NDEJA PAS DARKE

0
597

Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI
(Mjeshtër i Madh)

Në Malësi të Madhe, si kudo tjetër nëpër fshatrat e Shqipërisë, netët e gjata të dimrit, pa dritë elektrike, sillnin vetminë e kullave, sado që familjet ishin patriarkale..Por malësorët shumë heret shpikën “ Ndejën pas darke “ për t’iu kundërvenë vetmisë së netëve dhe për t’i bërë ato sa më të bukura. Këto mbrëmje të këndëshme, ku mblidhej , sipas rastit, një fshat i tërë apo një lagje, kanë vazhduar deri vonë, në gjysmën e dytë
të shekullit njëzet. Edit Durham, që siç duket ka asistuar në një pasdarke të tillë interesante, shkruan : “Pas darkës kënduam këngë tipike shqiptare që janë të pashoqe”.
Sipas terrenit, malësorët e një lagjeje apo të një fshati, pasi hanin darkën në kullat e tyre, grumbulloheshin të gjithë në një shtëpi, në shtëpinë, që kishte rradhën e ‘zjarrit të pasdarkës”. Vetë ky emër tregon se malësori, në shtëpinë e të cilit shkonin të gjithë, nuk shpenzonte asgjë tjetër pëveç zjarrit. Natën e “zjarrit të pasdarkës” kullat e kishin me rradhë. Sonte të gjithë këtu, nesër të gjithë atje dhe kështu harroheshin disi hallet e dimrat bëheshin “më të shkurtër” se ishin. Përgatitjet për natën e “zjarrit të pasdarkës” fillonin që në mëngjes. Gratë pastronin me kujdes çdo gjë dhe veçanërisht lëkurat e kafshëve, në të cilat do të uleshin burrat. Ata vinin radhë rradhë. Në krye pleqët, pas tyre burrat e në fund të rinjtë.Rrinin të gjthë rrotull zjarrit të madh, i cili u përflakte fytyrat dhe shkëmbenin kutitë e duhanit. Biseda fillonte e shtruar dhe kurrë dy net njësoj. Është ky një fakt, që flet qartë për pasurinë shpirtërore të malësorit. Bisedohej për çeshtje të ndryshme, sidomos për ato, që ishin shqetësuese për të gjithë. Por ato, që zinin më shumë vend në këto biseda, me të cilat hapej mbrëmja, ishin historitë e ndryshme dhe luftrat. Vërtetë “ ndeja pasdarke ” kishte qëllim argëtimi, por malësorët asgjë nuk i argëtonte më tepër se historitë e treguara. Prandaj tregimet për betejat dhe trimëritë e të parëve, ishin detaje të rëndësishme të mbrëmjes Trgimtarët e vjetër ishin analfabetë, por çuditërisht të gjitha kallzimet e tyre ishin të rrjedhshme e me figuracion shpesh befesues. Ata tregonin shkurt, aq shkurt, sa çdo shkrimtar proliks do t’ua kishte lakmi. Historitë e treguara i përshkonin optimizmi dhe besimi i madh në forcën e armëve të bashkuara.. Po të ndiqje një dimër të tërë “ndejën pas darke “ të një fshati, mund të mblidhje dhjetra subjekte novelash, romanesh e dramash. Dhe këto subjekte i tregonin vetë personazhet me gojën e tyre, pa teprime e zbukurime, ashtu siç kishin ndodhur.
Kur fillonte lahuta, të gjithë rrinin në heshtje të plotë dhe jetonin çaste epike, që nga largësitë e shekujve i sillnin këngët. Jashtë mund të binte borë apo të tërbohej stuhia, por lahuta i bënte të harronin çdo gjë e të jetonin vetëm me heroizmin. Ndoshta është edhe epizmi i këngëve`, që çoi në përsëritjën e heroizmave të ngjashme në kohë e luftra të ndryshme. Prej kohe këndohej kënga e Mic Sokolit, që i vuri gjoksin topit osman, por heroizmin e tij e përsërit Nikë Pretashi i Grudës me 1911. Ai hidhet mbi muret e Kalasë së Shipshanikut dhe i kap për gryke pushkën ushtarit turk. ).
“ Ndeja pas darke” nuk kalonte vetëm me tregime dhe këngë. Aty shpërthenin gjë e gjëzat popullore, humori i hollë dhe i këndshëm. Për ngjarjet komike që ndodhnin në fshat ngriheshin këngë satirike nga malësorë të talentuar. Në këto mbrëmje ato recitoheshin pasi kishin kaluar gojë më gojë. Një farë Gjelosh Tome flinte në kasolle së bashku me dhitë. Natën vonë,, kur e kishte marrë gjumi pranë zjarrit, kasollën e përfshijnë flakët. Digjen dhi e keca, por ai vetë shpëton. Dikush i ngriti këngën. Me që ishte koha e pushtimit italian, për të shtuar peshën e humorit, futen në vargje edhe Roma dhe udhëheqësi fashist. Kënga thotë:

T’ejtën n’mbramje ra kumona
Dritë e madhe n’male tona,
Ka marrë vesh Duçja dhe Rroma
Se dogj kësollën Gjelosh Toma.
Ka çue Zoti për me e vra
N’kozhun dhijet s’e ka pa,
Këcen edh e këcen dhi
Kësolla nxirrte tim të zi ).

