NË EMËR TË JETËS

0
Nga: Zana Tako
Njeriu do lëngojë gjatë nga paudhësitë e tij, e kjo lëngatë është shterpësia e mendimit, mungesa e dëshirës, mosmbajtja e fjalës, shfrenimi i qejfeve të vesit shpirtëror, thyerja e rregullave të boshtit shpirtëror, mefshtësia ndaj dijes, të cilat janë pjesë e atij mëkati, i cili e ka larguar nga ajo dashuri që u sakrifikua për njeriun në vetmohim.
Në emër të jetës, njerëzimi duhet të ngrihet mbi mëkatin shpirtëror dhe atij fizik, i cili po e lufton njeriun deri në shpërbërjen e tij.
Të mos quhesh motër e vëlla, të mos quhesh nënë e babë, të mos kesh identitet gjinor në ngjizje natyrale, të mos sakrifikosh për dashurinë, të ushqesh indiferentizmin, të tjetërsosh ndjenjën e mëmësisë dhe të dashurisë, të mos kesh mendim intelektual, por të jetosh si qenie me shpirt laboratori, do të thotë se i je nënshtruar asaj të keqeje, e cila luftën e saj e ka të përqëndruar tek Krijuesi i njerëzimit, duke shfarosur dhe tjetërsuar lindjen, zhvillimin, strukturën, formimin e çdo qelize dhe embrioni me tharmin e dashurisë, e cila është jetë dhe frymë për çdo qenie që formon dhe emërton jetë në krijim.
Në emër të jetës, njeriu duhet të kuptojë se lufta mes së mirës dhe së keqes ka kohë që po zhvillohet. Ne emër të jetës, njeriu duhet të kuptojë se kjo luftë po i afrohet fundit të saj, dhe po në emër të jetës, kjo luftë do të zhvillohet në shesh të hapur, ku njeriu do të jetë dëshmitar duke e jetuar në dhimbje këtë luftë, nga ku e keqja do të shpërbehet, dhe e mira do të shpallet fitimtare e betejës në emër të jetës.
E keqja e ka stolisur gjoja “të mirën” e njerëzimit me lloj-lloj lulkash dhe dekoresh, ku shëmbëllen gjoja “liria” e njeriut. Kjo lloj “lirie” është fundi i honit të skëterrës, ku e keqja ka përgatitur gostinë për të varrosurit për së gjalli në errësirën e vdekjes. Të lumët ata që kanë sy për të parë e veshë për të dëgjuar. Të lumët ata që lirinë e quajnë liri dhe dashurinë dashuri. Mjerë për ata faqezinj që e ndëshkuan dashurinë me turpin e shpirtit të tyre të përdalë. Mjerë për ata skribë e farisenj borgjezë të kohërave moderne, që petkun e Krishtit e ndanë në shumë copa duke e përdorur për lavdi të vetvetes. Mjerë për ata mësues ligji që sofrën e dijes e shndërruan në lavdi të vetvetes. I lanë skmanorët jashtë dyerve të tempullit, i fshinë këmbët e përlyera në zdërhallje me lotët e atyre që u dënuan gjoja në emër të ligjit të Zotit. Zoti i tyre u bë skllav i dëshirave personale. Ky Zot u përdor si ndëshkim për ata që guxuan duke shpallur të vërtetën mbi të përdalë dhe tradhtarë shpirtërorë. E vërteta e tyre u përdor si shpatë ku priteshin koka skllevërish-dele, të cilët u hodhën jashtë dyerve ku banonin shërbëtorë-zotër të vetvetes. Kjo gjëmë u fsheh nga sytë e njeriut, por nuk fshihet nga sytë e Zotit Krijues, i cili në malin e provës së mundimeve, vuri të zgjedhurit për të merituar Hirin e së vërtetës, atë të Shpalljes së fitores mbi dragoin e gënjeshtrave të kohërave moderne.
Kjo luftë është në pikun e saj. Në emër të jetës zgjohen shpirtra të përgjumur. Në emër të jetës njeriu dallon zërin që e thërret në errësirë. Në emër të jetës njeriu rrëmben armën e betejës ku fitohet nën udhëheqjen e dashurisë, e nuk humbet nën këmbët e tradhtisë. Ata që e kanë shitur shpirtin për pesë pare flori tek armiku i njerëzimit, do e shohin dritën me shkëlqimin e saj, por vaj për të burgosurit që e mohuan lirinë në vullnet të lirë, vaj edhe për ata udhëheqës që e drejtuan grigjën në humnerat e vdekjes.
Zoti do luftojë edhe për një dele të vetme për të mos e humbur në luftën e fundit të kohërave. Lum ajo dele që e gjen shpëtimin nga duart e dashurisë, e mjerë ata që e mohojnë shpëtimin në emër të tradhtisë.
Në emër të jetës rritet çdo filiz shpirtëror, për të shpërthyer sythe plot jetë dhe dritë, nën rrezet e shkëlqimit të dashurisë. Amen!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.