PËRTEJ GJYSMËSHEKULLIT …

0
1171

 (Bisedë e gazetares Flora Nikolla me Anissa Markarian , botuar në librin digjital: «50 x 50 – SIMBOL I NJË BREZI»)

Flora Nikolla : Anisa, më 4 korrik 2017 ti festove 55-vjetorin e lindjes. Në një monolog të titulluar «Në arenën e mërgimit», ke thurur artistikisht bilancin e jetës tënde. Më lind vetiu pyetja: përse nuk e bëre kur mbushe gjysmëshekullin, pra, kur festove 50-vjetorin?

Anisa Markarian : Flora e dashur, ke shumë të drejtë të ma bësh këtë pyetje. Kremtimi i 50-vjetorit përkon me një kulmim të rrugëtimit tonë vetjak, familjar, shoqëror e profesional ku secili prej nesh, në mënyrë të vetvetishme, ndien shtysën për të hartuar bilancin e fitoreve të arritura, por edhe të mësimeve të nxjerra nga dështimet e pësuara. E parë nga ky këndvështrim, simbolika e gjysmëshekullit është sa joshëse aq edhe sfiduese. Mbyllet një etapë e rëndësishme e jetës dhe hapet një tjetër me objektiva e beteja të reja, me ëndrra edhe më të guximshme për t’u realizuar. Jo më kot përdora epitetin: të guximshme. Është pikërisht përvoja e grumbulluar në 50 vjet jetë që na lejon të ëndërrojmë guximshëm. Personalisht, bilancin e parë të jetës e hartova një 5-vjeçar më vonë, kur përmbylla me sukses disa objektiva afatgjata që i kisha vënë vetes.

F.N. : Meqenëse monologu yt titullohet «Në arenën e mërgimit», a mund të themi se një nga arsyet e kësaj «vonese» ka qenë fakti që mërgove?

A.M. : Pa dyshim, largimi nga Shqipëria, ndonëse i menduar qetësisht, solli një ngadalësim në përparimin tim shoqëror e profesional krahasuar me arritjet në Tiranë. U shkëputa nga një rreth familjar e shoqëror shumë i gjerë, ndërpreva përpjekje profesionale të nisura që në vitet e fakultetit, lashë pezull projekte artistike të hartuara me pasion dhe i ktheva shpatullat popullaritetit që më kishte dhuruar kinematografia. Megjithatë, nuk jam penduar për vendimin që mora. As nuk qahem për vështirësitë që më është dashur të përballoj në mërgim, ndonëse kanë qenë shumë herë më të thepisura se ç’i kisha menduar. Madje, në një farë mënyre, i jam mirënjohëse jetës që më vuri përpara sprova të tilla, sepse më ndihmuan të kalis karakterin e të njoh forcën e këmbënguljes sime.

F.N. : Si ndihesh karshi rrugëtimit tënd gjer këtu?

A.M. : Ballëlartë e me «detyrat» të shlyera. E ngarkuar me energjinë e nevojshme për pjesën e dytë të jetës. Të nesërmen e 55-vjetorit, hapa një faqe të re dhe shkruajta tekstin më të bukur të ditës: listën e sfidave të ardhshme.

F.N. : Mund të më numurosh të paktën 2 prej sfidave që të presin?

A.M. : Të mbaroj romanin që jam duke shkruar e të marr leksione fotografimi.

F.N. : Dy sfida artistike… Kaq shumë i pranishëm është arti në jetën tënde?

A.M. : Është i pranishëm dhe i domosdoshëm, sepse më shpëton nga banaliteti i përhimë e më ngre peshë në ajër. Më shkundullon shpirtin, por edhe më qetëson; më zbavit, më shlodh, më frymëzon, më mjekon, më ngushëllon…

F.N. : Po të bënim bilancin e javës tënde, sa përqind prej saj ia kushton mjekësisë e sa përqind letërsisë, ose artit në përgjithësi?