Kur gratë malësore nisën të bëjnë flokët në elektrik, të lyjnë fytyrën dhe të heqin vetullat, satira popullore i ndoqi pas me një farë skepticizmi. Në krijime të tilla dukej qartë se e reja që lind nuk pranohet lehtë pa rezerva. Në netët e “ndejes pas darke” argëtoheshin edhe me krijime të tilla, të cilat venin në shpoti tualetin e tepruar të grave, që deri atëherë s’ishte parë në Malësi. Ja njera nga këto këngë që unë e kam dëgjuar në një “ndeje pas darke” në fshatin Goraj të Kastrarit:

Moj lulë bukur, moj lulë pjeshkë,
Çka t’kanë flokët që t’rrinë përpjetë?
I shtie n’elektrik dy herë në vjetë.
Çka t’ka ftyra që po shëndritë?
Hiq e ven bakam për ditë
Çka t’kanë vetullat , t’janë hollue?
Rri me piskrra tu i piskrrue.
Nder gjithë shoqet jam e dukun,
Jam e mirë e jam e bukur,
Jam e bukur jam për nam,
Jam për beg e jam për agë,
Jam për shokë e për mahallë ).

Poezia satirike, që në netët e “zjarrit të pasdarkës”, shkaktonte të qeshura ishte edhe ajo e zënkës midis dy vëllezërve në mal, ndërsa digjnin qymyr. Ata ishin zënë me fjalë dhe vëllai i madh i kishte rënë me bisht të qeserit vëllait më të vogël. Ky i fundit kishte ikur nëpër pyllin e dendur dhe s’ishte dukur në fshat për disa ditë. Bashkë me ta ishin edhe bashkëfshatarë të tjerë, që digjnin furrat e tyre në malin “Stol” të Kastratit. Poeti popullor, për këtë episod komik, kishte ngritur këngën ku mes tjerash thuhej:

Se ky Doda asht i keq,
Asht i keq e ban përmerë,
Pse me i ra Rrokut qeser?
I bjen qeser e true nafakën,
Atëherë Rroku ka kapë spatën,
Ka kapë spatën e sekicën,
Majes t’Stolit ka marrë iken,
Ka marrë iken për me tretë
Këtij Kolë Gjonit po na i thrret
M’ia u ço Gere i amanet
Se nuk shihna n’këtë jetë,,
Veç n’u pashim në ahiret
O n’Xhehnem, o në Xhehnet ).

