GJETO KEQI DHE LAURA, TË CILËN E DONTE AQ SHUMË

0
839

Nga: Nikolla Spathari

Luftëtari i Spanjës,, Gjeto Keqi, vazhdoi luftën për çlirimin e atdheut. Por shumë shpejt, pas vendosjes së pushtetit të ri, ai u atakua me politikën që ndiqte Partia e Punës dhe jeta e tij u bë një “roman” tragjik plot peripeci, burgje e persekucione. Sot plot njerëz e rrahin gjoksin e çirren se kanë qenë opozitarë të Partisë së Punës. Ndoshta kjo është ana më komike e periudhës postkomuniste. Këta “trima”, që nuk di ku e fusnin kokën atëherë nga friga, tani i kanë marrë të gjitha nderet, kurse për Gjeto Keqin, i cili ishte i vetmi opozitar, pothuajse nuk kujtohen fare.
Aq përshtypje në popull bëri opozicioni në mënyrë të haptë i Gjeto Keqit, në atë kohë që nuk ishte kohë opozitarësh të hapur, sa që hyri në gojëdhënë. Tregohet në Malësi se një funksionar i “Sigurimit të Shtetit” një ditë vajti për vizitë në burgun ku vuante dënimin edhe Gjeto Keqi. Në bisedë me të burgosur ai tha se do të vinte koha që ndërgjegja shoqërore do rritej deri në atë shkallë sa nuk do të hynte më njeri në burg. Burgjet, shtoi ai, do bëhen objekte social-kulturore, furra buke etj. Gjatë bisedës vuri re në mes të burgosurve edhe Gjeto Keqin, që e njihte mirë, dhe iu drejtua:
– Si thua, ti, Gjeto? Ti ke qenë komisar e i di mirë këto punë.
– Jo, – tha Gjetja me zërin e tij të shtruar, – burgjet nuk do t’i prishim. Ato do të na duhen…
– Ndërgjegja do të rritet, – përsëriti funksionari, – burgjet nuk do të na duhen më…
– S’do t’iu duhen ju, – u përgjegj Gjetja, – por do të na duhen ne, me iu fut ju…
Herën e dytë Gjeto Keqi hyri në burg kur erdhi Hrushovi në Shkodër.. turma po shyhesh dhe Gjetja u tha të mos shtyhen.
– Duem me pa,- tha një grua.
– Çdo të shihni, tha Gjetja,- një tullac si të tjerët asht.
Për këtë u dënua 8 vjet dhe i bëri kokërr më kokërr, edhe pse pas një viti u prishëm me Hrushovin.
Një bisedë të tillë anekdotike e kam pasur edhe unë personalisht me Gjeto Keqin. Në vitin 1971 i shkova në shtëpi. Banonte në një ndërtesë të vjetër pranë agjencisë së autobuzave në Shkodër. Tashti ajo ndërtesë është prishur. Nuk ishte vizita e parë që i bëja, por kjo vizitë ishte e veçantë. Ishte një vizitë nevoje. Më kishin hequr të drejtën e botimit për motive politike. Libri im i parë, ndonëse i botuar, kishte disa muaj i bllokuar në magazinat e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Rrezikonte të nisej në ndonjë fabrikë letre dhe të bëhej karton. Gjatë Luftës nacionalçlirimtare babai im u kishte shpëtuar kokën Çun Jonuzit dhe Gjeto Keqit te Kisha e Katundit të Kastratit. Për të vërtetuar se familja ime kishte ndihmuar luftën, më duheshin dëshmitë e tyre. Pasi më dëgjoi me vëmendje, Gjetja më tha:
– Nuk po të kuptoj, ta kanë heqë të drejtën e botimit, apo kërkon që ta heqin?
– M’a kanë hequr, – i thashë.
– Aha, – tha, – tek unë hajde kur të kërkosh që ta heqin të drejtën, e jo tashti që kërkon të ta japin.
Por unë ngula këmbë dhe ai ma bëri deklaratën me shkrimin e tij shumë të bukur. Dhe, fatkeqësisht, doli ashtu siç tha ai. Dëshmia e tij “më hyri në punë” vetëm për t’i shtuar vetes edhe një pikëpyetje tjetër politike: Komunikimin me “armiqtë e popullit”.
Atë ditë të largët të viteve shtatëdhjetë, Gjetja më dha një poezi të Laurës për ta parë. Ajo, në atë kohë, ishte nxënëse në gjimnaz
– Kjo vajzë është e talentuar,- i thashë.
Atij I qeshi fytyra,dhe tha: “Ashtu më duket edhe mua”.
Por Laurës ja prenë rrugën e letërsisë. Në mënyrë të çuditëshme e arrestuan një nxënëse të brishtë gjimnazi si “armike të popullit”. Por Laura, që ishte “bëm baba të të ngjaj”, i sfidoi gjykatës e prokuror, që prisnin të squllej dhe të kërkonte falje. Ajo me një guxim të pa parë deklaroj solemnisht: “Kemi qenë dhe jemi kundër këtij rregjimi”.
Kaluan shumë vite dhe fryn shumë erëra deri në vitin 2001, kur botova librin “Malësia e Madhe siç e njoha unë”. Natyrisht në te do të zinte vend edhe Gjeto Keqi, si një faqe e ndritur e Malësisë. Një pasdreke ra zilja e derës dhe gruaja më tha se më kërkonin dy gra. Dola dhe ato e vunë re se nuk po i njihja.
– Jam Laura,-tha njera,- Laura Keqi
Mos u gabofsha ishte me të vjehrrën.
– Dua Librin,-vazhdoi ajo dhe më shtriu dhjetëmijë lekshin.
– Me këto bëii një kurorë Gjeto Keqit,- I thashë.
Por kur dola për shetitjen e mbremjes dhe hapa derën, dhjetëmisjja ishte hedhur në prak. E tillë ishte Laura, një grua e paharruar dhe natyrisht e pavdekshme në kujtesën e njerëzve.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.