A.M. : E kam të pamundur të të përgjigjem me shifra. Njëra ushqen tjetrën e anasjelltas. Secilës i kushtoj kohën e nevojshme, pa cënuar kurrë cilësinë e tjetrës. Mjekësia është profesioni im të cilin e ushtroj gjithnjë me pasion; letërsia, apo arti në përgjithësi, është një pasion i madh të cilit i përkushtohem me shumë kënaqësi.

F.N. : Nga cili prej prindërve i ke trashëguar prirjet artistike?

A.M. : Nga ime më. Ishte artiste e lindur si të gjithë anëtarët e familjes Mima (familja e sime mëje). Kishte një vesh absolut për muzikë dhe qe shumë e talentuar për teatër. Ëndrra e saj ishte të luante një herë në një film, qoftë edhe si figurante.

F.N. : Ëndërr që e përmbushe ti, vajza e saj. Sa vjeç ishe kur interpretove rolin tënd të parë në kinematografi ?

A.M. : Sapo kisha mbaruar vitin e parë të gjimnazit dhe 16-vjetorin e kam festuar në sheshin e xhirimit të filmit «Vajzat me kordele të kuqe». Rolin e Dhuratës ia kam dedikuar sime mëje për 2 arsye. Së pari sepse po realizoja ëndrrën e saj të gjithëhershme e, së dyti, sepse filmi rrëfen historinë e një grupi vajzash të Institutit Femëror «Nëna Mbretëreshë» në Tiranë, ku kishte kryer studimet edhe ime më.

F.N. : Dy vjet më vonë, interpretove rolin e Zanës tek filmi «Në çdo stinë» me të cilin fitove kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar si aktorja më e mirë në një rol kryesor. Ç’kujtime të ngjall ky rol?

A.M. : Më shumë se kujtime, më ngjall emocione të fuqishme edhe sot e kësaj dite. Pjesëmarrja në atë film përbën një nga ata çastet fatlumë të jetës që vijnë si me magji. Janë aq të bukur e ndodhin aq rrallë, sa të duket se janë fryt i ndërhyrjes së një fuqie hyjnore. Për mua, roli i Zanës është dhurata më e çmuar artistike që kam marrë në jetë.

F.N. : Një rol i qëndisur me fill të artë, që solli një risi të këndshme në kinematografinë shqiptare të viteve ‘80, i interpretuar nga një aktore amatore.

A.M. : Përpara se të fillonin xhirimet, askush tjetër përveç Viktor Gjikës nuk mendonte se ai rol do të më ngjiste aq mrekullisht. Duhej nuhatje e hollë e guxim artistik për t’ia besuar atë rol një aktoreje amatore. Suksesi mbarëpopullor që kori filmi është prova më bindëse e saktësisë së zgjedhjeve regjisoriale dhe largpamësisë së tij si kineast novator. Realizoi një film që vazhdon të shihet me ëndje edhe sot, ku çdo element përbërës funksionon në harmoni të plotë me tërësinë.

F.N. : Si e përjetove suksesin e bujshëm në atë moshë fare të re?

A.M. : Buja me të cilën u prit filmi «Në çdo stinë» i tejkaloi edhe parashikimet më dashamirëse e më optimiste. Suksesi qe aq i përnjëhershëm e i tejpërmasshëm, sa që më kapi krejtësisht të papërgatitur. Madje, më frikësoi paksa në fillim. Nuk është e lehtë për një vajzë 18-vjeçare të ruajë kthjelltësinë e vetëgjykimit kur «prek qiellin me dorë», duke u shndërruar në një idhull në sytë e qindra mijëra artdashësve.

F.N. : Duhet gjetur një e mesme e artë për t’iu gëzuar famës, pa u bërë skllave e saj.

