CEREMONIA E HIDHUR E VARRIMIT NË MALËSI TË MADHE

0
1286
Nga:Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI
(Mjeshtër i Madh)
Në mes të varfërisë së përhershme, malsorët tanë bënin një jetë plot çaste madhështore. Nga lindja, që përshëndetej me krisma pushke, e deri te vdekja, kur “gjama” jehonte tronditëse, jeta përvijohej nëpër një madhështi epike..
Pikëllimi i vdekjes, në Malësi të Madhe, si kudo, është pikëllimi më i madh. Dimensionet e tij matën me dimensionet e shpirtit të ndjeshëm të këtij populli, çuditërisht të lindur poet. Madje i kompletuar si univers poetik me të gjitha komponentet: Me liriken, epiken dhe tragjiken. Kjo ndjesi poetike ka vetinë t’i kthej të gjitha evenimentet në të madhërishme, edhe gëzimin edhe dhimbjen.
Dhimbja e vdekjes është shokuese. Por nën dhimbjen e madhe rrinë të shtresëzuara, që në lashtësi, forca dhe qëndresa, dy kordinata të pashoqe, që nuk e zvogëlojnë pikëllimin, por e bëjnë tej mase dinjitoz.
Qëndresa shkon deri në kufinjtë e të pabesueshmes. Nuk qajnë burrat, nuk qan nëna për djalin, nuk qan gruaja për burrin.Vdekja, në Malësi të Madhe, pikëllim ka shumë, por lotë ka pak. Ashtu siç thotë poeti Azem Shkreli te poezia “ Vdekja e malësorit “ :
Asnjë lot, asnjë,
se ja shterroni krojet ).
E megjithatë dhimbja është aty, e madhe, e pangushllueshme, madje e përjetëshme. Por po aq e madhe dhe po aq e përjetëshme është edhe qëndresa. Pyetja e parë dhe më e rëndësishme që bëhet në çdo mort është: “ A po mund të qëndroni ? ”. Pamvarësisht se çfarë u ndjenë zemra përgjigjia e njerëzve të të vdekurit vjen burrërore : “ Po more,, na e kemi kollaj me qëndrue se na e ka lanë shpinë plot “. Dhe merren shembuj njerëzish që kanë vdekur e kanë fikur vatrat.
***
Ceremonia e vdekjes në Malësi është një spektakël hidhërimi. Në dekorin e dhembjes shfaqet me përmasa krenare drama e rënies së një ushtari të Atdheut, e një trimi pushke, e pakësimit të një krisme në luftë për mbrojtjen e trojeve. Por edhe drama e humbjes të një vëllau, të një nëne, të një motre, të një shoku, të një miku , të një punëtori, të një çobani, të një shtegtari….
Atdheu kërkonte sa më shumë ushtarë, sa më shumë pushkë dhe konaku donte sa më shumë punëtorë, barinj e shërbime. Kjo e bënte humbjen më të madhe, dhmbjen më rrënqethëse. E, megjithatë, një qëndresë dhe forcë e çuditshme ngrihej madhështore mbi të gjitha.
Doket e mortit nuk mund të përmblidhen vetëm në koreografinë e pikëlluar të gjamës së burrave. Vdekja është një kapitull i terë etnografik në jetën e Maleve ), që sigurisht ka evoluar gjatë shekujve, por gjithmonë duke rubajtur thelbin e lashtësisë.. Spektakli i ceremonisë së varrimit në Malësi ka një prolog dhe një epilog po aq interesant. Prologu
fillon me sënundjen e të vdekurit. Epilogu shtrihet në kohë pas vdekjes, një vit e nganjëherë edhe më shumë.Vetem në vdekjet nga pushka apo nga sëmundje që nuk japin afat, prologu mungon.
Krahas luftrave dhe gjaqeve, sëmundje të njohura e të panjohura e ulnin, në mënyrë tragjike, jetën mesatare të malësorëve. Epidemi të rënda e të pamjekueshme në kohëra bënin kërdinë në popull. Dr. Kadri Kërçiku, i bazuar në shenimet e librave të të vdekurve në kishën e Shkodrës, thotë se, nga viti 1761 deri në vitin 1821, kanë rënë dymbëdhjetë epidemi murtaje ). Dhe më tej ai shton : “ Librat e të vdekunve nuk na e thonë, por na e dimë nga burime të tjera se murtaja e ka shkretue qytetin e Shkodrës e rrethet e tij që në vitin 1817 ” ) .
Kudo në Malësi të Madhe, deri vonë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, shiheshin varre pa emra, me nga një gur të pagdhendur te koka, të shpërndar jashtë çdo kriteri, larg varrezave të fshatit. Ato varre flisnin qartë për varrime emergjente në kushtet e vdekjeve të panumërta. Pasi kanë kaluar qindra vjet që atëherë, emrat e tyre janë shlyer nga kujtesa e të gjallëve dhe populli i ka quajtur me një emër të përgjithshëm : “Varre murtaje “.. S’ka dyshim që epidemi të tilla, nga të cilat vdisnin dhjetra njerëz në ditë dhe s’dilte koha as për t’i çuar në varreza, po i varrosnin aty ku vdisnin, i kanë stopuar përkohësisht zakonet e vdekjes.
Murtaja ka qenë aq e tmerrshme sa në të folmën e popullit hyri edhe si name: “ Të raftë murtaja “. Por përveç kësaj, vdekjeprurëse ishin edhe plot sëmundje të tjera si malarja, tuberkulozi, tifoja, fruthi, kolla e bardhë, lija, verçi ( morbus botchin ), kanceri e shumë e shumë të tjera. Këto sëmundje malësorët i kishin emëruar vetë, duke u nisur kryesisht nga simptomat e duksheme: tuberkulozin – lëgata e thatë, malarjen – ethet, morbus botkin – verç, tifon – lëgim (lëngim ), kancerin e llojit gangrenë – brisë etj.
