Nga Vullnet Mato 

Fqinji Leksi, me fytyrë të dreqosur, deri në atë shkallë, sa dukej si xhind i sapodalë nga humnerat e errëta të thellësive, thirri Amin te hyrja e apartamentit përballë. Ai i ra ziles me ngut e me një tringëllimë të zgjatur pa e hequr gishtin nga butoni. Kur Ami hapi derën dhe e kundroi me sy të çakërritur shkatërrimin që vuri re në fytyrën e tij, komshiu Leksi lëshoi breshërinë e vet fatale:
-Eja merre tët shoq, se paska qenë një fundërrinë e fundërrinave, një maskara i ndyrë dhe imoral i paskrupullt!… Unë po shkoj të dorëzohem në polici ! -tha ai prerazi, me vetulla të ngërthyera nga zemërimi i tejskajshëm dhe iku në çast, duke brambullitur poshtë shkallëve.
Ami, e shtangur nga kjo e papritur kaq tronditëse, ndjeu një dridhje të fortë në të gjithë gjatësinë e trupit të saj delikat. Vrulloi drejt derës përballë dhe hyri krejt pa frymë brenda dhomës së hapur. Por ç’të shihte?… Aty kishte ndodhur një gjëmë e paimagjinueshme. I shoqi i saj gjendej i vdekur dhe krejt lakuriq përkrah gruas pa jetë të komshiut Leksi. Ajo i vëzhgoi një grimë herë të dy kufomat lakuriqe, me sy të shqyer nga habia dhe tërbimi, për të parë gjurmët e përgjakshme të asaj vrasjeje të dyfishtë. Por çuditërisht, asnjëri nuk kishte plagë te koka, apo te gjoksi. Asnjë pikë e kuqe gjaku, as në trupa, as në çarçafët e bardhë… Ishte një krim fare pa gjak, i paparë ndonjë herë as në filmat horror. Burri i saj dukej, sikur flinte i zhveshur në shtratin e vet bashkëshortor. Por për fatin e saj të zi, ai flinte gjumin e madh të vdekjes, në shtratin e një gruaje tjetër, të cilën ajo e kishte pasur shoqe të ngushtë… Ka një prag fundor, ku dashuria e madhe kthehet papritmas në një urrejtje tërbimtare, tejet të fuqishme.
Dhe ky është çasti, kur gjen befas bashkëshortin tënd, në marrëdhënie intime me një partner tjetër. Ami u xhindos brenda pak sekondave. Një urrejtje gati vjellëse iu mblodh në grykë dhe po i pengonte frymëmarrjen. Ajo u kthye si ndonjë egërsirë e plagosur për vdekje dhe vrapoi te hyrja e saj, duke shtrënguar tëmthat nga një dhimbje e tmerrshme që ia mbërtheu kryet në çast. U shtri te shtrati i saj krejt pa vetëdije dhe priti gati si e trullosur, derisa e mori disi veten. Pastaj zgjati dorën te aparati telefonik mbi komodinë dhe u bëri një telefonatë prindërve të saj, që banonin në lagjen e Alliasit, në fundin verior të Tiranës.