A.M. : Oh, sa bukur e the! Përballë suksesit miklues e të zilisur, gjëja më e vështirë është të mbetesh vetvetja. Të qenët e suksesshme dhe popullore mund të të rrisë mendjen e të të shtrembërojë perceptimin e realitetit duke të të mbyllur në një guaskë vetëkënaqësie e vetëlavdërimi që bëhet shumë e rrezikshme. Mendoj se, falë edukatës së shëndoshë familjare dhe faktit që kisha ndërmarrë rrugën e bukur e të vështirë të studimeve mjekësore, munda t’i shmangem çoroditjes së famës e të qëndroj me të dy këmbët mbi tokë. Kjo «fitore» më ka gëzuar edhe më shumë se sa vetë suksesi i rolit.

F.N. : Ndërkohë që ishe studente e më pas mjeke specializante në anestezi-reanimacion, botoje poezi e tregime, interpretoje role në kinematografi, shkruaje skenarë për filma e spektakle artistike, prezantoje festivale e emisione televizive… Çfarë të jepte arti, që nuk e gjeje tek mjekësia?

A.M. : Mjekësia është deduksion shkencor që niset nga të dhëna reale e çon në marrje të shpejta vendimesh e veprim konkret. Nuk të lejon fluturime ëndërrtare. Këtë «liri» ma jepte vetëm arti që, për mua, ishte një arratisje e bukur frymëdhënëse.

F.N. : Nga çfarë arratiseshe saktësisht?

A.M. : Nga gjithçka që më rrinte ngushtë në Shqipërinë e atyre viteve: njëtrajtshmëria e mendimit, përligjja e dhunës ideologjike, doktrinarizmi mësimor, ngurtësia e metodës së realizmit socialist, triskëtimi ushqimor, mentaliteti provincial, pamundësia e qarkullimit nëpër botë…

F.N. : Ti jeton në Francë që prej 27 vjetësh. Mund të më tregosh se ç’përfaqëson Franca për ty?

A.M. : Franca dhe në veçanti njëri prej qyteteve të saj, Marseja, kanë «hyrë» shumë herët në jetën time. Fillimisht, në formën e një fjale të thjeshtë e kuptimplotë: merci! Ndonëse fliste një shqipe të pastër, im atë e kishte zakon të falenderonte duke thënë «merci!». Ndoshta e bënte në shenjë mirënjohjeje apo nostalgjie për vitet që kaloi në Francë. Në moshën kur një fëmi shqipton fjalët e para të dëgjuara në familje, edhe unë fillova të them «merci» kur duhej falenderuar, pa e ditur që ishte në frëngjisht. (Siç më vinte po aq natyrshëm të përgjigjesha «ajo» për të thënë «po», pa e ditur që ishte në armenisht.)
Rreth moshës 7-8 vjeç, kur nisa të kuptoj historinë familjare dhe atë të popullit armen, Franca u bë për mua simbol i tokës mikpritëse ku gjetën strehë e përkrahje dhjetëra mijëra refugjatë armenë që u kishin mbijetuar masakrave të gjenocidit. Shumë fëmijë jetimë armenë, e mes tyre edhe dy hallat e mia më të vogla, mundën t’i shpëtonin vdekjes së sigurtë në shkretëtirën siriane falë ndërhyrjes së Kryqit të Kuq Francez që i nisi me anije drejt Marsejës ku filluan një jetë të re. Marseja është gjithashtu qyteti ku im atë studjoi e u diplomua kirurg-dentist në vitin 1931.
Sot, Franca përfaqëson për mua shumë më tepër se tokën historikisht mikpritëse dhe djepin e kulturës e të artit botëror. Këtu kanë lindur fëmijët e mi e këtu kam ndërtuar, duke e filluar pothuajse nga hiçi, pjesën më të përgjegjshme e më të suksesshme të jetës sime. Jam nënshtetase franceze që prej 25 vjetësh dhe Franca është tashmë atdheu im i dytë. Së fundi, si edhe për tim atë, Marseja përfaqëson për mua qytetin e studimeve për arsye se në Fakultetin e saj të Mjekësisë kam mbrojtur diplomën e parë pasuniversitare.

