Përafrimi i universitetit “Luigj Gurakuqi“ me hapësirën evropiane dhe krijimi i urave të bashkëpunimit me universitetet e rajonit, bëri bashkë në një takim rektoren e Universitetit të Shkodrës me rektorin e Universitetin të Campania-s.
Rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Suzana Golemi, ditën e martë më, 11 Maj 2022, në përgjigje të ftesës zyrtare nga rektori i Universitetit të Campania-s, “Luigi Vanvitelli”, prof. Giovanni Francesco Nicoletti, zhvilloi një takim pune.
Në këtë takim, rektorja e Universitetit shoqërohej nga zv/Rektorja prof. dr. Rajmonda Këçira, dhe përgjegjësi i departamenti pranë Fakultetit Juridik, dr. Roland Dodani, njëherazi dhe Konsull Nderi i Italisë.
Në vijimësinë e marrëdhënieve me rezultate të prekshme mes dy universiteteve, u firmos një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do t‘i hapë rrugë mundësisë së realizimit të një programi ndërkombëtar të dyfishtë studimi.
Për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut, për programe të dyfishta dhe njohje të tij ndërkombëtare, të dy rektorët prof. dr. Suzana Golemi dhe prof. Giovanni Francesco Nicoletti, shprehën angazhimin e tyre për hapjen e një programi ndërkombëtar në përfitimin e një diplome të dyfishtë në fushën e drejtësisë. Ky program studimi do t´ju ofrojë studentëve të të dy universiteteve të marrin dy diploma, një në shqip të lëshuar nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe një në italisht të lëshuar nga Universiteti “Luigi Vanvitelli” i Campania-s.
Të pranishëm të tjerë në këtë takim zyrtar në Universitetin e Campania-s “Luigi Vanvitelli” ishte Prof. Sergio Minucci, i deleguari për ndërkombëtarizimin dhe prof. Lorenzo Chieffi drejtor departamenti i drejtësisë.