Xhevahir Broja:Armandi është borxhli ndaj tifozëve, ndaj shqiptarëve që e kanë mbështetur moralisht për gjatë gjithë kësaj kohe.

0

Nga Retin TOKA

Shumë zhurmë, shumë fjalë, shumë thashetheme e shumë të pathëna. Armando Broja tashmë përbën lajm sa herë e kudo përmendet. Talentët i kemi pasur të rrallë në Kombëtare, për të mos thënë se deri tani cilësitë e atij djaloshi malësor s’kishim pasur luksin t’i shihnim te asnjë futbollist. Ndeshja e Shqipërisë kundër Anglisë nxorri në pah atë kishte nisur të gatuhej prej muajit gusht. Veç rezultatit që ishte më pak i turpshëm se loja në fushë, përplasja e trajnerit Reja me Armando Brojën doli krejt zbuluar. 77-vjeçari ka eksperiencë mbi supe dhe si dhelpër dinake e di fare mirë që nuk zbatohen urdhërat e tij, kritikat vërshojnë mbi lojtarët.Gjithë e dijnë mirë se stolin e kanë pranuar lojtarë të mëdhenj si dhe Leo Messi apo në kohën e Lippit te Juventusi, Bobo Vieri në kulmin e karrierës e pa veten në tribunë. Megjithatë në situatën e Brojës gjithçka është ndryshe. Ka shumë prapaskena, ka shumë kurdisje e deri në vendimin për të mos e përfshirë as në 18-she. Përgjatë këtyre ditëve është munduar të hidhet “baltë” mbi 20-vjeçarin duke e cilësuar si të pabindur. Por, asgjë nuk është e vërtetë veçse fjalëve të Rudi Vatës për emisionin e Gerti Çarçanit ku tregoi arsyen e krisjes mes italianit dhe sulmuesi shqiptar. Edhe pse asnjë s’e ka marrë të mirëqenë, duke qenë se ish lojtari i Kombëtares bën gjithmonë oponencë kundër FSHF-së, këtë herë ka pasur të drejtë.Unë zgjodha të shkruaj menjëherë pas ndeshjes me Anglinë sepse jo më kot thonë që “Gjella hahet sa është e ngrohtë”. Në çdo panel sportiv është theksuar se mjekët e Southampton-it kanë dhënë “OK” për lojtarin e tyre. Mirëpo e vërteta është se kanë qenë mjekët e Chelsea-it ata që e ekzaminuan dhe nuk pranuan që shtatlarti të vinte në grumbullim me kuqezinjtë. Në asnjë moment, stafi i Southampton s’është përfshirë në këtë situatë. Mjekët e londinezëve janë shprehur: “Sulmuesi ynë është gati për të luajtur kundër Anglisë. Por, një udhëtim i tij drejt Shqipërisë dhe rikthim brenda 2-ditësh e bën fizikisht të pamundur diçka të tillë. Lojtari është këtu me ne. Ejani shiheni. Është gati për të dhënë kontributin e tij. 10 orë udhëtim janë shumë për të”, kanë qenë këto fjalët drejtuar stafit të kombëtares shqiptare.Por, çfarë ndodhi në muajin gusht? Njerëz të afërt të trajnerit Edi Reja telefonojnë 20-vjeçarin duke i kërkuar që të transferohet te Udinese në Itali. Refuzimi i tij ishte në mënyrë kategorike. Në grumbullimet e muajit gusht, para miqësoreve, tekniku italian ka kërkuar takim me Armando Brojën. Gjatë kohës që qëndrimit në hotel, ai ka marrë në një dhomë 20-vjeçarin për ta bindur që të transferohet në Udine. Mirëpo përgjigja e sulmuesit ka qenë e prerë: “Ju jeni trajner i Kombëtares, unë jam lojtar i saj. Ju bëni punën tuaj këtu, unë do të bëj timen nëse do të më jepni mundësinë”. Ofertat kanë qenë të shumta dhe mjaft bindëse, mirëpo klubi i Chelsea-it ka zgjedhur t’i bëjë kontratë 5-vjeçare dhe ta huazojë.Pas ndeshjeve miqësore, Kombëtarja jonë do të luante ndeshjet zyrtare në kuadër të eleminatoreve të Botërorit “Qatar 2022”. Me rëndësi të madhe ishin sfidat kundër Polonisë dhe Hungarisë, pasi me San Marinon në letër ishte e lehtë. Armando Broja po priste një sinjal nga trajneri italian për të qenë në formacion. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. Ai uli kokën dhe duke “brejtur veten me dhëmbë” vijoi punën për të dhënë maksimumin. Familja si suporti i tij i vetëm e motivonte që të mos dorëzohej. Është vetëm 20-vjeç dhe një fjalë sado e vogël, sigurisht ndikon në karakterin e atij talenti. Ai është lindur dhe rritur në Angli, aty ku zgjedhjet janë të lira dhe jeta private mbetet e tillë pavarësisht çdo rrethane.Një prapaskenë tjetër e thënë në rrethin e ngushtë miqësor është se Armando Broja, ka qenë shumë i mërzitur para ndeshjes me Hungarinë. Mirëpo sulmuesi shqiptar ishte ai që çoi në delir dhe na bëri të besojmë te kualifikimi pas golit të shënuar në Elbasan Arena. Megjithatë edhe kjo për Rejën siç duket nuk mjaftoi. Ai priti që të vinin ndeshjet e tetorit si për t’i treguar se po gabonte, edhe pse të ardhmen dukshëm e ka të shkruar me të arta. Në Hungari, Broja s’ishte projektuar nga stafi teknik për të qenë në formacion asnjë minutë, as dhe në fundin e ndeshjes. Mirëpo dëmtimi i sulmuesve kryesorë bëri që të kishte sërish disa minuta për Brojën. Edhe këtë herë malësori në simbiozë me golin, i tregoi 77-vjeçarit se sa e vështirë ishte t’i zbehje talentin në këmbët e tij. Pas Hungarisë, ishte radha e Polonisë. Ndaj polakëve luhej për “jetë a vdekje”.Ndaj skuadrës së Lewandowskit, trajneri Edi Reja e kishte projektuar si titullar, çuditërisht për të parën herë. Madje në analizën e bërë para sfidës, kishte treguar futbollistët që do të zbrisnin në fushë. Brojës i bënin këmbët xixa, e dinte se do të shënonte. Por gjithçka u përmbys gjatë rrugës për Tiranë. Kombëtarja po udhëtonte nga kompleksi “Tropikal” në Durrës drejt stadiumit “Air Albania”. Gjatë rrugës, trajneri Edi Reja kishte pasur një komunikim me Brojën duke i thënë se nuk do të luante titullar. Në atë moment bota për 20-vjeçarin u shemb. Mësohet se ka bërë një telefonatë me familjen e tij dhe është bindur nga ata që të jetë aty në pankinë, mos të ulë kokën dhe të besojë te vetja. E ashtu bëri. Pas kësaj ndeshje, marrëdhëniet me trajnerin Edi Reja u krisën totalisht.Në nëntor do të vinin dy ndeshjet e radhës për t’i vënë kapakun këtyre eleminatoreve. Për Brojën kishte shkuar ftesa e zakonshme nga FSHF-ja në mënyrë institucionale drejtuar klubit. Një dëmtim i papritur në kavilje bëri që lojtari mos të udhëtonte në grumbullim. Komunikimet me stafin e Kombëtares kanë qenë sistematike, mirëpo hijet e dyshimet nga ana e tyre kanë qenë të mëdha. Një burim i afërt më ka treguar se Hamdi Salihit i është prerë bileta për në Angli, i është siguruar udhëtimi nga Broja, në Southampton për të parë nga afër djaloshin. Mirëpo, mësohet se ai ka qenë vetëm në stadium, ka parë një