F.N. : Çfarë nuk do t’i uroje vetes kurrësesi?

A.M. : Të hap sytë një mëngjes e të mos kem asnjë shtysë për të kërcyer nga krevati kur tringëllin ora me zile. Një makth i vërtetë!

F.N. : Ç’të motivon çdo mëngjes të dalësh nga shtëpia e të nisesh për në punë?

A.M. : Kur punoj shtatë ditë rresht, çka është e zakonshme në profesionin tim, ka mëngjese kur do të duhej një vinç për të më nxjerrë nga shtëpia. Hahaa! Në këto raste e ndjej të nevojshme ta motivoj veten duke e ndjellur me premtime mikluese, si për shembull: «sot do të takosh persona fantastikë», ose «sot do të të ndodhin gjëra të mrekullueshme». Mëngjeset e tjera, motivi më i fuqishëm për të lënë krevatin është kërshëria. Mund të kisha thënë pasioni, por më tingëllon paksa i mangët. Fjala kërshëri më duket më përkufizuese. Përmban në vetvete jo vetëm pasionin dhe vullnetin për punën, por edhe kureshtjen për shkëmbimet e ndërveprimet me ata që kam rrotull: kolegët, studentët, pacientët, familjarët e tyre… Profesionalisht, ditët e javës i kam të pangjashme me njëra-tjetrën. Në pamje të parë mund të duket e lodhshme, sepse janë tri qendra pune të ndryshme, (shërbimi i Urgjencave në spital, Instituti i Dietologjisë ku jap leksione, dhe studio private), por kjo më ka ndihmuar t’i shmangem monotonisë. Nëse ka diçka që mund të më shtynte në dëshpërim, do të ishte pikërisht rëndomtësia e veprimeve që përsëriten automatikisht dhe rrokullisja sfilitëse e ditëve pa larmi e pa identitet.

F.N. : Cili është tipari më i admirueshëm i karakterit tënd?

A.M. : Këmbëngulja.

F.N. : Po më i qortueshmi?

A.M. : Përnjëhershmëria! S’kam mundur kurrë të numëroj gjer në 10. Hahaa!

F.N. : Si ta kuptoj këtë?

A.M. : Në të mirë a në të keq, reagimi im i parë është gjithnjë emocional. Arsyetimi i ftohtë vjen më pas. Mundohem të punoj me veten në këtë drejtim, por akoma nuk ia kam arritur plotësisht.

F.N. : Cili është gjesti më i bukur që ke bërë në dashuri?

A.M. : Nuk kam shkelur kurrë barin e lëndinës sekrete të tjetrit.

F.N. : Ç’cilësi duhet të ketë një mashkull për të qenë shoku yt i jetës?

A.M. : Uhh! Është listë e gjatë!

F.N. : Kaq e vështirë je?!

A.M. : Jam e paparashikueshme dhe vetmitare. Më shkrepin në tru 1000 ide në sekondë dhe kam nevojë për hapësirat e mia kohore dhe gjeografike brenda unitetit bashkëshortor. Një mashkull «pa këllqe» do të lodhej shpejt me mua.

F.N. : Një mashkull me karakter të dobët, do të thuash?

A.M. : Kur them «pa këllqe» nënkuptoj një person që vetëkënaqet me pak edhe kur i ka mundësitë të arrijë më lart. Një person që dembeloset në rehatinë e përditshmërisë së tij e u trembet ndryshimeve; që kritikon pa shkak gjithçka e gjithkënd; që për dështimet e veta ngarkon me faj të tjerët; që bëhet xheloz për suksesin e shoqes së jetës në vend që ta mbështesë e t’i bëhet krah…

F.N. : Mendon se e njeh mirë veten? Nëse po, si e njeh?

