Një mirënjohje që mbetet e gjallë në vite / Në kujtim të legjendës së Futbollit Kujtim Majaci

0
1059
Një mirënjohje që mbetet e gjallë në vite në kujtim të legjendës së Futbollit Kujtim Majaci . 
Sot një vit më parë pata një nga ditët e mia të PAHARRUARA në vargun e ditëve që lidhen me krijmtarinë letrare . Për një kohë të shkurtër shkrova dhe botova librin “Legjenda Majaci” Isha në Fier atje ku Majaci u bë legjendë dhe u respektua në mënyrë të jashtëzakonshme . Me këtë rast në ditëlindjen e tij po sjell këtu një nga fragmenet e librit dhe një poezi për Majacin . Nderime familjes dhe miqve të tij
Namik Selmani 
Shkrimtar
Boston , 14 mars 2018

Kur mbyll fletët e një libri, ndien një farë qetësie brenda vetes, pas asaj furtune mbresash, emocionesh. Pikërisht, atëherë kur ti mendon se e ke mbaruar detyrën ndaj vetes, ndaj atyre që ke shkruar në të, ndaj atyre që të kanë ndihmuar bujarisht, kanë harxhuar kaq kohë nga koha e tyre e shtrenjtë, të vjen një det tjetër pengjesh. Pak dhimbje për fjalën e pathënë. Një lloj ngazëllimi të brendshëm se ke lënë ca gjurmë për atë që ke patur në mendje e ia ke dhënë mollëzave të gishtërinjve. Natës që të trishton e që ikën ngadalë mes mistereve. Ia jep agimit që vjen duke të parë në një tastierë ballëmenduar. Të atij vrapi që ti bën drejt njerëzve që ta njohin kryepersonazhin tënd. Drejt arkivave të heshtura që të lexosh gjuhën e padukshme që ka lënë paskujtesa për të. Të shkosh te faqet e zverdhura të gazetave. Por jo, ky libër nuk është i tillë e as që do të jetë në kohëra kështu, edhe kur të mos kemi më fuqi të shkruajmë më apo dhe kur të lëmë pas kujtimin e një ikjeje kaq të butë. Të paktën kështu e përjetova unë.

Libri “Legjenda Majaci” më ka emocionuar shumë. Shumë. Një libër jete që më vuri në provën e fjalës së mençur. Që më bëri të harroj dekadat me shkronja, me fëshfëritje fletësh. Së pari me emocionoi me vetë Majacin që më shfaqej ashtu i bukur, fisnik, i saktë në atë që e bënte me kaq ndershmëri dhe aftësi. I dashuruar magjishëm me një top, me një fanellë, me një qytet si Fieri. Miqësor. I komunikueshëm. Familjar i mirë. Një baba i devotshëm. Madje duhet të them sot një të vërtetë paksa të veçantë. Kur duhet të hidhja në bllok emrin e atij që doja ta pyesja për të, shënoja pa dashje emrin e Kujtim Majacit dhe nuk ia tregoja bashkëbiseduesit, por e rregulloja më vonë.
Kë të falenderoj më parë? Janë shumë. Të gjithë shtangnin qofshin në Fier apo jasht tij kur kërkoja. Nuk ishte shpesh nevoja që të shkruaja se ishin goditëse mbresat. Dikush nuk e dinte se ishte ndarë nga jeta. Po e nis nga Nysret Avdullajin. Një çam i mirë sa dhe myzeqar i mirë apo dhe kosovar i mirë. Që di se ku shkon mirësia kur është fjala për mikun e tij, Kujtimin, që e la me kaq shumë pengje. Që u rritën bashkë. Që gëzuan bashkë. Që ëndërruan bashkë Njëri me origjinë çame e tjetri me origjinë nga Kosova. Që i bashkoi Fieri i butë me pak aromë nafte. Fieri i madh, Fieri i këngës, i teatrit, Fieri i pragjeve ku gjithmonë do të gjeje lule mirësie për këta dy djem të mrekullueshëm.

