maçit gjatë mbretërisë shqiptare të Ahmet Zogut i ishte njohur kontributi e fama si burr i urtë, trim e atdhetar, dhe për këtë i kishin dhënë me meritë graden toger… Kolë Maçi ndër mote ishte shquar edhe si burr i urtë e me mend nëpër kuvende e beslidhje të Hotit, Malësisë e më gjërë. Fjala e Kolës dëgjohej e respektohej, dhe kishte peshë të madhe. Në popull kur dikush donte të bëhej “protagonist” me pa të drejtë në fjalën e tij i thoshin :
“Ma kadal kanë thanë motit /
se nuk je Kolë Maçi i Hotit…”.
Por gjithashtu fjala e tij dëgjohej nga mbretëria dhe autoritetet shtetrore të kohës. Për këtë ishte hap fjala e nami se Kolë Maçi t’a këputë litarin (lakun) në fut, domethënë të shpeton nga vdekja apo denimet, sepse i dëgjohej fjala dhe i besohej “gjykimit” të tij… (Një eksperiencë të tillë fatlume e ka pasur edhe babai i autorit të ketyre shënimeve…, kur ai në kohen e mbretit Zog ishte arrestuar e burgosë , për një ngatërresë që i kishin mbetur në qafë disa parelinjë të asaj kohe, dhe Kolë Maçi që e njihte mirë e kishte liruar nga burgu…). Për këto virtyte e cilësi Kolë Maçit populli i kishte thurë këngë e vargje si :
Me pas kenë para konopit /
Me i ra n’dorë Kolë Maçit t’Hotit /
Deri n’gju me pas ba gjakun /
Fjala e tij të ka pre lakun…/
………………………………..
“Kolë Maçi n’za prej Hotit /
Burr traditash dhe zakonit /
Me da trimni në ball të logut /
Larg me u ndie n’shpinë të gjogut /
Tuj ra fushë e tuj ra podit /
Me i dalë zot çdo bir arbnorit…”.
(Për Kolë Maçin këto këngë, nuk janë harruar as sot nga populli…).
Kolë Maçi si malësor me reputacion në popull dhe nacionalist i palëkundur ishte kundërshtar me “fjalë” e pushkë kundër pushtimit fashist Italian të Shqipërisë. Fashistët për këtë do ta internonin për tre vite (1939-1942)… Pas kthimit nga internimi , Kolë Maçit i ishte afruar bashkëpununimi me “nacional-çlirimtarët” edhe pse me dominancë komuniste. Kolë Maçit si dhe shumë shqiptarëve të tjerë nacionalist u kishin pelqyer premtimet për një shtet demokratik, e drejta e ribashkimit të trojeve shqiptare të Malësisë (nën Malin e Zi) me Shqipërinë nanë e më gjërë , thuhej se këtë të drejtë ua jepte popujve lufta e perbashkët antifashiste, që (gjoja) i kishte vëllazëruar. Megjithse këto premtime i bënin komunistet që i kishin bashkuar e u kishin krijuar PKSH-n serbo-malazezet , armiqë të përhershëm të trojeve shqiptare , Kolë Maçi, fillimisht u kishte besuar dhe kishte bashkpunuar me “nac-çlirimtarët” komunist , pasi ata ishin shqiptar , e shqiptari thoshte Kola e mban fjalën… Bashkëpunimin dhe mirbesimin e Kolë Maçit me “nacional-çlirimtarët”, ata e keqperdoren me një mashtrim e pabesi tipike sllavo-komuniste. Ky mashtrim e kjo pabesi u dukt qartë kur brigadat e partizanëve të shtetit komunist në janar 1945 , do të sulmonin Kelmendin me urdher të Enver Hoxhës, si vatër nacionaliste e antisllavokomunsite. Kolë Maçin drejtuesit e partizanëve komunist e kishin mashtruar e prerë në besë , duke i kerkuar ndihmë per tu dhënë disa hotjanë si udhërrëfyes për të shkuar në Tamare e Kelmend , jo me ushtri e me luftua, por thjeshtë per të biseduar e marrë vesht me krenët e perfaqesuesit e Kelmendit. Në fakt Kola megjithse dyshues u kishte besuar e dhënë katër hotjanë si udhërrëfyes, pasi ai nuk kishte parë ushtri vetëm, disa perfaqesues të ushtrisë dhe shtetit komunist… Pabesia e komunistëve do të dilte shpejt , pasi ata kishin sinjalizua brigadat e tyre dhe kishin sulmuar Kelmendin nga Ura e Tamarës. Kolë Maçi pasi e