A.M. : Edhe kur kam menduar se e njihja mirë veten, më ka ndodhur që vetja më ka befasuar. Prandaj kam hequr dorë përfundimisht nga kjo mëtesë. Njohja e vetes është një proçes i vazhdueshëm që do të na shoqërojë gjer në fund të jetës. Sa më shumë shkojmë përpara, aq më të shumta bëhen rrethanat që venë në provë karakterin e secilit prej nesh duke nxjerrë në pah meritat dhe dobësitë tona. Duke analizuar me vëmendje mënyrën se si sillem në situata të panjohura, gjëja më e çmuar që kam zbuluar janë limitet e mia. Ato, po, i njoh mirë tashmë. Jam e rrëmbyeshme, emocionale, tepër ëndërrimtare, pak racionale…

F.N. : Nëse do të ekzistonte përsosmëria absolute, a do të kishe dëshirë të jetoje në një botë ku gjithçka të ishte e përsosur?

A.M. : Kurrsesi! Do të ishte një botë përsosshmërisht monotone ku njerëzit do të veliteshin pashmangshmërisht. Është shumë më ngacmues kërkimi i pareshtur për të arritur përsosmërinë, se sa të jetuarit mes përsosmërisë absolute.

F.N. : Ç’kuptim ka për ty çmenduria?

A.M. : Shumë kuptime. Duke filluar nga çmenduria si sëmundje psikiatrike, gjer tek kuptimi universal i çmendurisë së epokës ku jetojmë. Brenda këtyre 2 caqeve përfshihen të gjitha llojet e tjera: pasioni i çmendur, marrëzia e dashurisë, çmenduria e papërgjegjësisë, dalldia e talentit, marrdhëniet kokëkrisura, vendimet e papeshuara, karakteri i papërmbajtur, reagimet e tepruara…

F.N. : Në cilën prej këtyre çmendurive e gjen veten?

A.M. : Pa asnjë ngurrim, në çmendurinë e pasionit. Vë shpirtin në gjithçka që më pasionon.

F.N. : A do ta falje tradhtinë?

A.M. : Përpara dhimbjes shpirtërore që më shkakton një tradhti, fakti nëse e fal apo jo më duket krejt i shpërfillshëm. Kriset përfundimisht besimi që kishe tek tjetra apo tjetri, gjë që të le një shije të hidhur zhgënjimi…

F.N. : Cilat janë tri cilësi që çmon tek miqtë e tu?

A.M. : Besnikëria, zemërgjerësia, dhe humori.

F.N. : Ka ndonjë kategori njerëzish që nuk arrin t’i honepsësh?

A.M. : Nuk honeps dot gënjeshtarët dhe personat mendërisht të ngurtë e hermetikë.

F.N. : Ç’tipar karakteri do të quaje më të shëmtuarin tek një femër?

A.M. : Arrogancën.

F.N. : Po tek një mashkull?

A.M. : Skuthërinë.

F.N. : Sa përputhet profesioni që ke ëndërruar në fëmijëri me atë që ushtron sot?

A.M. : Plotësisht. Jo vetëm profesioni, por edhe pasioni kryesor. Po të tregoj një histori të shkurtër nga fëmijëria ime, ashtu siç ma kanë rrëfyer prindërit. Në Shqipëri ka qenë zakoni që kur fëmija mbushte 1 vjeç e vinin në një tepsi bashkë me disa objekte që simbolizonin profesione të ndryshme. Sipas besëtytnisë, sendi që do të kapte fëmija parathoshte se ç’profesion do të ushtronte kur të rritej. Mund ta marrësh me mend se cilët objekte kapa unë? Stetoskopin dhe një stilograf! Hahaa! Pavarësisht këtij episodi anekdotik, mund të them me plot gojën që jam rritur duke ëndërruar të bëhem doktoreshë e të ngjitem në skenë.

F.N. : Nuk ke pasur kurrë tundimin të studjosh për dramaturgji apo për letërsi?

A.M. : Në asnjë moment. Për arsyen e vetme se nga të dy ëndrrat e mia, mjekësia ishte e vetmja që s’mund ta ushtroja në mënyrë amatore.

