Letër për miqtë e mi Matjanë !

0
841

NAMIK SELMANI 

Një jetë njerëzore asnjëherë nuk mbyllet pa pengje , pavarësisht se sa vite ka në kalendarin e saj . I madhi Xhevahir Spahiu do të bënte për këtë dhe një poezi sa të dhimbshme , kurthuese aq dhe klithëse . Për një lak që e fut njeriun jeta. Madje asnjë nuk i ikën këtij laku. Pjesa më e madhe e borxhit njerëzor i përket padyshin FJALËS. Se ajo është e para, thotë bibla dhe kurani. I fjalës së mirë, i fjalës së bukur, përkëdhelëse, mjaltuese, rrëzëllitëse, të ngrohtë kur ajo e ka adresën e saj të saktë e jo si adresat e shqiptarëve që nuk njihen shpesh se ku janë. I fjalës, balsam, i fjalës që mbjell paqen dhe e largon disi atë botën dreqane. Atë botën sherrane që na ka hyrë kaq thellë, edhe brenda vetes shumë herë e nuk na ikën. Në vend të një përshëndetjeje vëllazërore që miqtë matjanë kuksianë, mirditorë, dibranë po ma bënin për librin “Gurra e Budit” që preu fjongon e tretë të përurimit pas shkollës së mesme të Klosit dhe shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, më duhet edhe një herë që t’ia bëja vetes pyetjen: “Pse ky libër për Matin me simbolikën e GURRËS?” Pse-të e një libri kurrë nuk mbarohen dhe as që japin nganjëherë atë të vërtetë në kohë dhe në ngjizje që ti e ke brenda vetes për atë që hedh në letër, në kompjuter e më tej në një ballinë libri. .Në historinë e një kombi ka disa data që, më shumë se kalendarët me e pa ngjyra në tavolina familjare dhe zyrash në mure apo dhe në ekranët e vegjël të një celulari, janë të gdhendura tek shekujt. Kombi ynë i lashtë pa dyshim që duhet t’i përulet një krahine si Mati, ose Emathia ku u shkrua për herë të parë shqipja. Në një Pagëzim sa njerëzor aq dhe hyjnor pranë një shtrati apo një djepi me lule e shqiponja. Në të gjithë librat e shenjtë vënia e emrit ka hyjnizimin e tij, pavarësisht se në ç’fe e besim është? Kombi ynë duhet që t’i përulet një poeti risitar si Pjetër Budi një jetëtragjiku e një pavarri si Pjetër Budi. Një mentari si Budi që ka jetuar në një fshat me emër të bukur Gur i Bardhë (paç faqen e bardhë në shekuj, o poet bash si Guri i BARDHË që të dëgjoi të qarat e para në ato gurë që dhe sot sikur flasin!”) Duket se asnjë simbolikë nuk do t’i shkonte mendjes dhe penës së tij të artë sa vetë GURRA. E çdo poet apo dhe shkronjëtar i letërsisë që nga Çamëria në Mitrovicë, në Preshevë e në Tivar duhet që jetë mirënjohës për fjalën e mençur poetike. Pse jo, dhe për patriotizmin dhe sakrificat e tij për kombin që i përkiste. Kësaj radhe mirënjohja shkon te matjanët që e mbajnë lart këtë emër e në kohën kur flitet për gjyqe, vrasje, për pabukësi, për rrugë të lëna përgjysëm, për nxënës që rrahin mësues apo dhe mësues që rrahin nxënës, duket se është pak e veçantë. Një mision që zoti dhe kombi ua ka dhënë së pari këtyre mentarëve në gjurmët e atyre që shkuan e lanë pas bëma fisnike. 450 vjet pa Budin. 450 vjet me Budin. E Mati e mbajti kujtimin e tij. Një këngëtar si Shkëlqim Farici këtë vit e ka ujdisur një këngë për të. Një vit që do ta sjell më pranë atë. Më saktë do na sjellë të gjithëve afër vetes se nuk mund të ecim dot pa Homerin tonë, pa Danten tonë. Si për rastësi të bukur ky vit që ka nisur të ecë me galop është dhe Viti i Shekspirit, Viti i Serevantesit. E gjithë madhështia e këtyre autorëve është e besueshme kur dhe çdo komb ngre kujtimin e kryepoetëve të tij. Të trishton heshtja e diturisë për të. Një budolog si Behar Gjoka po më thoshte një ditë se në kohën kur ai nisi që të merrej me studimet për të (dhe ishte 30 vjet më parë) dikur kishte pyetur një të ri se kush ishte