Mos marrjën e masave të thjeshta profilaktike për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse në Malësi, përveç qenies pa shërbim shëndetësor, përgjithësisht studiusit ia faturojnë padijes dhe injorancës. Sigurisht kjo ka pasur pjesën e vet të rëndësishme. Por duke mos njohur thellë shpirtin e madh të këtij populli, nuk kanë marrë në kosideratë një shkak tjetër po aq deçiziv – kalorsinë e malësorëve. Ata nuk e ndanin të sëmurin, bie fjala me tuberkuloz, as në të ngrënë as në të pirë. Hanin me të në të njejtin sahan dhe pinin ujë me të njejtën kanaçe. Kjo ndodhte, jo vetëm brenda shtëpisë, po në çdo ambjent shoqëror. Edhe kur i sëmuri shkonte mik, apo në grumbullimet e fshatit. Pa pyetur fare për rriskun, malësorët bënin çmos që i sëmuri të krijonte përshtypjen se sëmundja e tij nuk është aq e rrezikëshme. Sakrifica të tilla me jetën e vet, bëjnë vetëm ata popuj që kalorsinë e kanë pjesë të rëndësishme të ndërgjegjes së tyre.
Në luftë me gjithë këto sëmundje ishin vetëm ca mjekë popullorë,që, në mënyrë empirike, përpiqeshin të bënin diçka, sado minimale, me barna mali. Një fjalë e vjetër në Malësi thotë se ka bimë për çdo sëmundje. Shumë e zhvilluar ishte kirurgjia popullore. Ajo ishte perfeksionuar gjatë viteve si nevojë e jetës plot luftra, gjaqe, dhe pune në terrene të vështira e plot rreziqe. Por mjekët popullorë bënin jo vetëm punën e kirurgut, po dhe të patologut, ftiziatrit, gastrologut, okulistit etj. Marash Uci i Hotit ishte , jo veç një luftëtar, person historik dhe ligjvënës popullor, por edhe një mjek popullor i paharruar në Malësi, ndonse kanë kaluar 1o3 vjet qysh prej ndarjes së tij nga jeta. Edhe fakti që ai për vete vdiq 104 vjeç tregon se diti të mjekojë të tjerët dhe vetën. Ai arriti një moshë tejshekullore edhe pse bëri një jetë jo të lehtë. Mjafton të kujtojmë vargjet e Fishtës ku thotë:
Marash Uci i Uc Mehmetit,
Anë e m’anë i kish’ ra detit.
……………………………………,..
Çak prej Hotit tue zanë filli
Der ku piqet buka n’dielli .)
Edit Durham tregon për një ushtar që mjeku turk deshi t’i prste këmbën e coptuar nga një goditje kali. Ushtari turk iku nga spitali dhe shkoi te Marash Uci. Ai ia lau plagën mirë e mirë me bash rakie, Me anë të një pince, që e kisht bërë vetë, i hoqi 17 copëza nga kocka e thërmuar, ja afroi dy pjesët e kockës së thyer, ja mjekoi me një melhem të pregatitur me rrëshirë pishe, dyllë blete etj.. Pastaj ia mbështolli me lesh delje dhe ja lidhi me dy copa dërrase. Ushtari u shëndosh edhe pse këmba i mbeti pak më e shkurtë.
Një mjek popullor shumë i përmendur në Malësi ka qenë Nikë Gjon Kaça i Kastratit. Ai e ka ushtruar veprimtarinë e tij si mjek popullor që nga vitet shtatëdhjetë të shekullit nëntënbëdhjetë e deri në vitet tridhjetë të shekullit njëzet. Emri i tij i kishte kaluar kufinjtë e Malësisë së Madhe derisa, sipas Fishtës, Ali Pashë Gucia e kishte marrë si mjek të ushtrisë në luftrat famëmëdha të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në poemën “ Ndermtësija “ të Lahutës së Malcisë, poeti shkruan :
Pater Gjoni po u bjen shpatit
Me at Nikë Gjonin e Kastratit,
N’nam e n’za ky për mjeki:
Lypë e thirrë gjithkund n’Malci,
Frati rrfe e Nika pre,
Vojo gjinden Pater Gjoni,
Të varruemt shero Nikë Gjoni,
Si të kshtenë si muhamedan
Dlirju varrë, venju melhem
Pa kqyrë fort se ku po i dhem,
Për ngut puna ndryshe s’ban )
Siç më kanë treguar, ata që e kanë njohur, kur ky mjek popullor kalonte nëpër fshatra të ndryshëm të Malësisë, shpesh mblidhej i gjithë fshati për tu parë tek ai. Është pak e habitëshme,, por ata që kanë pasur kontakt me të tregojnë se ai e vizitonte të sëmurin tamam si një mjek i vërtetë: I shikonte syrin duke i ulur me gisht kapakun e poshtëm, i vërente gjuhën,
i kontrollonte frymëmarrjën me vesh në shpinë.
Një ditë,rreth vitit 1927, Nikë Gjoni, paska vizituar njerëzit në Goraj të Kastratit. Fshati kishte të sëmurë me tuberkuloz e sëmundje të tjera. Kur po kryenin vizitat, shokët e bindën me zor një burrë, të quajtur Prelë Martini, që të vizitohej. Atij i kishte dalë një puçë në buzën e poshtme të gojës dhe kishte dy nuaj që s’po i shërohej. Mjeku popullor ia kapi buzën me dy gishta, e vërejti gjatë dhe i tha :
– Ti, nuk deshte të këqyresh?
– Jo bre burrë, po çka kam unë, një puçë…!
– E pra ti je me keq se të gjithë …
Ai qeshi, qeshën edhe të tjerët me mosbesim.
