Kisha 900 vjeçare e Shën Gjonit në M.Madhe/ Manastiri që u mbijetoi të gjitha dallgëve

0

Po sjellim këtë  reportazh nga Kisha  E shengjonit ose siç e njohimndryshe shengjinit  ne Gruemire. Ky reportazh është marr nga  Rubrika Qyteti Im.

Kisha 900-vjeçare e Shën Gjonit në Gruemirë të Malësisë së Madhe është një dëshmi e traditës së kahershme katolike-arbnore.

Cilësohet si një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri në të cilën sot kanë mbetur vetëm rrënojat.  

Rrënojat e një Kishe apo Manastiri që shohim sot në afërsi të fshatit Hysaj (Grue­mirë) në Malësinë e Madhe, dikur janë njohur si një ndër objektet e rëndësishme të qytetërimit e besimit Kristian (Katolik).

Këtu dikur sipas gojëdhënave e dokumenteve të ndryshëm ka qenë Kisha e Shën Gjonit, ku shpesh për nga madhësia e ndërtimit e veçanërisht e funksionit që kryente quhej Manastiri i Shën Gjonit, dhe i përkiste Rregullit Benediktin.

Një historian i njohur i Kishës, shkruan se vepra e Ungjillizimit ka njohur zhvillimin dhe ekuilibrimin e vet të plotë në shekullin e VI më “Benediktinët” Rregulla e tyre bazohej: “Ora et Labora”,që nga latinishtja përkthehet: “Lutu dhe Puno”, e autorit Michel Lemonnier O.P në librin “Histori e Kishës”.

Po nga ky autor mësojmë se pranë çdo manastiri Benediktin duhej të themelohej një shkollë për shërbime Hyjnore. Ndaj mendohet se edhe në Manastirin Benediktin të Shën Gjonit duhet të ketë pasur ndonjë shkollë të tillë.

Sipas dokumenteve që gjenden sot Kisha apo Manastiri i Shën Gjonit ka një moshë rreth 900 vjeçare.

Pikërisht për një moshë kaq të madhe “tregon” edhe libri i Ermanno Armaos Vende, Kisha, Lumenj, Male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore.

Për të konkretizuar ketë në libër thuhet: “Kisha dhe kuvendi të shpien në kohë të largëta. Një dokument i parë i vitit 1166 përmend abatin e kishës Sancti Johannis (Shën Gjonit në Rash të Poshtëm).

Abacia gëzonte sipas kohërave mbrojtjen e princërve dhe më vonë të Republikës Venedikasve”.

Albanologu kroat Milan Shuflaj shkruan se në këmbët e malit te Maranaj, në fushën e Shtojit (Strilaleo) ishte abacia e Shën Gjonit. Citime të tilla gjejmë edhe nga studiues, albanologë, historianë e shkencëtarë të tjerë.

Gjithsesi duke ditur se trevat Ilire përqafuan që në shekujt e parë besimin kristian mendohet se pavarësisht dokumenteve që janë Kisha e Shën Gjonit si objekt kulti duhet të kenë qenë shumë më e hershëm, dhe ka dyshime se ekziston të paktën që pas vitit 518, kur një tërmet i fuqishëm kishte goditur Qendrën Historike të qytetërimit e besimit Kristian, Dioklen (sot territor i mbetur nën republikën e Malit Zi që nga viti 1878).

Sidoqoftë sipas disa dokumenteve të tjera të cilat vërtetojnë historinë e Kishës së Shën Gjonit:

Së pari një dokument që gjendet në arkivin e Vatikanit dhe i përket vitit 1356 në të cilin shkruhet se Ipeshkvi i Balesiumit (Balleza Rrjoll) merr si dhuratë Manastirin Benediktin të Shën Gjonit në Rrash pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas ai ka mbetur vakant.

Së dyti një dokument i Senatit Venedikas i datës 7 maj 1403, i cili tregon se liron nga të dhjetat tokat e Abacisë së Shën Gjonit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.