ndeshje dhe është larguar pa takuar asnjë. Familjarët kanë kërkuar shpjegim, por nuk ka pasur asnjë përgjigje. Zhgënjimi ka qenë i madh për Armandon, por familja e tij ka këmbëngulur sërish që t’i bashkohej përfaqësueses në grumbullim në Angli. Dhe ashtu ndodhi…Para ndeshjeve të nëntorit, sërish është tentuar nga njerëz pranë Rejës që në merkaton e janarit, lojtari të transferohej te Udinese. Kontrata 1-vjeçare e huazimit e bën “de juro” të pamundur një gjë të tillë, por sipas tyre kishte mënyra manovrimi. Për të kaluar sërish në ditën e ndeshjes, Broja nuk kishte informacion për lojtarët e përfshirë në 18-she. Ai ishte ndër të parët që shkeli stadiumin e “Wembley”-it me shpresën se do të kishte disa minuta në këmbët e tij, edhe pse jo në formën më të mirë për shkak të dëmtimit. Por, para fillimit të sfidës mësoi se duhej të ishte në tribunë. Vendimin e trajnerit ia komunikon të atit, i cili zgjedh të largohet menjëherë nga stadiumi, por duke e udhëzuar që ai të qëndronte aty për shokët e vet. Mes mërzisë dhe zhgënjimit, Armando nuk pranon ta shohë nga afër dhe largohet. Shumë shpejt do të vinte ndeshja me Andorën dhe kësisoj ai duhej të udhëtonte me ekipin në Shqipëri. Ishte gati për të sakrifikuar ndaj Anglisë, duke luajtur dhe si i dëmtuar sepse ishte ëndrra e tij që të luante me fanelën kuqezi përballë vendit ku u rrit. Por, ndaj Andorës u vendos të mos vinte në mënyrë që të rikuperohej plotësisht. Ndaj klubi i Southampton-it doli në deklaratë për shtyp duke treguar se lojtari i tyre s’kishte udhëtuar me Kombëtaren për shkaqe shëndetësore.Broja ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë gati për kombëtaren shqiptare. Mesazhi i tij para sfidës me Andorën do të thotë shumë: “Për flamurin, shokët dhe tifozët kuqezi gjithmonë i gatshëm”. Sigurisht kjo ishte nënkuptuar. Krisja është e dukshme, aq sa që tashmë mund të thyhet tërësisht. Ai është rritur në ambient profesionist, ka lindur atje ku secili sheh punën e vet dhe zgjedhjet janë personale. Askush për asgjë s’mund të influencojë në vendimarrje të rëndësishme. Madje as trajneri Edi Reja. Kjo është një çështje sensitive që duhet trajtuar me kujdes të madh. E për të qenë brenda kuadrit të vërtetësisë, kontaktova drejtëpërdrejtë me babain e tij, Xhevahirin.Çfarë deklaroi babai i Armando Brojës, Xhevahiri:
“Nuk më ka pëlqyer të flas asnjëherë për mediat. Kam dëgjuar shumë të pavërteta për djalin tim në këto kohë. Dua të veçoj që editoriali yt te Newsport.al pas ndeshjes me Anglinë dhe fjalët e Rudi Vatës mbrëmë në emision më kanë pëlqyer. Unë dua t’i bëj thirrje të gjithëve që të mos e rëndojmë Armandon me të pavërteta sepse është vetëm 20-vjeç dhe talentin s’ia heqim dot. Ai ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i gatshëm për flamurin kuqezi. Është borxhli ndaj tifozëve, ndaj shqiptarëve që e kanë mbështetur moralisht për gjatë gjithë kësaj kohe. Të gjithë jemi kalimtarë, Kombëtarja do të mbetet përgjithmonë”, përfundoi shkurtimisht ai.

   

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.