– Mos e merr me të qeshun, – tha mjeku popullor,- po nesër hipi kalit dhe shko në Shkodër te doktor Bazdria. Thuaj se më ka çue Nikë Gjoni. Kam shpresë se tashti që asht në fillim ta prêt. Por po nuk shkove shpejt ke me i shitë dy qetë e kularit e gjithë tokën e s’ka me pasë kush çka me të ba.
Ai prapë qeshi i pabindur dhe sigurisht nuk shkoi te mjeku që atëherë kishte filluar të bënte operacione të thjeshta. Dhe fatkeqësisht ndodhi ashtu siç kishte thënë mjeku empirik, i cili me sy kishte përcaktuar saktë
diagnozën e kancerit.
Unë solla shembullin më tipik të një mjeku popullor, por të tillë ka pasur edhe të tjerë, sidomos për ngjitje frakturash dhe mjekim plagësh. Nga fillimi i shekullit njëzet, punën e mjekut popullor nisën ta ktyejnë edhe françeskanët. Ata vërtetë nuk kishin kryer fakultete mjeksie, por sidoqoftë ishin diplomuar në universitete të përmendura të Europës dhe puna e tyre ishte më e kualifikuar. Më i përmrnduri nder ta ka qenë Patër Luigj Bushati, i cili e filloi punën si famullitar i Traboinitt, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Kir të Dukagjinit. Në qelën e tij ai kishte një dhomë dispanserie, sepse tuberkulozi ishte sëmundja më e tmerrshme e kohës. Tek ai rendnin të sëmurë nga ana e anës. Nga Malësia e Madhe, që e njihnin që në Traboin, po e po, por edhe nga Shkodra, Zadrima, Bregu i Matës e Lezha. Frati i Kirit ( me këtë emër njihej në tërë hapësirën veriore) , ka shpëtuar shumë njerëz me tuberkuloz e sëmundje të tjera të rënda. Në rininë time kam dëgjuar shumë të moshuar që e mbanin në gojë ndihmën mjeksore që u kishte dhënë Patër Luigj Bushati. Por unë kam edhe një fakt, që e kam vërtetuar plotësisht, brenda familjes.. Nëna ime, Drande Preçja, në moshën njëzetvjeçare ishte prekur nga një process tubkrcular. Gjyshi, që nuk kishte fëmijë tjetër, i alarmuar, e mori dhe u nis për në Kir të Dukagjinit ku ishte e vetmja shpresë. Frati e vizitoi dhe i tha : “Vajza jote ka një fat të madh, por nuk di si e ke gjendjën ekonomike “.
– Pse si asht puna,?- pyeti gjyshi,- unë shes pjesën teme të tokës dhe të baktive për vajzën.
– Gruaja e Bajraktarit të Shalës ka të njejtën sëmundje me vajzën tande,- tha frati.- Unë, para sa ditësh, kam ardhë nga Vjena e Austrisë Atje kam ble ilaçet për gruan e bajraktarit, por ai s’asht në gjendje ti marrë…
– Sa kushtojnë ?
– Njëzet napolona ar,- tha frati.- mjek.
Kura u bë nën kontrollin e Patër Luigjit, i cili e shtroi të sëmurën në një dhomë të qelës, ku ishin edhe dy tri gra e vajza tjera të sëmura.
Gjashtëdhjetë vjetë më vonë i bëra nënës një kontroll te mjeku i njohur ftiziatër, drejtori i Senatoriumit të Shkodrës, Dhimitër Lito, i cili, pasi e pa mire e mire në skopi, më tha: “ Ka pasur një proçes të vjetër, por e ka të kalçifikuar. Sot i ka mushkëritë më shëndosh se ti dhe unë”.
Në mbremjën e asaj dite të viteve tetëdhjetë, kur u ktheva në shtëpi, nëna po thoshte rruzaren për shpirtin e fratit plak.
Për punën e Patër Luigj Bushatit si mjek:, Jan dhe Cora Gordon shkruajnë: “ Diskutuam me të problemet e shëndetit në Malësi. Ai vetë kishte disa vite që praktikonte mjekësinë këtu, por me vështirësi të mëdha, pasi nuk i mjaftonin paratë të blinte barnat. Por në gjithë Malësinë nuk kishte as doctor dhe as ndonjë të ngjashëm me të, kështuaë njerëzit vinin nga tridhjetë kilometra larg të konsultoheshin me atin e mire, përvoja praktike e të cilit për sëmundje të veçanta të zones ishte më me vlerë se njohuritë mjekësore të një mjeku të diplomuar ). Dhe më poshtë udhëtarët e huaj vazhdojnë: “ Françeskani plak e filloi ditën me një tufë njerëzish që kishin ardhur nga të gjitha anët e malësisë “ ).
Nga vitet pesëdhjet të shekullit njëzet, një françeskan tjetër u erdhi në ndihmë malësorëve me shërbime të ndryshme mjeksore. Ai ishte At Benedikt Dema,.që ushtroi, për njëzet vjetë dëtyrën e famullitarit në Karund të Kastratit, në Hot dhe në Bajzë. Benedikt Dema kishte kryer në Romë fakultetin për filozofi dhe teologji, por interesat e tij shkencore ishin të gjera. Vërtetë ai nuk kishte çdo ditë punë me të sëmurët si Patër Luigj Bushati, sepse në kohën e tij shërbimi shëndetsor ishte në tjetër stad, megjithatë shumë të sëmurë gjetën shërim nga barnat e malit që përdorte ai. Për pregatitjën dhe përdorimin e këtyre barnave, gjatë viteve që qëndroi në Malësi, shkroi edhe një libër që akoma është arkival.
