Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano njoftoi pak më parë drejtorët e rinj në disa qytete. Një prej tyre është Lorenc Panganika. Ky i fundit u caktua në postin e Drejtorit të Policisë së Tiranës duke zëvendësuar Rebani Jaupin, të cilit tashmë i është besuar Departamenti për Sigurinë Publike.Panganika nuk është një emër i panjohur në radhët e policisë, pasi dhe më herët ka mbajtur pozicione drejtuese në disa qarqe të vendit, ndërsa në muajt e fundit ka shërbyer si drejtues në departamentin e Kufirit në Gjirokastër.Një nga qarqet më problematike që janë drejtuar prej tij është ai i Shkodrës në vitet 2015-2017, ku gjatë detyrës u përball dhe me vrasjen në krye të detyrës së një efektivi të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas Shkodrës ai shërbeu në Gjirokastër, fillimisht në krye të drejtorisë së policisë vendore, e më pas në kufi.Panganika, i lindur në Korçë me 24.06.1972, ka qenë më herët edhe Drejtor policie në qarkun e Beratit, dhe ka mbajtur pozicione dhe në drejtori të tjera.Tashmë atij i është besuar qarku më i madh i vendit, që mbulon kryeqytetin, që shënon dhe numrin më të madh të ngjarjeve kriminale, edhe për shkak të popullsisë.