Nuk vonoi shumë dhe te dera e hapur përballë, hyri ekipi i specializuar i ekspertëve të policisë hetimore. Ata kontrolluan gjithçka, i kthyen trupat pa jete nga të gjitha anët dhe në fund dolën me përfundimin që dha mjeku ligjor: Burri kishte vdekur nga një atak kardiak gjatë sforcimit në marrëdhëniet seksuale. Ndërsa gruaja ishte goditur nga i shoqi në kokë me tenxheren e trashë të presionit të gjetur aty pranë. Mjeti rrethanor me të cilën bashkëshorti i kishte shkaktuar viktimës gjakderdhje të brendshme në tru, ishte prova e vetme e krimit. Ai e kishte përdorur atë, në çastet e tronditjes së fortë psikike, kur kishte ardhur befasisht nga jashtë dhe e kishte gjetur gruan ende në shtrat, teksa përpiqej të kthente në jetë e ta nxirrte nga dera dashnorin e mbaruar…
Pasi u kryen të gjitha formalitetet e zakonshme, Ami, që ziente përbrenda nga një erupsion gati vullkanik, por krejt e qetë në pamjen e jashtme, porositi arkivolin. Pastaj me ndihmën e banorëve të shkallës, ajo e mbështolli të shoqin me çarçaf dhe e vendosi brenda kutisë me kapak të thjeshtë fibre. Po atë ditë, pa kryer asnjë ceremoni mortore, për besëthyerin e saj të kurorës, ajo pagoi shërbimin e funeralit dhe e çoi arkivolin te varrezat e Sharrës, duke mos lajmëruar askënd, për shoqërimin e zakonshëm te funeralit familjar.
Pak kohë më pas, po atë ditë, zuri vend aty edhe arkivoli i gruas së Leksit, të cilën, ceremonia familjare pa shumë bujë, e vendosi sipas radhës, te varri i hapur përbri dashnorit me të njëjtin fat fatal. Kështu u duk se u mbyll ajo dramë e fshehtë dashurie midis dy komshinjve, e cila qe kthyer papritmas në një tragjedi të rëndomtë e të heshtur. Por motra e gruas së Leksit, e mbuluar nga lotët, nuk ndjehej aspak e qetë shpirtërisht. Ajo kishte dëgjuar nga motra e madhe, gjithçka mbi marrëdhëniet që kishte pasur me burrin e Amit, që e quante si dashuria e vërtetë e jetës së vet. Madje si me e vogla, ruante edhe një amanet të saj: “Po të vdes ndonjë ditë, të më varrosesh në një varr me të dashurin tim të zemrës, sepse vetëm atëherë do të jem e qetë në atë botë.” Pas dy ditësh, kur varri kishte ende përsipër dheun e freskët, ajo kishte paguar varrmihësit në fshehtësi dhe e kishte çuar trupin e burrit, të cilin motra e madhe e kishte dashuruar me të gjithë pasionin e vet vdekatar, të prehej brenda varrit të saj. Duke e vendosur, përkrah njëri-tjetrit, siç ishin në shtrat dashurie, kur gjeten vdekjen. Ndërsa në arkivolin bosh, të Leksit, sipas kërkesës së varrmihësve, u la vetëm një pusullë, që gjithsesi të dihej më vonë vendndodhja e trupit të të vdekurit që mungonte. Kishin kaluar pak ditë dhe ëma e Amit, si besimtare fanatike, e qortoi të bijën e rrëmbyer nga pabesia e të shoqit:
-Bëre gabim të madh, moj bija ime, qe e varrose tët shoq të mbështjellë vetëm me çarçaf. Është gjynah i madh nga Zoti, të mos e veshësh me kostum, si gjithë burrat e tjerë…
Ami kërceu përpjetë:
-Ai nuk ishte si burrat e tjerë, moj mama, ai ishte faqezi, që më nxiu faqen e më shkatërroi 

-Por ama, do s’do ti, është i ati i vajzës tënde të vogël…
-Vajzën e la pa baba, ai i pacipë! Kur s’më donte, le të mos martohej me mua e të bënte fëmijë. Zgjedhja e njeriut për të bashkëjetuar, bëhet vetëm një herë dhe para martesës. Kush nuk di të zgjedhë në atë kohë atë që i duhet, pas martesës zgjedh ose shkatërrimin e familjes, ose vdekjen…
– Epo, ja, allahu e dënoi me goditje në zemër dhe atë tjetrën me goditje në tru, se martesa është e shenjtë, moj bijë. Prandaj me punët e allahut, duhet të kesh kujdes, se të vjen e keqja nga s’ta pret mendja, por sidomos, larg qoftë, e pëson te fëmija… Pikërisht për këtë duhet të bësh adetin…
Ami u trondit shumë, u mendua thellë dhe pastaj tha:
-Do t’i lutem zotit të ma mëshirojë vajzën…
-Dëgjomë mua, nuk të kushton gjë të blesh një kostum e të shkosh t’ia veshin punëtorët e varrezës… – ia preu fjalën e ëma.
Ami rrëzëlliti sytë mbi të ëmën me një mëdyshje të dukshme.
-Kostumin e martesës e ka fare të ri ai, po ata varrmihësit duhen paguar shumë që të hapin prapë varrin fshehurazi…
-Paguaji, se të jap edhe unë ca para nga ato që morëm për kompensimin e pronës.
Më në fund vejania pa rroba zie në trup, u bind dhe shkoi për të biseduar me dy varrmihësit, të cilët e vunë në dyshim me ngulmimin e tyre, për të mos rihapur varrin. Ami u premtoi se veprimin zhvarrosës, do ta mbante si të fshehtën e varrit dhe u pagoi në dorë të tërë shumën e majme që kërkuan.

Ata hapën arkivolin pasdite vonë, për t’i veshur kostumin të vdekurit. Por për habinë e tejskajshme që e la gruan vejane pa mend, aty brenda kishte vetëm një letër të zhyer me dhera. Nën dritën e dobët të perëndimit, ajo lexoi shënimin e shkruar keq: ”Jam te varri i komshies!”… Si ka mundësi! tha me vete Ami e mahnitur aq shumë, sa për pak çaste mendja e saj u shkëput krejt nga realiteti dhe u zhyt padashur në misticizmin ireal të besimeve fetare. “Maskarai, feministi i qelbur, kurvari i poshtër, as në varr nuk rri rehat! Lakuriq le të mbetet!… – shfryu ajo lehtas dhe rendi e nervozuar te taksia në një cep të varrezave, ku po e priste e ëma, duke tërhequr zvarrë qeskën e plastmasit me kostumin e tij.
Varrmihësit e paguar dy herë, qeshën nën hundë dhe rrëshqitën përmes rreshtave mortorë. Fashat e perëndimit të flakëruar që kishin rënë mbi kryet e varreve, e kishin bërë varrezën të dukej si një djegurishte e madhe me kërcunj të prushëritur.