***
Malësorët e Malësisë së Madhe e presin vdekjen madhërisht. Kur dihet se dikush është në çastet e fundit, në shtëpinë e tij nblidhet i gjithë fshati dhe momenti tragjik merr përmasa homerike. Ata nuk vdesin si qaramanë. Burrat jo e jo, po as gratë. Kjo rracë klasike, e formuar në ambjente shpirtërore kreshnikësh edhe çastet e fundit të jetës i pret në nënyrën më dinjitoze e më të pa konceptueshme. Ai, që është i vetëdijshëm se po ikën për të mos u këthye më, jep këshilla e porosi, sikur largimi i tij nuk do të jetë i përjetshëm. Por më e paimagjinueshmja është se ai edhe merr porosi, për të vdekurit e mëparshëm, me një gjakftohtësi dhe vemendje të habitëshme, pa asnjë notë tragjizmi, sikur po bie në shehër dhe do t’u blejë edhe bashëfshatarëve ato që u duhën.
Porositë dhe lajmet për t’i çuar në botën tjetër vazhdojnë edhe pas vdekjes, nga gjamatarët e vajtoret. Në vitet pesëdhjetë të shekullit njëzet, kur në Bajzë të Kastratit u krijuan kooperativat bujqësore të Aliajve dhe Ivanajve, gjamatari Prekush Paloka i drejtohet të vdekurit:
Mi thuaj Mirotës,
N. dhe P. sundojnë pesëqqind shpi.
Kanë hiekë gur kanë hiekë kufi
E ka ba dreqi fetifani ).
Domosdo një lajm i tillë i dërguar në botën tjetër, në sy të gjithë Malësisë dhe për më tepër dërguar një të vrari me pushkë në dorë kundër rregjimit, siç ishte Mirotë Paloka, e çoi pas hekurave të burgut për 18 vjet. Shkaku ishte ky, pamvarësisht nga sebepet që u gjetën.
***
Kumti i vdekjes, në Malësi, përhapej me lajmëtarë. Sapo vdiste dikush, një çetë djemsh të fshatit, niseshin në drejtime të ndryshme
për të çuar lajmin e hidhur në të katër anët e Malësisë. Lajmëroheshin miq, kumbarë e dashamirës të të vdekurit. Kujt i shkonte thirrësi tek dera, ditën e gjamës, kishte status të veçantë. Ai ishte i ftuar edhe në sofrën e mortit. Se kush do të ftohej nga një Mal apo nga një tjetër e përcaktonin burrat e kullës të mbledhur në konsultim nga i zoti i shtëpisë. Sejcili lajmës merrte emrat që kishte për të lajmëruar dhe nisej shpejt. Nganjëherë listën e të ftuarëve e bente edhe vetë i vdekuri, kur e ndjente se po i vinte fundi. Ai u thoshte burrave që linte pas : “ Mos harroni të thërrisni filanin e filanin….“ dhe bënte një listë gojore, sikur fliste për një dasëm, e joi për vdekjen e vet.
Por kur një burrë i përmendur vritej diku larg në luftë e shokët e varrosnin atje dhe gjama caktohej të bëhej pas një apo dy javësh, përveç lajmëtarëve të kumtit të zi, ndodhte që u kërkohej edhe famullitarëve të kishave të leçitnin nga altarët vdekjen e tij. Ata bënin të ditur, se në gjamën e madhe që do të bëhej janë të ftuar të gjithë ata që e kanë pasur shok e dashamir.Një lajmërim i tillë u bë në verën e vitit 1941, kur u vra Pjetër Dulja i Kastratit.
Ndërkohë që lajmëtarët nisen për të përhapur lajmin e zi tej e mbanë, të vdekurin e bëjnë gati për gjamën dhe vajin që do t’i bëhet të nesërmën.
Burrin e rruajnë dhe e lajnë gjithmonë burrat, kurse gruan e vdekur e lajnë gratë. Me islamizimin e një pjese të Malësisë, për popullsinë nyslimane, veprimin e të larit të kufomës e mori hoxha i xhamisë së fshatit. Askurrë, në Malësi të Madhe, burrin e vdekur nuk e kanë larë gratë, siç shkruajnë disa studiues, ndoshta të nisur nga Mary Talbot që
shkruan se gratë arbërore “e pergatisnin ttrupin per ritin e varrimit, e lanin, e lyenin me vajra dhe ereza dhe e vishnin“ ). Unë nuk marr përsipër të pohoj se në kohëra të herëshme arbërore nuk ka qenë kështu, por ajo që e them me kompetencë është se , së paku dy tre shekujt e fundit, një doke e tillë ( që të lajnë gratë burrat e vdekur ), në Malësi të Madhe, nuk është zbatuar. Mbase kjo është ndryshuar me kanune më të reja, që kanë bërë herë pas here, në shekuj, malësorët. Karakteri konservativ i malësorëve, për të ruajtur lashtësitë që u kanë lënë të parët, nuk shkon kurrë deri atje sa të ruajnë doke, që në kohëra më të reja, nuk u duken normale. Kuvendet e Maleve e kanë atributin për të bërë kanune të reja, por edhe për të ndryshuar kanune të vjetra, tamam si parlamentet e sotme që bejnë ligje, por edhe amendojnë ligje të bëra më parë..