F.N. : Je e ndërgjegjshme për popullaritetin që vazhdon të gëzosh tek njerëzit, edhe pse nuk jeton më në Shqipëri?

A.M. : Jam plotësisht e ndërgjegjshme dhe shumë mirënjohëse. Më lumturon fuqia e Artit.

F.N. : Do të kishe dëshirë t’i riktheheshe kinematografisë me një rol të ri?

A.M. : Sigurisht! Dëshirë e ngut, bile. Dëshira ka qënë dhe mbetet e përhershme; ngutësinë kam filluar ta ndiej tani së voni.

F.N. : Ndërkohë, në pritje të një ftese konkrete, shkruan.

A.M. : Pa dyshim, një nga arsyet përse merrem me letërsi është edhe nostalgjia për kinematografinë. Në mënyrë të pavetëdijshme, çdo shkrim e shoh si një film të ardhshëm. Ndaj, kur ulem të shkruaj, ndjek ecurinë e fazave të realizimit të një filmi. Që nga ideja shkreptimtare e skenarit gjer tek stampimi përfundimtar duke përfshirë përpunimin e dialogjeve, qëmtimin e mjediseve të xhirimeve, ndërtimin e dekoreve, karakterizimin e personazheve nëpërmjet veshjes e grimit, përshkrimin e përpiktë të detajeve që filmon kamera, ndërthurjen e skenave, ritmin e montazhit, zgjedhjen e kolonës zanore…

F.N. : Ti përdor një shqipe të pastër e shumë të pasur. Është paksa e pabesueshme për dikë që jeton larg Shqipërisë që prej 27 vjetësh.

A.M. : Dashuria për gjuhën mëmë jo vetëm që nuk m’u zbeh në mërgim por, përkundrazi, u rrit e mori përmasat e një sfide me veten dhe gjuhën frënge. Nevoja e zotërimit të mirë të frëngjishtes për të qenë sa më cilësore në mësimdhënie dhe në redaktimin e teksteve të leksioneve, më shtyu të studjoj me themel jo vetëm fjalorin mjekësor, por edhe gjuhën letrare. Frëngjishtja më ngazëllen me pasurinë e saj leksikore që i dhuron folësit e shkruesit një pafundësi nuancash gjuhësore. Por edhe shqipja jonë e mrekullueshme nuk mbetet pas. Qëmtimi i fjalëve si të ishin xhevahire për t’i rradhitur në një gjerdhan nusërie dhe ndërtimi i mozaikut leksikor perlë pas perle, më falin të njëjtën kënaqësi sikur të zbuloja një thesar të varrosur në fund të një oqeani.

F.N. : A ke ndonjë fjalë të urtë popullore që të shërben si udhërrefyese apo ngushëlluese në jetë?

A.M. : Janë disa, por njerën prej tyre ia përsëris vetes më shpesh: «për çdo punë puth dorën tënde» (ose: «vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta»). Më ka dhënë forcë e guxim sa herë që jam ndodhur në vështirësi.

F.N. : Cila është fuqia jote më e madhe?

A.M. : Vullneti.

F.N. : Ç’përfaqëson liria për ty?

A.M. : Në planin personal, përfaqëson fitoren time më të çmuar. Përmbledh lirinë e mendimit e të fjalës, lirinë profesionale e ekonomike, lirinë si femër e si qytetare. Në planin shoqëror, liria është një e drejtë e shenjtë dhe e patjetërsueshme që duhet mbrojtur me çdo kusht. Nënkupton respektimin e kufijve të një shteti sovran, të drejtën e popujve për të vetëvendosur mbi fatin e tyre, të drejtën e individëve për të besuar, për t’u shprehur, për të qarkulluar, për t’u organizuar, për të vepruar… Historikisht, njerëzimi e ka paguar shumë shtrenjtë fitoren e lirive që gëzon e, fatkeqësisht, ato vazhdojnë të jenë të cënuara. Prandaj duhet të tregohemi shumë vigjilentë.