Budi e ai ia kishte thënë me seriozitetin më të madh se “Budi na qënkej partizan.” (”!!!!) Në shekullin tonë që është dhe shekulli i Universitetit tonë shumë e shumë shqiptarë të të gjithë trojeve nuk kanë shkuar që ta vizitojnë qoftë dhe një herë në jetën e tyre. Emocioni që të jep mirënjohja e një kombi për Budin e ka burimin te flamuri i tij prijatar. Matjanizimi i poezisë shqipe është tharmi i kujtesës për të. I respektit për fjalën e kombit. Më ka ushqyer prej vitesh kjo lirikë që mbin në bistakun e një molle, të një luleje apo edhe në një rreze dielli që në këtë luginë ndrin ndryshe. Provojeni ju që s’e keni jetuar ende këtë gjë! Më ka ushqyer me epikën e tij që shpesh ka patur si vëlla barutin e betejave. Diku, në Muzeun Historik është në miniaturë një dingë e tillë dhe fort ta rrëmben syrin dhe shpirtin qëndrestar kur e sheh apo dhe kur e prek me ca mollëza të buta. Kam bërë para disa vitesh një studim për lulet e Beratit. Berati si Berati, me një risi edhe në këtë lëmi të jetës qytetare. Më ra në sy një fakt i bukur, i paharruar. Kur po bëhej lulishtja e parë publike në këtë qytet me urdhër të kryetarit të bashkisë Yzedin Vrioni dhe e ideuar nga një arkitekt francez, i porositur nga ish kryeministri i kohës Iliaz Vrioni, një nga zbatuesit e këtij projekti ishte një matjan. Dhe të mos harrojmë se lulishtja që po ngrihet aty ku beratasit i thonë lulishtja “Dëshmorët e Kombit” ishte gjëja më e bukur që po bëhej në atë vit që shënonte 1926. . Kur e ka ulur trupin dhe sytë mbi një filiz luleje patjetër që mjeshtrit matjan i është kujtuar pragjet e vendlindjes. Njerëzit e krahinës së Matit historikisht e kanë dashur këtë art. Këtë e tregojnë qëndismat në mbulesat e tavolinave, shamitë e ndryshme, jastëkët, qilimat, kostumet popullore. Në qendër të zbukurimeve të objekteve etnografike prej guri, druri, metali etj. janë lulet. Ato janë në qendër të pikturave murale dhe tavavaneve të banesave dhe objekteve të kultit. Lulet janë parë edhe si simbol i dashurisë, bukurisë dhe harmonisë në përrallat dhe këngët e ndryshme. Ky Mjeshtër sa i njohur aq dhe i panjohur ma rimbolli dhe mua një LULE të veçantë për të shkuar te trojet e të parëve të tij e për të mbjellë një lule modeste. Në brigjet ku ka aq shumë dritë e begati. Më vjen mirë që modestisht me librin tim “Gurra e Budit” futem në bibliotekën budiane. E, nëse ka një lule të munguar në këtë gjerdan, mos më mëkatoni për të. Por ma thoni e ma thoni përherë atë shprehje lapidar që është më shumë se një refren kënge ”Mos e ndaj zemrën prej Matit!”! Mbase atë herë do të kem më pak pengje për fjalën e bukur, po asnjëherë nuk do të mbetem pa të. Asnjëherë. Në këtë sinor ku më futi fjala, doja që të zbuloja si Kolomb modern atje mes grykave diellore të Matit kufirin e vërtetë të Mirënjohjes. Fort u mundova me veten. Duke u larguar nga qyteti i MATIT i bëra një pyetje vetes si në një monolog të pambaruar: “Cili është kufiri i vërtetë i Mirënjohjes?” Mund ta bëja këtë pyetje edhe pa shkuar në Burrel, pavarësisht se çfarë përgjigje do të merrja. Por kur e prek atë realitet, kur njeh miq të rinj dhe atë respekt që merr nga njerëz të mençur e pyet sërish veten për këtë pyetje sa të thjeshtë aq dhe misterioze se anjëherë nuk mund të kuptosh të vërtetën e saktë si të ishte një tabelë shumëzimi me e pa përvjetorë në kalendarë ne të gjithë jemi e duhet të jemi më shumë se budianë, sot dhe nesër. Faleminderit, miq matjanë! Nderi qoftë më ju! Mos qofshim mes borxheve të padhëna si ai i fjalës!

Burrel-Tiranë , 3 prill 2016

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.