I vdekuri, qoftë burrë qoftë grua, vishej me kostumin më të bukur kombëtar. Malësorët e Malësisë së Madhe, kostumin e vdekjes e përgatisnin shumë heret, kur ishin akoma shëndosh e mirë. Ishin gratë ato që bënin gati rrobat e vdekjes për vetën dhe burrat e tyre, i palosnin dhe i ruanin me vite në arkat e pajës. Veshja e bukur e të vdekurit apo e të vdekures shpesh bëhej edhe objekt i vajit. Në vitin 1956, kur bëhej vaji i Make Preles, në Goraj të Kastratit, Lenë Gjonja e Rranxës së Veshtit, që e kishte filluar vajin që në shteg të oborrit, e shoqëruar nga gratë tjera, të cilat, pas çdo vargu, thërrisnin “ ejhe – ej “, tek po i afrohej vigut, iu drejtua të vdekurës.:
Ç’kemke veshë
E çkenke mbathë,
Zot ku don me shkue ?. )
***
Burrë apo grua qoftë njeriu që vdes, gjithmonë ruhet një natë nga i gjithë fshati dhe të nesërmën varroset. Ditën e ceremonisë mortore vigu nxirret jashtë , në një vend të hapur, të përshtatshëm për vaj e gjamë. Gratë lëshojnë kujën, kur njeriun e tyre të dashur e nxjerrin nga shtëpia, për të mos u këthyer më aty. Bestytnitë e lashta, që fillojnë me parashikimin e vdekjes nga shpatullat e bagëtive të imta dhe të gjelava, vazhdojnë edhe ditën e mortit. Burrat që ngrejnë të vdekurin, e çojnë dhe e ulin tre herë në vend. Kjo gjë, besohet se ndalon vdekjet e tjera 86).
Të vdekurit, kur është burrë, i vënë edhe armën pranë. I veshur ashtu dhe me armën pranë krahut të ngjanë se po pushon pak para një beteje. Kështu i pret ai gjamëtarët dhe vajtoret më krenar se asnjëherë gjatë jetës së tij. Është për tu shënuar se në Malësi të Madhe, ditën e ceremonisë mortore, nuk përdoren, për të vdekurin, fjalë makabre, siç është fjala kufomë apo ndonjë tjetër e tillë. Jo, ata e quajnë vig, sepse malësorët i zgjedhin fjalët, ashtu siç bën edhe një poet. Nuk thonë, bie fjala, i ra kufomës përsipër, po i ra vigut përsipër. Nuk thonë se nana e ka vendin te kryet e të vdekunit, po nana e ka vendin te kryet e vigut. Madje ky popull, i cili edhe në çaste të tilla e shfaq ndjenjën e vet estetike,thotë për të vdekurin: “Ishte vig i bukur “, Emri vig, që tenton të zbutë disi formulimin tragjik, u adaptua nga mjeti me të cilin malësorët mbartnin në krah të vdekurin për në varreza.
Pikëllim, si një mjegull e zezë, e mbështjellë gjithë vajin dhe gjamën e Maleve. Spektakli i përmortëshëm hap mëngjesin e fshatit.Vigu shtrihet me kokë nga përendimi dhe, nga ana e kokës, e rrethojnë gratë , duke lënë të hapur pjesën tjetër për gjamatarët, brimtaret dhe këdo që i bie vigut përsipër,në shenjë pikëllimi. Sapo dikush shfaqet në shteg të oborrit, gratë që rrethojnë vigun, thërresin në kor “ ej- he, ej “.
Ceremonia mortore, në Malësi të Madhe, është një spektakël i tërë, pa asnjë regjizurë. Por disa nga studiuesit e huaj dhe vendas flasin për ca anë regjizuriale. Shkruajnë se gjamën e parë e bën vëllazëria ), duke ngatërruar normat kanunore me kushtet praktike të zhvillimit të ceremonisë.. Morti nuk është log ku këngën e parë e fillojnë vendasit. Jo, gjamën e parë dhe vajin e parë e bëjnë të afërmit, sepse të largëtit nuk kanë ardhur ende dhe heshtja para vigut nuk mund të zgjasë derisa të vijnë Malet. Zgjidhja që i kanë bërë malësorët kësaj çeshtje nuk është punë kanuni, sepse po të ishte e tillë, për të bërë gjamën dhe vajin e parë, pas vllazërisë, do të pritej Hoti, mandej Gruda e me radhë. Jo, një normë e tillë nuk ekziston. Kush vjen më parë bën gjamë më parë. Po qe se burrat e dy Maleve vijnë bashkë, atëherë prin me gjamë Mali që i takon me kanun.
Mijëvjeçarët e kanë ruajtur këtë spektakël të pashoq dhibjeje. Kur gjamatarët vijnë në grupe, duke rrahur me grushte gjoset e tyre. dhe gratë rreth vigut ejkasin të gjitha njëherit, të vete mendja larg, në thellësitë e shekuijve, kur Herodoti thoshte se ilirët bënin vajtim kolektiv për të vdekurit.
Për gjamën e Maleve dhe vajin nder shqiptarë është shkruar shumë. Madje nga personalite të tillë si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Rrok Zojsi, Anton Çeta, Nikollë Ashta, Hahn, Çelebiu, Lambertzi, Nopça e plot të tjerë, studiues vendas dhe të huaj. Por unë dua të vë theksin në faktin se nga një zonë etnografike në tjetrën duhen pasqyruar edhe dallimet që pasurojnë doket gjithëshqiptare të mortit.
Gjama e burrave në Malësi të Madhe ka një dallim esencial nga ajo e Malësisë së Vogël dhe e disa malësive të tjera veriore. Koreografia që shprehë dhimbjen e madhe, në gjamën kolektive, është po ajo: Me rrahjen e gjoksit, me çjerrjen e faqeve, me britmat e dhimbëshme “ eh, eh ,eh “ , me rënien përmbys mbi vig etj. Ndërsa në krahinat tjera gjama ka britma e fjalë fare pak ose hiç, në Malësi të Madhe , i është dhënë rëndësi fjalës, me peshë dhimbjeje, edhe në gjamën e burraave. Dhe kjo të kujton kohë shumë të vjetra kur gjanatari çjerrjën, shkuljën e flokëve, rrahjën e gjoksit me grushta etj. i shoqëronte me fjalë të spikatura tronditëse. Kujtojmë gjamën që bën Akil Pelidi mbi trupin e vdekur të Patroklit te Iliada e Homerit:
“Mjegull e zezë mbështuell Akil Pelidin,
……………………………………..