Këto vjersha satirike, pamvarësisht nga fshati ku krijoheshin, përhapeshin nëpër Malësi dhe bëheshin argëtuese gjithandej në netët e
“ ndejes pas darke”.
Mbrëmja hynte në një fazë të rëndësishme kur burrat fillonin të luanin kapuça. Heret kjo lojë është luajtur me dhjetë kësula (qeleshe), nën të cilat është fshehur një unazë, prandaj për shumë kohë është quajtur edhe ”loja e unazës”. Më vonë qeleshet filluan të zevendësohen me shami të mbështjella kulaç dhe në vend të unazës u bë një kokërr prej plumbi të shkrirë. . Për të luajtur kapuça lojtarët ndaheshin në dy grupe, zakonisht me nga gjashtë vetë, por edhe më shumë. Ndarja nuk bëhej dosido, por me short. Dy burra, që do të kryesonin grupet, hidhnin short dhe kush e fitonte kishte të drejtën të zgjidhte i pari. Po qe se në fshat atë natë ndodhej ndonjë mik, zakonisht i pari zgjidhej ky dhe zgjedhja vazhdonte derisa plotësoheshin grupet. Ai grup, që kishte fituar shortin, kishte të drejtë të fshihte kokrrën i pari, ndërsa brenda grupit kokrrën e merrinin për ta fshehur me radhë. Po qe se grupi kundërshtar e gjente kokrrën te kapuçi i parë, që ngrinte, thuhej se e mori test dhe fitonte 10 pikë. Dhjetë pikë merrte grupi kundërshtar edhe po ta gjente kokrrën tek e dyta.. Në të dyja rastet, përveç pikëve, fitonte edhe të drejtën e fshehjes. Nëqoftëse në dy kapuçat e parat, nuk ka dalë kokrra, lojtari, që çon kapuçat fillon me i la që do të thotë me ngritë ata kapuça, të cilë,t sipas tij, ishte e sigurt se nuk e kishin kokrrën. Por po i doli te e treta, grupi, që ka fshehur, merr 10 pikë dhe vazhdon lojën.. Dhe kështu me radhë, po e gjeti padashur kokrrën te e katërta grupi që ka lojën fiton 8 pikë, te e pesta-7 pikë dhe te e katërta -6 pikë. Në të tëra këto raste grupi që ka fshehur vazhdon lojën. Kur mbeteshin vetëm tre kapuça të pa zbuluara, zakonisht ai, që kishte fshehur, në shenjë kalorësije, e hiqte vetë njerën për t’ia lehtësuar kundërshtarit gjetjen e kokrrës. Kur lojtari, që ngrenë kapuçat, e gjen kokrrën te kapuçi i parafundit merr kokrrën thatë, domethënë merr të drejtën për të fshehur, por nuk fiton asnjë pikë. Po të mbetej kokrra në kapuçin e fundit, ai ngrihej për ta parë të gjithë, që të mos dyshohej se kokrra s’është lënë askund. Në këtë rast grupi, që kishte fshehur fitonte 3 pikë dhe të drejtën për të vazhduar lojën. Ka qenë e ndaluar të rrishë mbrapa atij që fsheh kokrrën, sepse mund ta shohësh, se te cili kapuç e hedh. Grupi kundërshtar përpiqej ta gjejente kokrrën edhe duke vërejtur veprimet e atij që fshihte. Mundoheshin të kapnin çdo gjest të tij, e shikonin me kujdes shtërngimin e grushtit dhe dejet e dorës, sa herë e nxirrte nga njeri kapuç për ta futur tek tjetri, ndonse ky moment ishte shumë i shkurtër. Veçanërisht vërehej te cili kapuç i shkonte syri pas fshehjes Kundërshtari kurrë nuk mund ta merrte kokrrën jashtë. Po qe se nga ngutja apo pakujdesia kokrra ishte hedhur në atë pozicion, që dukej pak nga jashtë dhe kundërshtari e merrte test, përveç turpit, përjashtohej edhe nga loja.
Miku, që ndodhet në fshat dhe merr pjesë në lojë respektohet, por kapuçat nuk i falen.. Një plak i vjetër i quajtur Nikë Selmani, lidhur me këtë, ka lënë këtë sentencë: “Mikut japi me hangër e me pi dhe vene në krye të vendit, por kapuça banja, se kur të shkojë në mal të vet lëvdohet” ),
Një lojë kapuçash ka 101 pikë.. Kur dy lojët e para i fiton i njejti grup loja përfundon dhe fillon kënga. Po të fitojë secili grup nga një lojë bëhet loja e tretë..
Loja kapuçave, edhe si lojë, paraqet interes, por veçanërisht interes paraqesin këngët e saj. Në këto këngë satira dhe humori fshatar janë pa fund, shpesh edhe me fjalë banale. Pasi mbaron loja të dy grupet ngrihën në këmbë dhe vihën përballë njeri tjetrit të lidhur krahpërkrah dhe e fillojnë këngën qit e prit, në formë vallje. I pari fillon grupi, që ka fituar lojën.Në një ‘ndeje pas darke“, në Selcë të Këlmendit, lojtarët e kapuçave, pasi mbaroi loja, nisën të këndojnë:

Fituesi: Kur e nisëm t’parën lo
Mirë e pamë se do t’ju këndojmë,
Lojën e parë ja u lamë për hatër
Se me dashtë ja u bajmë gjithë natën.

Humbësi: Nëqoftëse shtrohi prapë me luejtë
Njëqind herë kem me ju mujtë,
Kryet babune ju ma keni
Ju marrtë dreqi gjithë si jeni.

ituesi: Ti filani kryetar
Ma ke hundën sa i samar,
Shyqyr s’të len me hangër bar.

Humbësi: Po ja u kthejmë na shaljanisht
Hanje i mut ju horrjatisht,
Ti filani mustakzi
Futi në bythë se po bjen shi ! )

“Ndeja pas darke” gjatë dimrave praktikohej në çdo fshat të Malësisë së Madhe, që nga ultësira e bregut të liqemit e deri në Vërmosh e në Bogë. Një natë, në vitet psëdhjetë të shekullit të kaluar, në Repisht, burrat që ishin mbledhur për të ndejë pas darke” u shtuan për të luajtur kapuça. Të gjithë ishin vendas, por mes tyre ishin edhe hoxha dhe mësuesi, që të dy nga Shkodra. Në lojë u përfshinë edhe këta të dy , në të njejtin grup. Por grupi i tyre humbi. Atëherë nisi kënga si zakonisht:

