Nga : Marash Gilaj
Shëndet pastë Deda!
Deda ishte burrë me mend. Ishte i zakonit dhe i zamanit. Vëllai i tij, ende beqar, quhej Shan. Një ditë, ndersa po rrinin bashkë, Shani teshtiu dy – tri herë. Nusja e Dedës, Lezja, që ndodhej aty pranë, nuk i tha “shëndet”, siç e donte edukata dhe zakoni. Dedës i erdhi inat dhe i ra gruas me shuplakē në fytyrë, ndersa vëllait i uroi “shëndet.”Për kohën që ndodhi, nuk ishte ndonjë hata e madhe ta qëlloje me shuplakë gruan tënde.U prish pak muhabeti, por ai veprim pati vlerë për më vonë.Të nesërmen, Shani ishte përsëri në oborr dhe Lezja ndodhej në katin e dytë të shtëpisë. Teshtima e Shanit, këtë herë, nuk kaloi pa u vënë re nga kunata. Ajo, edhe pse, në një farë distance, nxitoi t’i thoshte Shanit “shëndet” duke e ngritur zërin që ta dëgjonte mirë. Shani e kuptoi “respektin” e kunatës dhe u përgjigj me lezet: ”Shëndet paste Deda!”
Pyet në kryesi , kur ke plan të lindësh fëmijë
Në kohën e kooperativave bujqësore, para vitit 1990, një grua u ankua në kryesi se kishte shumë fëmijë dhe s’kishte mundësi t’i ushqente me aq sa fitonte. Ajo kërkonte ndihmë. Përgjigjen ia dha vetë kryetari i kooperativës: “Mirë moj shoqe, e mora vesh se paske shumë fëmijë dhe se do ndihmë për t’i ushqyer e rritur ata, por herë të tjera mos bën fëmijë pa na pyetur ne si kryesi.”“ Qyqja, tha gruaja, e turpëruar, po çka kam ditur vetë se u dashka me pyetë në kryesi, kur duam të bëjmë fëmijë.”Po të ndodhte sot kjo, I madhi, po I madhi fare ama, do ta kishte pyetur, nëse këta fëmijë gruaja, që ankohet i bëri të gjithë në një ditë apo një nga një. Qē do të thotë se po t’i kesh bërë njëherësh ishte aksident dhe nuk ke faj, por, po t’i kesh bërë një nga një, nder vite, tregon se nuk je aq e zgjuar. Sepse, kur nuk ke me se t’i ushqesh, pse po pjell kaq shumë e kaq shpesh? Përgjigjja nuk do të ndryshonte shumë midis dy kohëve. Të dyja kanë ndodhur, prandaj tregohen.
Djath Partie
Para vitit 1990, fshatarit shqipëtar nuk i mungonte asgjë, përveç bukës, që e kishte me rracion, qumēshtit, djathit, mishit dhe gjithçka tjetër për të bërë një jetë normale.Rrok Tomës, i erdhën miq për drekë. Aq sa iu bë qejfi, u zu në befasi dhe u ndie i turpëruar, pasi i mungonte djathi. Vetëm pak domate të regjura kishte për meze dhe pak raki. Miqët pinë raki dhe morën meze derisa pjata filloi të boshatisej.“ Na sillni prapë “ djath partie”, urdhëroi i zoti i shtëpisë. Kështu i quante ai domatet turshi. Miqët qeshën, pinë përsëri, por, edhe pse kanë kaluar shumë vite, shprehja ”djath partie” ka mbetur në kujtesën e miqëve dhe të shokëve si një turp i asaj kohe, kur “Dielli i Partisë ndriçonte e begatonte çdo zemër malësori”.