Në pluhun shtatvigani
sa gjanë e gjatë u zhgrrye.
Me t’dyja duert flokët gafrroi e me fitila i shkuli.
E gratë robina që grabiti Akili
tok me Patroklin, nga vajtimi i burrit,
pikllue në zemër, për njëherë vunë kujën…. ).
Në çdo tre hapa drejt të vdekurit, gjamatari ndalet dhe i thotë me zë të lartë vargjet e tij të dhimbshme. Ndërsa gjamatarët e tjerë, pas tij, thërrasin: “Eh, eh, eh” dhe rrahin gjoksin e hapur me grushta.
Kur gjamëtari kryesor dhe të tjerët pas tij, më në fund, afrohen pranë vigut, thërrasin të gjithë njëheri “eh, eh, eh” , çjerrin faqet me thonj dhe bien përmbys mbi të vdekurin, duke gjëmuar dhimbshëm. Ata nuk ngrihen derisa të afërmit e të vdekurit t’i kapin prej krahësh për t’i ngritur. Gratë që rrethojnë vigun, nga ana e kokës të të vdekurit, të cilat e kanë shoqëruar gjamën e burrave me “ ej-he, ej “, kur gjamatarët i bien përsipër vigut, venë kujën, tamam si gratë në gjamën e Patroklit.
Dhënia rëndësi fjalëve në gjamë, krahas koreografisë me gjeste të pikëlluara, është ruajtur në shpirtin konservativ të malësorit të Malësisë së Madhe që nga kohët homerike, nëpër hershmërinë shqiptare e deri në shekullin njëzet. Madje këtë rëndësi, të evoluar, mund ta vëresh edhe sot e kësaj dite në çdo mort.
Gjama më e vjetër shqiptare, që në saje të Barletit i ka shpëtuar kronikës së humbjeve të mëdha të kohrave, është gjama që i bën Lekë Dukagjini Heroit tone kombëtar- Skenderbeut. Në këtë gjamë shihet qartë se ç’rëndësi i jepet peshës së fjalës.
Barleti këtë gjamë të famshme e pasqyron në formë proze, por në fakt ato janë vargje të pikëlluara dhe unë, pa luajtur asgjë. po i vë si vargje që në të vërtetë janë:
Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë,
o princër e sundimtarë arbërorë
Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe tëMaqedhonisë,
sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona,
sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë,
sot u përmbysën fronet dhe pushtetet e tanë,
sot u shua krejt, së bashku me këtë njeri,
çdo shpresë e jona )
.
Përballë kësaj gjame të shekullit pesmbëdhjetë kam dëshirë t’iu vë një gjamë të viteve tridhjetë të shekullit njëzet, të bërë në Malësi të Madhe: Me 15 nëntor të vitit 1937 bëhet vaji dhe gjama e Gjelosh Gjokës së Kastratit. Ai kishte qenë një burrë me zë të madh në Malësi ,njeri nga vojvodët më të njohur të Kastratit, dhetar e anëtar i Xhibalit në kohën e Turqisë dhe, në fund të jetës, kapidan i Mbretërisë Shqiptare. Gjamatarët e Bogës i printe Gjergj Vuksani, i cili kumton :
I mjeri u, Gjelosh Gjoka !
I mjeri u për ty e për kumt t’zi tatin !
Ëh, ëh,ëh
( duke gjëmuar kështu dhe duke rrahur gjoksin me grushta
të gjithë bëjnë tre hapa drejt vigut.Kështu në çdo çezurë )
I mjeri u Gjelosh, e mjeri u o mik
Mjeri u kulmi i shpisë e lulja e gjithë Shqypnisë !
Ëh, ëh, ëh…
Mjeri u, Gjelosh, kapidani i shtetit !
Mjeri u Gjelosh, i dashtuni i mbretit !
E mbretnorët të rrxuemit,
E graniçarët të gzuemit.
Ëh, ëh, ëh…
Mjeri u Gjelosh, i dami zotnish !
I dami urtish!
I dami prej burrash !
I dami prefekturash !
I dami i rrugës dhe i pazarit !
I dami i ministrit dhe gjeneralit !
Ëh, ëh, Ëh…
I mjeri u, gjelosh, ç’bake !
E i mjeri u sot e gjithmonë !
Eh, eh, eh ).
( dhe të gjithë i bien vigut përsipër, duke lëshuar britma të dhimbëshme
dhe duke u çjerrë në fytyrë me thonj
Në gjamën, që Gjergj Vuksani, me burrat e Bogës, i bën Gjelosh Gjokës së Kastratit, vemë re se një dhimbje e madhe shprehet në gjamë për dëmin që, humbia e e një burri të shquar, i bën atdheut: “ E mbretnorët të rrzuemit/ e graniçarët të gzuemit”. Është po ajo ide që shprehë Princi i Dukagjinëve për Skendërbeun, sigurisht jo me ato përmasa, sepse ky është një prijës lokal.
Kur mendon se këta maësorë as që e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e Marin Barletitit, të habisin këto reminishenca të çuditëshme në fjalët e gjamës. Por duket qartë se shqetësimi për vdekjen e një prijësi, të çfarëdo rrangu, ka qenë një shqetësim kombëtar i të gjitha kohërave, sepse vdekja e prijësit dobëson forcën mbrojtëse dhe gëzon armiqtë.
Dhimbja në gjamë është po aq e madhe edhe atëherë kur burri i vdekur nuk ka përmasat krahhinore apo kombëtare të një prijsi popullor. Por edhe si njeri i thjeshtë ka vendin e vet përballë mikut dhe armikut, ka rolin e tij në rritjën e fisit që është një shqetësim historik. Në gjamën që Gjer Pllumbi i bën Dedë Elezit të Bogës mes tjerash i thotë:
I mjeri unë për ty e për kumt t’zi tatin
I mjeri unë ç’paske prit me ba n’kët ditë
…………………………………………………………
Po a kshtu nderohën miqtë, o vlla?
