Presidenti Meta përkujton 574-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës : “Mesazhi kryesor që jep kjo Besëlidhje është : Bashkimi në interes të kombit  ; atë të sinergjisë pozitive të gjithë Shqiptarëve për të bërë vepra të mira , të cilat i qëndrojnë kohës”

0
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore të zhvilluara me rastin e 574-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në ceremonitë zyrtare ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë së Kosovës, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, drejtues të pushtetit vendor të Lezhës, deputetë si edhe personalitete të ndryshme shqiptare nga rajoni. 

Presidenti Meta, i shoqëruar nga Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe nga të personalitete e tjera të ftuar, vendosi një kurorë me lule në Muzeun-Memorial të Vendvarrimit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Obeliskun e Besëlidhjes, Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh: “Lezha është një qytet me fat, e bekuar nga Zoti, e bekuar dhe nga Skënderbeu. 2 Marsi është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pa asnjë diskutim, në radhë të parë për vet lezhjanët, të cilët janë gjithmonë edhe mikpritësit e këtyre ngjarjeve shembullore, të cilat na oblijojnë jo vetëm të kujtojmë veprën më të madhe që ka bërë Gjergj Kastriot Skënderbeu, bashkimin e shqiptarëve, duke e nisur me Besëlidhjen e Lezhës, por njëkohësisht përkujtojmë dhe të gjithë ngjarjet e tjera të mëpasshme të cilat shpëtuan kombin tonë nga rreziku i asimilimit dhe i shpërbërjes, të cilat udhëhoqën të gjitha gjeneratat drejt besëlidhjeve të mëpasshme, që nga ajo Prizrenit, nga Kongresi i Manastirit, që nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, e cila gjithashtu si bashkimi i mbarë kombit për të krijuar shtetin tonë, e deri tek ngjarjet madhore të cilat sollën ekzistencën e shtetit të Kosovës që festoi pak ditë më parë 10-vjetorin e tij.”

Duke theksuar rëndësinë e figurës së Skënderbeut dhe lidhjes së shqiptarëve kudo kujetojnë me të Presidenti i Republikës vuri në dukje: “Mesazhin kryesor që jep kjo Besëlidhje dhe që ka lënë pas si trashëgimi dhe si amanet Skënderbeu për të gjithë gjeneratat dhe për të gjithë kombin tonë: atë të bashkimit në interes të kombit; atë të sinergjisë pozitive të gjithë shqiptarëve për të bërë vepra të mira, të cilat i qëndrojnë kohës, të cilat e lartësojnë kombin tonë dhe unë besoj që në të Vit të Skënderbeut, ne të gjithë do bëjmë gjithçka që t’i qëndrojmë këtij mesazhi për të forcuar akoma më tej pozitën e Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve kudo në rajon dhe në botë, si një vend dhe si një komb i qytetëruar, sepse flasim për arritje të reja, për integrimin evropian.”

“Nuk ka kontribut më të veçantë dhe më të shquar se sa ai i Skënderbeut përveç bashkimit të kombit dhe ai i përcaktimit të identitet evropian dhe si kontribues me merita madhore në këtë drejtim në mbrojtje të vlerave evropiane. Kjo është arsyeja që figura e Skënderbeut është i njohur në të gjithë Evropën. Kjo është arsyeja që për të janë bërë jo vetëm vepra të jashtëzakonshme, artistike, vepra të cilat kanë tërhequr artistë, piktorë, shkrimtarë, poetë nga më të njohurit, por njëkohësisht është një figurë që sot na prezanton përsëri në mënyrë më të denjë kudo.

Ndaj, jo rastësisht Fan Noli duke iu referuar kësaj figure madhore ka thënë që: ‘Skënderbeu gjithmonë do të jetë më i gjalli ndër shqiptarët e gjallë’, sepse vazhdon të na bashkojë si askush tjetër dhe vazhdon të jetë udhërrëfyesi ynë më i mirë me veprën e tij, me mesazhin e tij sidomos atë të Besëlidhjes së Lezhës për të ecur përpara si një komb dinjitoz, si një komb evropian.

Dhe një herë urime dhe suksese të gjithëve në këtë Vit të Skënderbeut! Suksese edhe Bashkisë së Lezhës në trasformimin e saj, pasi është një bashki e cila çdo 2 mars, por dhe në vazhdimësi pret këtu jo vetëm personalitete, autoritete nga të gjitha trevat tona për të ndeuar këtë figurë. Jo vetëm organizon ngjarje kulturore, por edhe turistë dhe urojmë gjithnjë e më shumë sepse duhet shfrytëzuar edhe ky fakt edhe kjo ngjarje madhore historike, në dobi të të vlerave historike dhe kulturore të Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë. Lavdi përjetë Gjergj Kastriot Skënderbeu!” – theksoi Presidenti Meta.

/PresidentAl/

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.