Lucë Nishi, dëshmori i madh i trojeve shqiptare, i lindur, rritur dhe edukuar bashkë me trimërinë e atdhedashurinë…

0
392

In memoriam me rastin e 100 vjetorit të rënies dëshmor në Luftën e Koplikut

Nga: Ndue  BACAJ

Një ndër luftëtarët, komandantët dhe dëshmorët më të shquar në mbrojtje  të trojeve shqiptare nga shovenët serbo-malazez, në Luftën e Koplikut 1920, ka qenë  oficeri trim e patriot nga Traboini i Hotit , Lucë Nishi Dedvukaj , i cili në këtë luftë do të binte heroikisht duke luftuar siç e kishin zakon trimat atdhetar të kësaj famijle e dere simbol të shqiptarisë dje , sot dhe nesër… Kjo familje u shua përgjithmonë fizikisht për lirinë e trojeve shqiptare, por nuk u shua as nuk do të shuhet kurr vepra, heroizmi dhe  patriotizmi i kësaj familje, gjaku i të cilës ka “stampuar” perjetësisht harten e mos harresës së trojeve etnike shqiptare, të ndara padrejtësisht nga trungu mëmë, në shekujt e motet e ligështisë e dreqnisë së Europës plakë…

PAK NGA JETSHKRIMI I DËSHMORIT  LUCË NISHI  DEDVUKAJ !

Foto e Lucë Nishit  Dedvukaj

Luc Nishi Dedvukaj kishte lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893, në familjen Luli , të fisit Dedvukaj, të njohur për trimëri , urti e atdhedashuri.  Ishte i  djali i Nikë Gjelosh Lulit, patriotit , luftarit , flamurtarit dhe dëshmorit të kryengritjes kundër turke-osmane të vitit 1911, të Malësisë Madhe e më gjërë. Kryengritje e udhëhequr nga heroi i popullit Dedë Gjon Lulit, kushriri i parë i të cilit ishte edhe dëshmori Nikë Gjeloshi Luli (Babi i Lucës në fakt e kishte  emrin e pagëzimit Nikë , por në zbunim që i vogël i kishte mbetë Nishë). Lucë Nishi  ishte i ri kur mori pjesë sëbashku me baben e tij Nikë Gjeloshi, në kryengritjen kundër turke-osmane të vitit 1911 të Malësisë Madhe e më gjërë. Në këtë kryengritje baba i Lucës, Nika (apo Nishi siç i thërritshin),  ishte njeri nga ngritësit e flamurit kombëar shqiptar në Deçiq me 6 prill 1911, sipas porosisë së Dedë Gjon Lulit, si dhe një nga heronjët që dha jetën në këtë  kryengritje kundër turke-osmane. Lucë Nishi i rritur, burrëruar dhe edukuar me shpirt , zemër e frymë atdhetare, si i biri i një luftëtari e atdhetari të shquar, do të ndiqte  karrierën ushtarake, në kohen kur edhe ajo Shqipëri që ishte njohur  në vitin 1913 nga Europa e kohës, ishte e rrezikuar nga synimet e shovenëve fqinjë sllav, grekë e italian… Ai ndoqi atë rrugë për t’u shërbyer sa më mirë trojeve shqiptare dhe asaj Shqiperie të pavarur që kishte njohur konferenca (Londres), e të mëdhenjëve të kontinentit..  Lucë Nishi krijoi familje duke u martua në moshë të re (siç e kishin traditë malësorët veçanarisht për djemtë e vetëm) me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, (mbesen e  patriotiti të madh Baca Kurti). Katrina ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjon Lulit, e njohur nga të gjithë si Norja e Hotit. Nga kjo martesë  Luc Nishi pati një djalë të cilit ia vuri emrin Pal. Në vitin 1920 kur filloi lufta e Koplikut, Lucë Nishi shërbente si oficer në ushtrinë shqiptare. Kur u sulmua kufiri shqiptar (i 1913-s) nga forcat e bashkuara serbo-malazeze (të federates serbo-kroate-sllove-Jugosllavi), Lucë Nishi ishte ndër të parët ushtarakë që u vu në krye të forcave vullnetare , për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Gjatë këtyre luftimeve mbrojtëse të vullnetarëve shqiptar kundër agresorve serbo-malazez , Lucë Nishi u dallua për guxim e trimëri si luftëtar dhe si komandant. Ai gjithnjë qendronte në vijen e parë  të  frontit të luftës , deri sa në një prej betejave më të ashpra siç ishte ajo e  Sukave të Moksetit , ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë , oficeri Lucë Nishi ra heroikisht duke luftuar me 25 gusht 1920, nga një predhë topi e  ushtrisë armike.  në moshën 27 vjeçare… (Për hirë të vertetës duhet thënë se në ndonjë “vend” shkruhet se data e rënies është 23 gusht…)Kur Lucë Nishi ra dëshmor i atdheut  e la djalin  e tij, Palin vetëm 6 vjeç. Pas kësaj Palin jetim (pa babën) do të përpiqej ta rriste , edukonte e shkollonte nëna e tij,  fisnikja Katrinë Kolja. Pali , ky pinjoll i një ndër familjeve më patriotike të Malësisë e Shqiptarisë, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli (Dedvukaj) të Traboinit që i përkiste. “Copëza” nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, në vitin 1962… Disa prej vjershave të tija, Pal Lucë Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet Lucë Nishi që ra dëshmor për Atdhe. Një prej tyre është edhe poezia me titullin Lamtumirë , e shkruar në Chieri të Italisë më 12 maj 1932, kur ishte me studime.

