Nga: Frano Kulli
Motër Marie Kaleta, ajo murgesha që me rrëfimin e saj më 21 shtator përloti edhe vetë Papa Françeskun në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ia ka kushtuar herët jetën besimit te Zoti. Që nga momenti i shfaqjes së thirrjes, në Kuvendin e motrave stigmatine në Shkodër dhe pas pak vitesh e nxjerrë jashtë me dhunë, në marsin e vitit 1946 bashkë me simotrat e tjera stigmatine, nuk është shmangur për asnjë çast nga kjo rrugë. Prej aty kthehet në Pistull, në fshatin ku familjen e saj, dy prindërit Ejllin dhe Shuken së bashku me të, i kishte sjellë dom Ndoc Suma, xhaxhai i saj i caktuar famullitar në atë fshat. Aty ajo ka përcjellë pastaj gjithë ditët e vitet e saj deri sot, më shumë të vrazhda se të kthjellëta; aty ka vdekur i pari prift i kthyer nga burgimi dhe vuajtja e tmerrshme dhe dy-tre muaj më pas edhe i ati… Pa arritur në mesomoshën e saj, aty ka bërë pastaj, nga pak e përditë, gjërat e zakonshme të mbijetesës, duke filluar nga gjërat e vogla… Lutja ka qenë e para, e përditshmja, e përmbrëmshmja e përhershmja dhe e përjetshmja e saj, e ngrirë në gjunjë, me shikimin e sytë lart drejt Hyjit… Janë disa prej përjetimeve të mia në fëmijërinë e hershme, kur familja e saj, tashmë e firuar në dy gra, ajo dhe e ëma, për rreth një vit kanë bashkëjetuar me ne në shtëpinë e prindërve të mi… Maria nuk është feniksi që u ngrit nga hiri, jeta e saj ka qenë si jetët e të tjerëve, kushtuar besimit në Zotin pa asnjë thyerje edhe në kohën e anti-Zotit, e gatshme për t’u flijuar e martirizuar, ashtu si axha i saj dhe si shumë e shumë prelatë të tjerë përpara tij. Ka pagëzuar fëmijë e ka bërë të gjitha sakramentet që i lejonte petku (rroba) i murgeshës (tashmë i përshtatur) e kujdesshme, por e pafriguar, e dhënë e gjitha Zotit. Ajo ka bashkëjetuar mrekullisht edhe me të ndryshmit, ua ka bërë të gjithëve pa dallim, kush i ka dëshiruar ritet sakramentare të fesë, aq të frikshme për kohën, me një devocion të madh. Rrëfimi i të vërtetave të saj e ka mallëngjyer derisa e ka përlotur vetë Papa Françeskun, në mbrëmësoren me rregulltarët e rregulltaret e Kishës shqiptare në Katedralen e Tiranës… dhe ky çasti i saj fatlum e ka shpërfaqur shpirtin e madh të murgeshës së vogël në vëmendjen e shpërndarë të botës. Në librin e tij “Viandanti” [Shtegtarë] (enti botues “Gjergj Fishta, 2009) italiani nga Ferrara, Domenico Bedin, shkruan për Marijen: “Ha ormai 80 anni, piccolina e asciuta come madre Teresa, ma lei é dritta come un fuso ed il suo sguardo é insieme assorto e volitivo. Lavoró tutta la vita in campagna nelle cooperative; ogni tanto, clandestinamente, si trovava con Adelaide e altre amiche da un prete, per celebrare la Santa Messa e confessarsi. Nel suo villaggio e nei paesi intorno tutto sapevano di questa donna segretamente suora, ma nessuno la denunció. Maria divenne il punto di riferimento di ciascun cristiano che di notte o di giorno, con la scusa di scambiare qualche uovo o delle verdura, si recava a casa sua per pregare, ricevere un benedizione, dire il rosario o addirittura far batezzare un figlio”.