Dhe duket se është pak më i qetë me këtë libër Nysreti. Uroj që ta kem qetësuar sadopak atë zemër të madhe që vetëm pak vite më parë bëri një tjetër gjest nga më të bukurit. Një gjest që sot nuk e gjen në asnjë cep të Shqipërisë, edhe pse kudo është luajtur futboll. Edhe pse kudo ka njerëz të zot, me para, por dhe të mirë. U bë nismëtar që në një shesh të ngrihej monumenti i Kujtim Majacit. Kësaj radhe unë krah tij po bëjmë një Monument me shkronja. Pak modest përballë asaj mirënjoheje popullore për Kujtim Majacin në Fier. Po dhe për Iljaz Haxhinë asnjë fjalë e mirë nuk duhet kursyer. Të falenderoja një arkiv më vete ose një enciklopedi që lëviz si Maksim Tegu. Më shumë se të gjithë të falenderoja familjen Majaci, para së cilës besoj se do të jem i qetë për detyën e bukur dhe të vështirë që mora.

E di që nuk vjen më me atë gaz të brendshëm Kujtimi i tyre, por edhe kështu ata do ta takojnë edhe në rrugë, edhe në kafe, se tashmë kanë dhe një relike tjetër kujtese plotësisht të merituar. Mbase të tjerë mund që të ngrejnë të tjera shkallë mirënjohjeje për këtë njeri të rrallë që nuk e kemi më pranë nesh. Se askurrë nuk mbaron kufiri i saj! Asnjëherë. Në asnjë brez. Madje dihet se brezat e legjendarizojnë shpesh figurën e një individi që ka qenë mes tyre. Aq sa kemi krijuar mendimin se duhet të vdesësh për të të respektuar më shumë. Kujtim Majaci u bë legjendë që në gjallje të tij. U bë idhull. U bë model. U bë mik i të gjithë vatrave fierake. Të gjithë dekoratat shkërmoqeshin para madhështisë së tij. Bronxi e shkronja. Kënga dhe mermeri. Ooo, nuk ka rëndësi shpesh herë emri i një autori që vihet në ballinë e në pasballinë. As fotoja e tij. As veprat e shkruara prej tij që nuk mund të numërohen lehtë. Jo, nuk kanë rëndësi. Fitorja e misionit të tij është te kujtesa që ai mbjell për ata që e njohën e për ata që edhe mund të mos e besojnë legjendën në sinorët e bukurisë që ka ajo, të madhështisë, të një mesazhi që shkon në breza. Vetëm Majacë të tillë mund të të futin në këto sinorë në këtë sprovë shkronjore dhe profesionale. Se ai kurrë nuk e pa jetën, topin, detyrën me sytë e të zakonshmes, por vetëm me majën e malit që e kishte prekur vetë dhe për të mund të flasë saktë vetëm mali dhe parajsa e lulëzuar me lule nderimi.

Drita e kujtesës

Homazh poetik për Mjeshtrin e Madh Kujtim Majaci

Do ta bëj për ty një Vjosë të dytë me lotë dhimbjeje.
Për heshtjen e viteve që na ka mpirë gjymtyrën.
Retë e shpirtit si mjegull do i dëboj në atë hap hyjnie.
E do të hesht kokëulur, e do të mbuloj dhimbshëm fytyrën.

Do të bëj një hidrocentral të madh me lotë gëzimi.
Kur ti mes kafshatës së munguar na sillje dritën.
Me emrin tënd do t’i jap barit freski dhe aromë ngazëllimi.
Me ëndrrën tënde të re do ta presim përherë ditën.

Ditët e kalendarit do i lë të tëra të kalben, të myken.
Me baltën e mbetur në këpucën tënde do ngre pallate.
Veç gjerdanët e kujtesës nuk do i lë të ndryshken.
Në ditët me trishtim të më risjellin fllade në male.

Diku, në brigje malli do të ngrej një Seman të ri.
Me këngë gatuar, me thirrje dhe ofshama mungese.
Do u kërkojmë qiejve diellin që na dhurove ti.
Me flatra Kujtimi do të bëjmë bedena të përjetshme.

Do të bëj një Gjanicë të dytë me krenari duatrokitje.
Na dhe një botë me atë top ku fliste magjia.
Në agimin e kaltër ti ishe e para rreze drite.
Në thirrjen e viteve engjëllo sërish, o Kujtim Bukuria!

Kur të thahet toka e kur të ngrijnë shkëmbinjtë.
Do të gjejmë në Myzeqe një lule të vetme e një fije bari.
Nga livadhet parajsore të na rivish si mik përsëri.
Nga qerpiku lotin e gëzimit të na zgjosh si krua mali.

Këtu do të sjell Kosovën martire dhe Çamërinë jetime.
Me trishtim mungese, mes shokëve do të radhitem.
Me shtatlistin tënd do këpus zinxhirë të rinj ligësie.
Në pritje të kurorës të përjetshme me dritë shenjtërie.

Tiranë-Fier 2.2.2017

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.