Nga: Zana Tako
….sepse Hiri i tyre nuk është në dorën e njeriut. Falna Zot, nëse gjykojmë të padrejtin, sepse drejtësia e njeriut nuk është zemërbardhë, e dija e njeriut është varkë e çpuar që të fundos në thellësitë e oqeanit.
Mrekulli është kur dëgjojmë cicërimën e zogut mbi një degëz peme, por mrekulli është edhe kur lëvdojmë një punë të mirë. Mrekullia ndodh brenda shpirtit njerëzor, por kur shpirti zbrazet nga vesi dhe mbushet me Hirin e faljes së dashurisë.
Zemërthyerit nuk dinë të falin. Krenarët faljen e kanë si gur shahu për të bërë mat në ditën e interesit. Hipokritët e shesin faljen njëlloj si fajdexhinjtë për të përfituar ndonjë vlerë më shumë, e me të, të zbukurojnë cullufet e ballit në ditë festash ku mungon e vërteta. Dollinë e përdorin për punë ku drejton rrena, lider shpirtëror për të patënzonë, e kështu, historia përsëritet me vite me rradhë, duke lënë pasardhës të “denjë” mëkati bashkëkohor.
Liturgjitë e fjalës përdoren për interesa të ngushta shërbëtorësh kundër lirisë, e cila burgoset në ato vende, ku pronarët shpirtërorë tregojnë se forca e tyre është monopoli në fushën e ndjenjave. Lëmosha që hedhin për të manipuluar drejtësinë, ngop të pamendin që lehtësinë e përdor si kurorë zbukurimi.
Në jetën e përditshme modelet që na serviren janë shembuj ku spikat tragjikomedia, dhe ajo, e madhërishmja mrekulli, dy ura të cilat nuk bashkohen, por qëndrojnë gjithmonë të ndara për të treguar qëndrimin, ndalesën, kapërcimin, vendndodhjen, lehtësinë dhe vështirësinë, dijen dhe besën, dashurinë dhe tradhtinë.
Besnikët nuk quhen aktorë komikë. Tradhtarët luajnë role komedie me fund tragjik. Gënjeshtra e tyre përdoret për role individësh që nuk kuptojnë ende formën e shpërblimit që do të marrin nga bashkëpunim rolesh.
Ka nga ata aktorë që mburren me regjisorin dhe skenarin që mësojnë përmendësh. Qenia e tyre bëhet lodër kukull që flet e përqesh njëlloj si regjisori komik, i cili ve në skenë këto kukulla-njerëz, me dëshirën e një çmimi të pamerituar, e megjithatë, çmimet ndahen sipas interesave në këtë lojë të madhe hipokritësh avangard, ku dallon se çdo të thotë mrekulli t’i shohësh por jo të bashkëpunosh, t’i vështrosh por jo t’u besosh, t’i kuptosh por jo t’i duartrokasësh në lojën e tyre të rëndomtë.
Mrekullitë ndodhin edhe kur kupton, se nuk është e lehtë të përshkosh udhën e ngushtë për të dalë në udhën e gjerë, se nuk është e lehtë të zgjedhësh besën përballë lakmisë, se nuk është e lehtë të dhurohesh për të luftuar për drejtësinë, se sa të bashkëpunosh me fëlligështinë. Mrekulli është kur njeriu kupton, se Zoti është Ai që të fton t’i bësh ballë stuhisë, kur dora jote shtrëngon fort dorën e Tij, e cila nuk të lëshon si dora e njeriut, por të mban fort, se e tillë është drejtësia, është forcë dhe siguri, për këdo që di të zgjedhë mes Mrekullisë dhe tradhtisë! Amen!