(Është tashmë 80 vjeçe, trupvogël dhe e dobët si Nënë Tereza, por ajo është e drejtë si një bastun dhe shikimi i saj është i zhytur në mendime (i përhumbur) e në të njëjtën kohë i vendosur. Punoi gjatë gjithë jetës në fshat nëpër kooperativa; herë pas here, në mënyrë klandestine, takoheshin me Adelaiden dhe me shoqe të tjera te një prift, për të celebruar Meshën e Shenjtë dhe për t’u rrëfyer. Në fshatin e saj dhe në vendet përreth, të gjithë e dinin që kjo grua ishte fshehtas një murgeshë, por askush nuk e denoncoi. Maria u bë pikë referimi për çdo të krishterë që natën apo ditën, me pretekstin se donte të shkëmbente ndonjë vezë apo perime, shkonte në shtëpinë e saj për të marrë një bekim, për të thënë rruzaren apo madje edhe për të pagëzuar një fëmijë.) …Dom Ernest Troshani, 86 vjeç, dëshmia tjetër përpara Atit të Shenjtë më 21 shtator është i vetmi martir i gjallë i besimit. Të tjerët u martirizuan herët, ai kujton të parët mësuesit e tij, At Donat Kurti, At Agustin Ashiku, At Davidi, kanë qenë shumë Anton Harapi, Çiprian Nika, Benardin Palaj…Elita kulturore e kombit. Kalvari i mundimeve të dom Errnestit ngjan i zakonshëm, në sfondin e të cilit janë imazhet e 40 martirëve të fesë. I jashtëzakonshëm është rrëfimi i tij përpara Atit të Shenjtë, e paimagjinueshme përlotja e Atit të Shenjtë për sakrilegjin vetëmohues të klerikut të persekutuar kaq egër vetëm për shkak të besimit të vet të konservuar. Shfaqjen në bulevardin e Tiranës “Dëshmorët e Kombit” të 40 prej martirëve që Kisha Katolike i ka futur në procedurën e kanonizimit kishtar, nga 93 që është lista e deritashme, e solli vizita e Atit të Shenjtë. Pakkush më herët është kujtuar për ta në vitet e lirisë, përveç Kishës Katolike. Por ata ndërkohë janë pjesë cruciàle (vendimtare) e historisë së Shqipërisë së shekullit të njëzetë. Janë rezistenca e parë refuzuese e regjimit diktatorial, duke e shërbyer atë me flijimin e tyre, të vetëdijshëm për çka po bënin. Dhe kjo rrallë është përmendur a shënuar… Prijësit tanë, madje janë ndier disi të bezdisur prej përmendjes së tyre ndërsa nuk ka kaluar muaj e stinë pa e kujtuar xhelatin e martirëve, diktatorin, xhelatin e të gjithë shqiptarëve. Për interes të sundimtarisë së tyre, mashtrojnë nostalgjikët dhe i dizajnojnë si sfondin e purpurt të festimeve të tyre. Thurin e trillojnë kujtime për të e për bëmat e tij, madje tani po kërkohet rivendikimi i vendit të tij në histori. Ithtarë të tij po edhe historianë(!) ngulmojnë të na e shfaqin si çlirimtari ynë; e veja diktatore, e “qortuar” për shpenzime kafesh pas përmbysjes së regjimit të tij shkrehet në mall e nostalgji për të në audiencën qendrore të medias publike të Tiranës. Kurse për martirët, viktimat e paranojës së tij… Falemnderit Papa Françesku që me vizitën tënde na i solle në kujtesën tonë të dëmtuar kombëtare. Tani më së fundi është detyra jonë që historia e tyre të trupëzohet në historinë e kombit. Mjaft më me sjellje e spërdredhje të historisë së diktatorit. Është trishtues evokimi i tij… “Askush nuk më tha mua më fal për rininë e humbur dhe torturat e 18 viteve burg, po unë i kam falë të gjithë, Zoti i bekoftë! I pastë falë i madhi Zot”, ripërsëriti atë ditë dom Ernesti. Kjo është thirrja hyjnore për refuzimin e diktatorit, kur nevoja jonë për t’u çliruar prej tij është ende e paplotësuar.