F.N. : Cili është vlerësimi yt për politikën shqiptare?

A.M. : Politika është kufiri përtej të cilit fillon injoranca ime më e thellë. E them këtë që të kuptosh se sa të pamundur e kam të jap një gjykim mbi politikën dhe politikanët. Uroj nga zemra që politika shqiptare të jetë sa më largpamëse dhe e zhdërvjelltë e që politikanët tanë të mos kthehen në një kastë demagogësh të mbyllur në një kullë të fildishtë.

F.N. : Çfarë është shtëpia për ty?

A.M. : Çerdhja që strehon familjen time.

F.N. : Po familja?

A.M. : Streha ime më e sigurtë.

F.N. : Përveç Shqipërisë ku ke lindur e ke kaluar rininë tënde dhe Francës ku banon aktualisht, në ç’vend tjetër të botës do të kishe dëshiruar të jetoje?

A.M. : Në Itali. Mundësisht në Firence ose në Milano. Jam e dashuruar pas kulturës dhe historisë së Italisë, e pasionuar pas kuzhinës italiane, e mrekulluar nga moda dhe dizajni i stilistëve dhe krijuesve italianë. Në traditat familjare dhe mënyrën e jetesës së dy popujve tanë gjej shumë anë të përbashkëta. Përsa i përket gjuhës, edhe sot e kësaj dite, nëqoftëse një libër nuk është i shkruar në frëngjisht, versionin e tij të përkthyer zgjedh ta lexoj gjithmonë në italisht. Më shijon më shumë. Së fundi, Italia më është e përveçme edhe për arsyen se jam ridiplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Gjenova e në Parma kam mbrojtur një tjetër diplomë pasuniversitare.

F.N. : Ç’mësime të nxjerra nga përvoja e jetës tënde u ke transmetuar fëmijëve?

A.M. : Së pari, fëmijëve të mi nuk do t’ua uroja kurrë largimin nga vendi i tyre. Jo sepse dua t’u kursej vështirësitë që m’u desh të kapërceja si e mërguar, por sepse nuk dua që t’u këputen rrënjët familjare, shoqërore, kulturore e atdhetare. Nuk është e lehtë të rrënjëzosh në dhé të huaj. Së dyti, mësimet më të vyera ata do t’i përftojnë nga përvoja e vetë jetës së tyre. Atë ç’jam munduar t’u komunikoj është sidomos respekti për punën dhe dashuria për familjen. Edhe diçka tjetër: me fëmijët kam folur e flas për gjithçka pa përjashtim e në familjen tonë ia shprehim njeri-tjetrit dashurinë çdo ditë. Veçanërisht, më pëlqen t’u them fëmijëve të mi, paksa edhe me shaka: «ju jam shumë mirënjohëse që më zgjodhët të jem nëna juaj».

F.N. : Fëmijët të konsiderojnë si një nënë-shoqe?

A.M. : Jo. Jam thjesht e vetëm nëna e tyre. Ma kanë kërkuar ata vetë, që kur ishin fare të vegjël. Dhe aq më mirë! Fëmija ka nevojë për modele në jetë dhe modelet e tij të parë e më të fortë janë pikërisht prindërit. Shoqet e shokët, shkojnë e vijnë.

F.N. : Anisa, të ndjeva të sinqertë e të vërtetë gjatë gjithë intervistës.

A.M. : Isha plotësisht e thellësisht vetvetja falë ngrohtësisë së pyetjeve të tua, Flora.

F.N. : Të falenderoj nga zemra për kohën që më kushtove e të uroj rrugëtim edhe më të bukur e të suksesshëm.

A.M. : Jam unë që të falenderoj. Më dhurove mundësinë të jem pjesë e këtij libri, çka më bën të ndihem veçanërisht e nderuar dhe e përkëdhelur.

Dhjetor 2017

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.