LAMTUMIRË :

Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete,
ushtrinat  n’luftë janë nisë me hi,
e unë në front me ba mos me u gjetë
kishte me kenë si një tradhëti.

Trompeta, pra, ka ra,
e prej këndej më duhet me u largue,
s’ke pse mekësh, duhet me u nda,
pse në detyrë më duhet me shkue.

N’anmik unë me ra,
po sa kam me mujtë,
pse gjaku për vatan
gjithherë më ka luejt.

E, jo mue vetëm,
por edhe të parëve të mi,
të cilët dhanë jetën
të gjithë për Shqipni.

Pse deka për vatan,
s’asht gja, thonë, ma e qetë,
çdo kurban qi don me i ba
atmes në këtë jetë
……………………

Kjo poezi mendoj se perveç sharmit artistik , ka një tharm të theksuar patriotik,  që vlenë edhe si frymëzim i pazevendësueshëm kurdoherë,  për të gjithë ata shqiptarë që ia kanë pa hile atdheut të vet dhe janë gati t’a mbrojnë me çdo sakrificë  duke perfshirë edhe jeten  e tyre , siç kishte bërë edhe babai i Palit , Lucë Nishi Dedvukaj.

Fatkeqësisht djali i vetëm i Lucë Nishit, Pali do të  ndërronte jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, në Itali, më 31 tetor 1936. Ishte në lulen e rinisë së “sapoçelur”, në  moshën 22-vjeçare. Vdekja e Pal Lucë Nishit,  mbylli (fizikisht) derën e patriotëve të mëdhenjë Lucë e Nikë Gjelosh Lulit përgjithmonë. Por  kjo vdekje nuk mbylli e as nuk do të mbyllë në perjetësi, derën e veprës patriotike dhe heroizmin deri në flijim, për trojet shqiptare dhe Shqipërinë Etnike të Lucë e Nikë Gjelosh Lulit Dedvukaj…

Në luftën e Kopikut do të jepnin jetën 77 dëshmorë,(të evidentuar nga unë N.B.) nga të cilët 62 nga Malësia e Madhe me Rranxat e saja , 14 nga Shkodra e Postriba  dhe 1 nga Dukagjini, si dhe u plagosen dhjetra malësorë , shkodranë e tjerë, gjaku i të cilëve nuk do të bëhet “ujë” kurr, pasi është derdhur për mbrojtjen e lirinë e trojeve shqiptare…

Në mbyllje të këtij memoriami, për  t’u thënë lavdi të perjetshme dëshmorëve të trojeve shqiptare, unë zgjodha të citoj disa vargje “lapidare” nga Lahuta e Malëcisë, të patriotit të madh pendë-artë të kombit shqiptar , At Gjergj Fishta:

 “… Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
butë u kjoftë moti e stina,
aklli, bora e serotina
e deri t’këndojnë n’mal ndo’i Zanë,
e deri  t’ketë  n’dete ujë e ranë,
der’sa  t’shndrisin diell e hanë,
ata kurrë mos u harrojshin,
n’kangë e n’valle por u këndojshin.
E njaj gjak që kanë dikue,
bane Zot që t’jesë tue vlue
per m’i nxe zemren shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’parit…”

 Refrerencat:

1.Kolec  Traboini, (djali i patriotit të shquar Palok Traboini):  https://www.voal.ch/familja-hoti-shuar-per-atdhe-nga-kolec-traboini/Familja e Hotit shuar për Atdhe , January 14, 2016).

2.AQSH. F.n. 260, viti 1920, dosja nr.18,  dok.n.800100 , dt.05.8.1920.

3.At Gjergj Fishta Revista “Hylli i Dritës” III/1922, nr.1, fq.44-47, Lajme , Rrrokull  Shqypnis , Shkodër ,Bajzë, Kastrat, Tiranë, Vlonë.

4.Hamdi  Bushati -Shkodra dhe Motet , traditë , ngjarje, njerëz Vëllimi I , fq.475 , Shkodër 1998.

5.Gjon Zeka- nëpër lufta në liri -Kopliku në vitin 1920-1921,  fq.21 , Tiranë 1932 , 6.Lufta e Koplikut 1920 pjesë e historisë sonë kombëtare -kumtesa dhe referate , simpoziumi  5 tetor 2009, botime “Camaj-Papa”.

  1. Palok Traboini, Flamuri në Deçiq -Publicistikë & Poemë, perg. për botim Kolec P. Traboini 2012.

8.Lulash  N. Palushaj, Malësia dhe fiset e saj , pjesa e dytë, fq.304 , enti botues “Gjergj Fishta” , Lezhë shkurt 2010.

9.Revista “Agimi” nr.5 ,fq.80, viti 1920.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.