Kreu i shkrimtarve Shkodran Zija Vukaj në një postim në rrjetet sociale Shkruan:Sot u nda nga jeta një nga përfaqësuesit më të denjë të letërsisë shqiptare, dramaturgu, poeti, romancieri dhe tregimtari Fadil Kraja. Jeta e këtij artisti të madh të artit të fjalës ishte një vazhdë e ndritur në kulturën tonë kombëtare dhe vepra e tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona shpirtërore. Ai e filloi rrugën e vet të krijimit si poet, për ta vazhduar si autor tregimesh e romanesh dhe për t’u kurorëzuar si një nga ikonat e dramaturgjisë shqiptare, duke u bërë një nga patriarkët e kësaj gjinie në letërsinë e kombit tonë. Vepra e tij frymëzoi breza të tërë njerëzish, shkrimtarësh e artistësh. Skenat e teatrove shqiptarë qenë dëshmitare të emocioneve, ndjenjave dhe ideve që buruan nga opusi dramatik i këtij autori me vlera të larta estetike dhe frymë të thellë kombëtare. Me kohë Fadil Kraja u bë një nga artistët më popullorë e të dashur për lexuesin dhe publikun shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të atdheut, deri në diasporën e largët. Ikja e figurave të tilla krijon një dhimbje të natyrshme për të gjithë ata që njohën personin, veprën dhe kontributin e tij. Veprimtaria e tij krijuese shtrihet në të gjitha gjinitë, zhanret dhe llojet letrare. Kështu kemi
Vëllimet poetike:
“Kënga ime”
“Melodi malësore”
“Jehona malesh”
Vëllimet me tregime
“Kandidatja e fundit”
“Ndodhitë e Nereidës”
“Fajin e kishte Besa”
Romanet
“Britma e një gruaje”
“Pengu i diellit”
“Balada e nënës”
Drama
Ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden:
“Fisheku në pajë”, i cili vetem ne Shkodër u shfaq rreth 500 herë
“Sinjalet e natës”
“Shpartallimi”
“Baca i Gjetajve”
“Gjaku i Arbërit”
“Djem të mbarë”
“Çështja e Blertës”
“Flamur në dasëm”
“Rozafa”
“Kur flasin zemrat”
“Luani i shtëpisë”
“Çështje familjare”
“Njerëz të ditëve tona”
“Mos më shkim hisen e diellit”
“Jorgani”
“Ditari i një mësuesi”
“Dopio gjashta”,
“Dy jetë”
“Midis dy dhimbjeve”
“Surpriza”
“Martesë me internet”
“Nata e fundit”,
Fadil Kraja ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me trupën virtuoze të aktorëve të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, sidomos me Serafin Fankon regjisori i suksesshëm i “Fisheku në pajë”, me të cilin e bashkoi puna, gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe sukseset e skenës. Veprat e tij janë luajtur nga aktorë të mrekullueshëm të skenës së teatrit të Shkodrës si Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, çifti Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjioze të Prishtinës
Fadil Kraja është fitues i dhjetëra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.
Ai është Laureat i Çmimit të Republikës.
Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me Urdhrin e Kalorësit të Flamurit.
Në emrin tim dhe në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër u shpreh familjarëve dhe të afërmve të tij ngushëllime të sinqerta.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!
Edhe redaksia e revistës “Fjala” u shpreh ngushllimet më të sinqerta familjes , dhe të afermëve të shkrimtarit Fadil Kraja, për këtë ndarje nga jeta. Fadil Kraja ishte dhe mbetët një profesor , mik dhe pa diskutimin më të vogel njeriu zëmërëmirë, fjalëëmbël, dhe këshilluesi i ëerhershëm i “Fjalës”.Miërëhje vepres së tij. I përjtshëm kujtimi i tij!