Fituesi: Vrik u çue kjo shpija jonë
Me ja u ba si e kem zakon,
Le t’u vijë sa t’don inat
Këto virane i kem zanat.
Humbësi: Për zanat që i keni pasë
Njëqind herë ja u kemi rrasë .
Fituesi: Të tanë malësorë e dy shkodranë,
Kurrkund mut s’po lanë pa ngranë.
Hoxha fyhet dhe niset me ikë nga mbrëmja, por kori i fituesve e ndjekë pas me këngë:
Avash hoxhë mos me u mërzitë,
Se ke tjetrin për mesditë. )
Tej e mbanë Malësisë mund të mblidhje qyfyre nga më befasueset, kur lojtarët e kapuçave shkrinin tërë talentin e tyre për t’i kënduar njeri-tjetrit. Në një mbrëmje në Katund të Kastratit, kur hareja kishte arritur kulmin,
kënga vazhdoi:
Fituesi: Edhe sonte kjoshi falë
Dalshi mendsh e marrshi malë!
Mos na rrini ma te dera!
Delni jashtë se po u vjen era!
Humbësi: Ti filani me gojë hapt
Ruanu gra se u han çarapt,
Sus tashti e hiqu meje
Se ti zhveshë çakçirt prej kreje. )
Asnjë epokë, asnjë pushtim, madje as vetë koha e komunizmit nuk i tronditën këto zakone e shfaqje nga më interesantet. Zagora kishte kohë që ishte bërë kooperativë bujqësore dhe në një “ndeje pas darke“ pas lojës së kapuçave krisi kënga:
Fituesi: Hi,hi, hi e ha, ha, ha,
Del dreq e qit në ta ,
Qit e mos i vra
Bani vezme për syla
Humbësi: Kallauzi n’mallotë t’murrmë
Ja ka ngjye lokja me shurrë,
Ajo e shkreta kjanë prej hallit:
S’mi ka marrë mallota djalit
Fituesi: Si si lashka qeni fjaltë
Me i mut t’madh ja thej dhamballtë
Ky filani i gjatë sa plepi
Boll i mirë për shtyllë qenefi.
Humbësi: Ku e kam pa njat soj hardallit
Nder gabel në krye t’pazarit,
Me dy sy porsi biruca
Me gojë t’hapun porsi këpuca. )
Ditën e pazarit malësorët udhëtonin me kuajt e tyre, në grupe, për në Shkodër. Pasi shisnin e blenin, mbrëmjën e kalonin në hane. Për ata që bënin tregun, “ ndeja pas darke “ spostohej në han. Rreth mangallit, që u ndezte hanxhiu, fillonin edhe aty shakatë e romuzet dhe më në fund edhe loja e kapuçave me këngët e saj. Është bërë proverbiale në Malësi të Madhe një këngë kapuçash, e kënduar një natë dimri në Hanin e Salo Kalit. Duhet të kenë qenë vitet e para të shekullit njëzet. Zakonisht tregun e bënin burrat, por kishte edhe gra burrnesha që e kryenin këtë punë burrash. Madje edhe ato shtroheshin për të luajtur kapuça në han.
Si zakonisht , edhe atë natë u formuan dy grupet kundërshtare për të luajtur kapuça. Në njerin grup bënin pjesë burra nga reçi, nga Lohja, nga Maçovila dhe dy nga Repishti. Në grupin tjetër ishte edhe e vetmja grua, që ndodhej atë natë në han, Lulë Rrapukja. Grupi që kishte vetëm burra e fitoi lojën dhe nisi këngën:
L. R. në kmishë e n’tlina
Çonju n’te o more trima
Ajo, po me këngë, ua kthen:
Reç e Lohe e Maçovilë
Banju bashkë e m’rruani ….
Dy t’repishts ja u dua qefil
Mos me m’lanë kund qime n’…. ).
Këngët satirike dhe goxha banale të kapuçave zakonisht mbylleshin me atë që quhej “gjama e gomarit”, e cila krijonte ilaritet:

Fituesi: Na ka cofë gomari mbramë,
Kujt t’ja japim njerën kambë?
Kallauzit për breshanë…
Humbësi; Merrni ju bisht e gomarit
Me ja vu mustakë kryetarit.
Në këto mbremje të gëzuara këngët e kapuçave improvizoheshin në vend, por ato më të bukurat mbaheshin mend dhe adaptoheshin nga fshati në fshat, siç është “gjama e gomarit”.
Pas një nate të tillë të pasur, të gjithë mernin rrugët e fshatit me pisha të ndezura në duar për të shkuar në shtëpitë e veta. Të nesërmën mbrëma çdo gjë përsëritej, por në një shtëpi tjetër të fshatit dhe kjo vazhdonte gjithë dimrit, deri në pranverë, që zgjatej dita dhe shkurtohej nata.

V.O  Ky shkrim  është  marrë nga muri i autorit

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.