Po a kshtu tmerrohën anmiqtë, o vlla?
Po a kshtu shtohen hiset, o vlla?
Po a kshtu rritën fiset, o vlla?
Ëh, ëh, ëh.. ).
Burrit i qahën me dhimbje edhe të gjithë treguesit tjerë burrërorë dhe atmosfera e dhimbjes për çka ka lënë mbrapa. Le të shohim gjamën që Prelë Gjeloshi i Ducajve të Shkrelit bën me rastin e vdekjes së bashkëfshatarit të tij, Gjon Ndout:
I mjeri u, o Gjo’ Ndou!
I mjeri u për ty sot e gjithmonë, ç’bake!
I mjeri u trimi!
I mjeri u besniku!
I mjeri u fisniku!!
Eh, eh, eh… ( i shoqëruar nga gjamatarë të tjerë )
I mjeri u shtylla e llogorit e Zana e mizorit!
I mjeri u sot e sot e gjithmonë!
Eh, eh, eh…
I mjeri u i rrxuemi!
I mjeri u i thërmuemi!
I mjeri u i coptuemi!
I mjeri u sot e sot e gjithmonë
Eh, eh, eh…
I mjeri u me vllazën t’verbuem!
I mjeri u me hise t’shkretume!
I mjeri u me vashë të lshueme!
I mjeri u me vajza të verbueme!
I mjeri u sot e sot e gjithmonë!
Eh, eh, eh… .).
Jo në fillim të shekullit njëzet, siç thotë Fadil Mehmeti, po nga gjysma e këtij shekulli, gjama kolektive e burrave, pakngapak, u kthye në gjamë imdividuale. Tradita e lashtë, për të cilën Herodoti shkruan se ilirët bënin vajtim kolektiv për të vdekurit, filloi të evolojë. Nisën të mënjanohën gjestikulacionet, gërvishtjet etj. Mbeti fjala me peshën e saj të dhimbjes si një element shumë i vjetër i etnokulturës tonë. Gjamatari, që në këtë kohë nisi të quhet brimtar, zë vend përball vigut dhe improvizon brimën e tij prekëse. Çezurat që bën ai , gratë rreth vigut i shoqërojnë me “ ej-he, ej “. Këtë lloj brime, si evolim i gjamës në kushte të reja për herë të parë e bënë Rrok Doda i Kaçajve, Nosh Gjo’ Keci i Ducajve etj. Ajo, me pak ndryshime, bëhet edhe sot në Malësi të Madhe.
***
Gratë kanë një rol të rëndësishëm në gjithë ceremoninë komplekse të vdekjes. Të ejkaturat e tyre shoqërojnë çdo gjamë të burrave, por edhe çdo ardhje në mort. Ato thërrasin të gjitha së bashku si në kor: “Ëj-hë -ëj”.
Britmat e tyre të kujtojnë koret e tragjedive të lashta që siç duket mbetën të trashiguara vetëm te iliro-shqiptarët.
Deri në vitet pesëdhjetë të shekullit njëzet edhe tufat e grave me vajtoren e grupit përpara fillonin ëjkamat që në shteg të oborrit. Vajtorja , duke ecur , improvizonte vajin dhe në xhezura, tamam si në gjamën e burrave ëjkatnin në kor, me rubat e zeza të ulura. Vajet e tjera, gjatë ditës së mortit, vajtoret i bënin të ulura pranë vigut, gjithmonë të shoqëruara nga britmat e grupit të madh të grave.
Vajtimi i grave kishte më shumë hapësirë. Karakteristikat dhe bëmat e të vdekurit thuheshin më gjërë. Ashtu si tek gjama e burrava edhe në vajin e brimtareve ndjehet shqetësimi i madh për humbjën e një prijësi krahinor. Kur vdes një pinjoll i derës së bajraktarit të Shkrelit vajtorja Drande Keqja i thotë:
Kjo lëngatë kur të ka kapë
N’ katër qoshe fjala asht hapë,
Paskan ndie gjithë zogjtë e malit:
Ka dekë Rroku i bajraktarit,
Kanë ndie zoja edhe zotni,
Ka ndie Pejë edhe Guci
Ka ndie Knjazi i Malit Zi,
Ka ndie Knjazi në Tivar,
Thonë ka dekë një bajraktar.. )
Në vajin e brimtareve një shqetësim i madh janë edhe vrasjet që bënin malësorët ndërmjet vedi. Shumë zhurmë është bërë për popullin tonë si një popull “gjaknarrës”. Është e vërtetë se në kohra të errëta pa shtet e ligje ka egzistuar vetëgjygjsia. Por në thellësi të shpirtit të vet populli e dënonte vëllavrasjen. Gjaksi në gjamë nuk është kurrë trim pushke, madje pushka e tij shihet me përbuzje dhe mallkim Dënimi moral i gjaksit zë vend në shumë vaje Armët e tij nuk janë armë të nderuara, po armë të përlyera. Kur dikush nga bashkëfshatarët vret Lush Gjo’ Lulashin e Vrithit brimtarja malësore i drejtohet gjaksit me këto fjalë:
:
Kur t’ marrsh armtë o me i goditë,
Mos t’rrejë kush me voj me i lye,
Me i bojë t’zezë ti ke me i ngjjye,
Thuej kam vra unë një kushri
Që e kam fikë hisen e ti… ) .
