Dritat e pashuara të skenës / Homazh poetik për Mjeshtrin e Madh Roland Trebicka në ditën e ndarjes nga jeta

0
799

Namik Selmani – USA

Dritat e pashuara të skenës

Homazh poetik për Mjeshtrin e Madh Roland Trebicka në ditën e ndarjes nga jeta

Të ngrihet perdja!!!
Vjen eleganti, fisniku dhe i mençuri Roland Trebicka.
Vjen Jovani
që na bëri të qeshim në kohën mjegullore me ditët plot trishtim.
Vjen Uragani
që mundi dhimbjen e na dha një Çelës për ditët e jetimta.
Vjen Kalorësi
I një skene që kurrë në stacione vitesh nuk pati ndalim.

2.
Të ndalen hapat!!!!!
Të maten me zemrën e shpirtin e paepur të Trebickës
Një gjoks mund të të dhembë
Po janë ca dritëza kujtese që të rilindin rreze dashurie
Ej, Mjeshtër,
Ne ishim nxënës të Mirësisë suaj rrëzëllitëse
Ne jemi ende
Pjesë e ylberit tënd që mund ndë shpirtëra copëza errësire.

3.
Të stiset kënga e nderimit!!!!
Le të jetë serenatë prej Korçe, një baladë , një elegji.
Ç’të dojë le të jetë,
Një himn, një ode, a një ujëvarë Niagare me duartrokitje.
Veç kurrë,
Kurrë mos e mbyllni për të dritaren e derën asnjë ditë.
E lulet e 7 Marsit
I mbillni për të në të gjithë stinët me ngjyra kujtese dhe drite
.
Të ngrihet perdja!!!
E loti të fshihet brenda qerpikut, brenda sallës me dritëhije
Ca tinguj hyjnorë
Le të jenë kurora e kujtimit për një mik, për një engjëll njerëzor
Ej, Mjeshtër!
E dimë se në jetë ka përherë rizgjime e rikthime
Ka ca këmbana
Që të sjellin përsëri në jetë si në një skenë që dritëzon.
Të ngrihet perdja lulestolisur!
Të ndizen, të gjitha, të gjitha dritat!
Vjen Kalorësi i Skenës, kollëkrisur
Vjen Mjeshtri fisnik Roland Trebicka!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.