Nga Ramazan Çeka —

Një kujtesë për realizuesit e këtij emisioni, Logu i Bjeshkve nuk është ngjarje , është evenimënt Etno -kulturor – Në vijim të kujteses në këtë emision kishte edhe të tjera mosdije- Redaksia 

Në zemër të gadishullit të Ballkanit ngrihet madhështor një masiv i madh malesh që njihen në hartë me emërtimin Alpet e Shqipërisë, të cilët zënë rrënjë buzë liqenit të Shkodrës dhe përfundojnë në Malësinë e Gjakovës.
Këto alpe ngrihen “me kryet deri në qiell” dhe majat e tyre të mbuluara me borë shpesh është thënë se kanë qenë frymëzim që malësorët të vinin në kokë qeleshet e bardha.
Rapsodët, poetët, studiuesit e përdorin shpesh këtë paralelizëm, siç përdorin edhe krahasimin midis maleve dhe malësorëve viganë, apo midis çikave dhe çetinave të rritura në shkëmb. Është kjo biografi, ky reliev madhështor që ka frymëzuar rapsodët e lashtë për t’i kënduar bëmave dhe trimërive të Mujit e Halilit, të përjetësuara në eposin e lashtë shqiptar përmes një vegle të stërlashtë muzikore, lahutës.

Në gjithë këtë shtrirje alpine, një vend të veçantë zë Malësia e Madhe e emërtuar kështu që në kohë të hershme, jo vetëm sepse zinte një sipërfaqje të gjërë, por ishte edhe një kështjellë që me kryetrimat e saj i rezistoi të gjitha rrebesheve që historia i vuri në provë.
Mijëra vjet, qindra luftëra, dhjetra pushtues kanë hyrë dhe kanë dalë në qafat, luginat, pyjet, lumenjtë e përrenjt e këtyre malave, por ata kanë qëndruar, ashtu siç thotë një këngë e vjetër: “Malet s’i luan era”.

U frymëzova nga emisioni i mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri” në Radio Televizioni Shqiptar, i cili zgjon të gjithë shqiptarët në 06:00, me 3 orë transmetim të drejtpërdrejtë, me Autore: Rezarta Delisula, Prezantues: Matilda Mcini dhe Florian Agalliu, ku ishte i ftuar Kryetari i Malësisë së Madhe z. Tonin Marinaj, i cili shpalosi në mënyrë brilante jo vetëm punën e shkëlqyer që bëhet në këtë zonë, por edhe për vlerat e kulturës dhe artit të mrekullueshëm të kësaj treve.
Ndër të tjera u fol edhe për një aktivitet mjaft të rëndësishëm siç është “Logu i Bjeshkëve” që ka marrë një vemendje të madhe nga malësorët e kësaj zone dhe të gjithë atyre që sot janë në SHBA.

Në kë aktivitet do të gjeni trashëgimtarë të denjë të banorëve alpinë shqiptar që mbajnë gjallë trashëgëminë e kësaj treve me këngë, me pasuri etnokulturore, e pse jo edhe me studime bashkëkohore të djemve dhe vajzave që janë nderi dhe krenaria e kësaj krahine.
Artistët e spikatur popullor të kësaj Malësie, me shpirtin e tyre krijues po mbajnë gjallë dhe trashëgojnë folklorin ndër breza. Këngët, vallet, veshjet dhe bujaria e Kullave të Malësisë të transformuara në bujtina mikpritëse e bën akoma më magjik aktivitetin e përvjetshmë të Logut të Bjeshkëve të organizuar nga Bashkia Malësi e Madhe nën mbikqyrjen dhe kujdesin e veçantë të z. Tonin Marinaj.
Suksese, e në festa e gëzime u mbledhshi gjithmonë Bjeshkët e Malsisë!
