Nga Zana Tako
…..është vendi ku prehen mendimet nga udhëtimi i gjatë, ku luajnë dëshirat kukafshehthi me njëra-tjetrën, ku zbehet inati dhe zemërimi, pasi shpirti prehet nga përqafimi i paqes magjiplotë, duke zbutur me ndjenjën mëmësore atë që shpirti ka dashur të ndryshojë.
Në këtë lëndinë pjelloria është e begatë, lindja është e bekuar e shterpësia nuk njihet. Lulëzimi është kënga e mëngjesit, ëmbëlsia e aromës freskon qeliza në zhvillim, etja është fjalë që nuk përdoret, pasi bollëku i burimit ushqen pandërprerë rrënjë e degë, petale e sythe ende të paçelur në formimin e tyre. Njomështia e barit të njomë është frymëzim i ngjyrave që shpërthejnë në kombinime marramendëse të çdo lloj luleje që mbin nga bashkimi i dashurisë tokë e qiell, bashkim ku spikat harmonia në marrëdhënie të pandërprerë dashurie. Është bashkimi magjiplotë që reflekton me frymë, me shpirt, me lindje dhe jetë, etapa të cilat nuk mund të kapërcehen pa u kuptuar, pa u jetuar.
Cikli i lulëzimit të ndjenjave në këtë marrëdhënie, shton pjellorinë ku shumohen jetë të lindura brenda këtij cikli, i cili i jep zhvillim marrëdhënies jo fundore, por fuqizimit të madhështisë brenda së cilës kuptojmë, se me dashurinë kemi prejardhje që në zanafillë.
Elementi bazë i kësaj marrëdhënie është fjala e dhuruar, është dëshira e patjetërsuar, është vullneti i cili quhet bekim brenda lirisë së dashurisë.
Lëndina e shpirtit nuk shkelet. Lulet e saj nuk këputen nga dorë e panjohur, sepse kufijtë e saj kanë formën e mburojës që ruan pandërprerë ndjenjat, mendimet, dëshirat, fjalën, dhurimin, besën, por jo zhgënjimin dhe tradhëtinë!
Lëndina e shpirtit nuk bëhet pis, as nuk digjet nga thatësira. Ushqimi i saj është bollëku i dijes së shëndetshme që prodhon fryte e mirësi, sepse dashuria furnizon çdo kapilarë e qelizë të saj, çdo muskul shpirti që lëviz në formim idesh për mirëqenie e prodhimtari.
Jemi në kohën e bollëkut të begatisë, por jo në atë të shkretimit dhe të tradhëtisë!
Amen!