Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare profesor dr. Ahmet Ceni. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të profesorit Ceni, e ka bërë me dije profesori Fatmir Memaj.“U prehsh në paqe miku im, profesori i vlerave, njeriu i mirë Prof. Ahmet Ceni Fjalët janë të tepërta. Jetojmë në një botë mizore…” shkruan Memaj në postim e tij.Ahmet Ceni ka lindur në vitin 1950 në Shkodër. Shkollën tetë vjeçare e përfundoi në Shkodër ndërsa shkollën e mesme në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiro” në Tiranë. Mbas shkollës së mesme kreu shërbimin ushtarak për një periudhë prej dy-vjeçare dhe në vitin 1972 ka filluar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i ka përfunduar sipas programit në vitin 1977.Mbas mbarimit të shkollës nga viti 1997 deri në vitin 1982 ka punuar me detyra të ndryshme funksionale si përgjegjës i degës së financës dhe i planit në ndërmarrje të ndryshme të Shkodrës. Në vitin 1982 dhe deri aktualisht ka punuar kryesisht në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës dhe në vitin 1992 deri 1995 si përgjegjës i departamentit të Menaxhimit.Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ka punuar si Zëvendës Ministër i Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 si zëvendës Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.Nga viti 2005 dhe deri në vitet e fundit të jetës është profesor në departamentin e Menaxhimit.Ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit. Është autor i tre teksteve mësimore që zhvillohen në nivelin Bachelor dhe Master si dhe autor i leksioneve të ciklit të tretë në lëndët ‘Menaxhimi shpërblimit dhe i performancës”.Autor i disa monografive nga të cilat mund të përmendim “Shqipëria nga Plani në treg”, “Drejtimi dhe Informacioni”, “Analiza e normave dhe normimi i punës drejtuese”, etj.Është drejtues i mbi 15 doktoratave dhe punimeve të tjera shkencore.