kupton këtë pabesi zgjodhi 40 burra të armatosur, dhe u nis në drejtim të Tamares me shpetua katër hotjanët që i kishin marrë (peng) me vehte partizanët komunist një ditë më parë si udhërrëfyes… Rrugës në Grabom…. hasin në ikje e sipër 18 partizanë (pasi ishin thyer keqas nga kelmendasit te ura e Tamares), në mes tyre edhe Ali Shehun. Pak më tej Kolë Maçi me pasuesit e tij gjenden përballë kelmendasve të prirë nga Lekë Marku i Brojës…. Kolë Maçi u thotë kelmendasve se këta djem nënash i kanë ra në besë… Pas bisedës me mikun e tij Lekë Markun dhe kelmendasit, i shpeton shëndosh e mirë këta partizanë… Ali Shehu një nga partizanët e shpetuar , thuhet se kishte qenë shkuesi i miqësisë së Kolë Maçit me Mehmet Shehun…(Dr.Luigj Martini , Prekë Cali, Kelmendi dhe Kelmendasit, fq.230-232, Shkodër 2005). Vlen të cilësohet se Kolë Maçi gjatë jetës tij kishte pasur edhe fatkeqësi të tjera familjare , si vdekja e gruas (së parë) dhe djalit tij të vetëm (Gjergjit) 25 vjeçar etj. Por edhe këto fatkeqesi familjare Kolë Maçi i kishte kaluar siç e kanë pasur traditë burrat e mirë e ma zë të Hotit e Malësisë… Ndersa nga martesa e dytë Kola ka pasur vetëm tri vajza… Kolë Maçi e kishte kuptuar se komunistet të gjitha premtimet i kishin gënjeshtra e mashtrime, ndaj kur filloi perndjekja e madhe e komunistëve ndaj nacionalistëve, kundershtarëve politik, dhe klerit në pergjithsi e atij katolik në veçanti, filloi të zhgënjehet nga dreqnit e kuq që kishin marrë në dorë Shqiperinë. Kolë Maçi me zgjuarsinë, trimërinë e besen e burrave thuhet se kishte ndihmuar jo pak shqiptar që i kishin ra në derë, në besë të Zotit per ti orjentuar e ndihmuar per ti shpetuar perndjekjes e pushkatimit nga komunistët, duke kaluar kufirin shtetror. Gjatë kesaj kohe komunistet dhe spiunet e tyre ishin munduar ta kapin në flagrance Kolë Maçin, por nuk kishin arritur, ndaj per ta kapur komunistët kishin vu në funksionim “zanatet ” e tyre që i njihnin më mire: spiunllekun, tradhtinë e pabesinë. Me të tilla zanate në natën e Shenkollit (dimër) me 5 dhjetor 1951, në derë të Kolë Maçit kishin ardhur dy-tre spiun të sigurimit të shtetit komunist, të cilet pasi kishin ngrenë e pirë mirë në këtë derë bujare, i kishin thënë Kolës se të kena ra në derë e në besë, per të na ndihmuar per të kaluar kufirin, per ti shpetuar ndjekjes e pushkatimit nga shteti komunist. Megjithë dyshimin e madh, Kola kishte menduar t’i ndihmojnë, por jo në atë natë feste. Në diten e neserme me 6 dhjetor (diten e Shenkollit), sapo mbaron mesha në Kishë, në sy të popullit që po delte prej meshet e arrestojnë Kolë Maçin, të cilin pas një hetuesie kriminale në Shkodër e më vonë Tiranë, ku edhe e pushkatojnë pa gjyqë me 12 gusht 1952, duke e lënë edhe pa varr, por edhe keshtu duke propogandua e perhapur kundër personalitetit të Kolë Maçit, fjalë, gënjeshtra e thashetheme tipike të sigurimit të shtetit komunist, me qellim që pas pushkatimit fizik ti “pushkatojnë” edhe reputacionin, nderimin e respektin e lartë që Kolë Maçi gëzonte prej dekadash në popull në Hot e Malësi e më gjërë…(Ndue Bacaj, Malësia e Madhe kundër….Fq.206-208, Shkodër 2008) Gjë që komunistët nuk ja arriten… Pas rënies të regjimit komunist , Kolë Maçi u nderua nga Këshilli i komunës Kastrat, ku bënë pjësë edhe Hoti (në republiken e Shqipërisë), (sot njësia administrative Kastrat), me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Komunës”, si dhe Shkollës në Rapshë (Hot) i është dhënë emri i Kolë Maçit…
Shkurt 2021