Në tetor të vitit 1930 vritet Rexhep Taka i Reçit. Mes brimtareve tjera vajton të vrarin edhe Dilë Luleshja e cila mes dhimbje të madhe lëshon edhe vigmën e namës për gjaksin:
Njajo pushkë që i ra Rexhepit
Mos ia paftë-o hajrin vetit,,
Qite Zot në pikë t’gazepit,
E qitët ora n’valë të Drinit,
I raftë plumbi n’dritë të synit,
I raftë mazerrja n’thek t’paemës,
I knoftë qyqja n’ thalb të zemrës… ).
Është e habitëshme që këta malësorë, të kthyer prej qindra vitesh në Fenë Islame, e sfidojnë Sheriatin që e ndalon vajin dhe gjamën. Ata vazhdojnë të zbatojnë doket e vjetra, pamvarësisht nga ndrrimi i besimit.Shumë pak gjëra tradicionale mundi të ndryshojë feja e re në ceremonialin e morteve. Malësori musliman, pa u bërë fare merak se feja e tij i ndalonte këto gjëra, zbatonte traditat shekullore. Madje shohim se vajtorja, e sipërpërmendur, si për ironi të shkeljes kuranore, përdor në vajin e saj edhe aspekte të rëndësishme fetare. Ajo e vazhdon kështu vajin e Rexhep Takës:
“More turku (muslimani-N.S.) i Perëndisë
Msyne derën e xhamisë,
Tek nepen selamet,
Tek falen bajramet,
Tek priten kurbanet,
Tek kndohen qitapet,
Tek ndahen sevapet,
Tek falen pesë vaktet”. ).
Ndërsa në mortin e Nuz Kurtalit me 1927 ajo ka hyrë edhe më thellë në aspektet fetare të Islamit. duke iu drejtuar të vdekurit me këto fjalë:
Turku ( muslimani- N. S. ) i holl, ti gjetsh rahmet!
Bashu lule në Xhehnet,
Prigamerët rreth e rreth! ) .
Por kjo nuk është e gjitha. Kishte edhe vajtore të përmendura muslimane. Në gjysmën e parë të shekullit njëzet brimtarja më e famëshme në Malësi të madhe ka qenë Rosë Halilja, një grua e fesë islame. Kaq e njohur ishte ajo sa u bë proverbiale. Ende edhe sot në Malësi, për një njeri që flet shumë thuhet: “ Numëron si Rosë Halilja “. Ashtu si vajtoret katolike, që përdorin në vajin e tyre aspekte kuranore kur qajnë një musliman, edhe kjo brimtare, e cila i përket Fesë Islame, bënte të njëjtën gjë kur ulte rubën e zezë për të vajtuar një katolik. Ja ç’i thotë ajo, në mes tjerash, Lul Nikës nga Lohja, babës së Patër Anton Lulit.
Sa pak Lulo ke lëngue!
Kur ke dashtë ti me mbarue,
E lute Zotin me t’ndimue!
E lute Zojën me t’u afrue!
E lype priftin me u vojue! ) .
Për teologët mund të jetë e pabesueshme që në Malësi të Madhe tradita e lashtë ngrihet mbi normat fetare. Kjo vihet re në shumë aspekte të jetës së malësorëve. Por në doket e vdekjes kjo gjë duket më qartë se kudo tjetër. Madje në këto doke ajo shfaqet shpesh në mënyrë flagrante. Rregullat e Fesë Islame nuk lejojnë që i vdekuri, burrë apo grua qoftë, të vishet me rroba ditën e vdekjes. Ai duhet të futet në qefin. Por edhe mbi këtë rregull jo rrallë triumfoi tradita stërgjyshore. Në vitet tridhjetë të shekullit njëzet vdes në Reç një nuse e re, Bushja e Alush Zymerit, sigurisht e Fesë Islame. E megjithatë shohim se brimtarja malësore N. N. e fillon kështu brimën e saj:
Ku m’je nisë, o nusja e re!?
T’paska veshë tezja për dhe!… )..
Këto vargje tregojnë qartë se, pamvarësisht se e vdekura ishte muslimane, tezja e saj e kishte veshur sipas traditave të lashta malësore pa u merakosur për normat islame. Shkelja e normave, siç shihet, është në vazhdimsi, sepse ato e ndalojnë edhe vetë vajtimin.
Besimi i ngulitur se jeta vazhdon edhe pas vdekjes e përshkon gjithë gjamën dhe vajin e Maleve. Këtë besim për një jetë të përtejme, sipas modelit të jetës tonë mbi tokë, e shprehin në mënyrë të figurëshme gjamatarët dhe vajtoret. Brimtarja Lenë Preçja, duke vajtuar me 1926 në Poicë, Kolën e Pjetër Franit, që vdiq sapo kishte mbushur tri vjet, e zbutë në maksimum trishtimin e vdekjes me përshkrimin e gjërave që do ta presin në jetën e pasosur djalin e vogël. Ajo i thotë:
Kur të shkosh ti n’atë jetë,
Lumi ti kush ka me t’ndeshë.
Të ndeshë gjyshi për lezet
E tash t’ban tezja hyzmet,.
Kur të bien marak për gji,
T’blrnë sheqera e gurabi,
E kur t’bien marak për ne.
Ngrehni i log atje nën dhe,
Tash t’çon tezja n’lojë me fmi ,
E, mor Kolë. tash t’hjek mërzi ).
Psikologjia e malësorëve se egziston bota e gjallë e të vdekurve shprehet në gjamë si një shpresë që lehtëson hidhërimin e madh. Në përshkrimin e mësipërm jeta përtej varrit na paraqitet si një kopje e jetës këtu në tokë, madje edhe me dugajë ku shitën sheqerka dhe gurabi e ku për fëmijët ka sheshe lojrash.
* * *
Kur vinte koha e varrimit, i vdekuri mbartej në krah nga burrat e fshatit, i shtrirë në vig. Varrimi bëhej me krye nga perëndimi, në mënyrë që i varrosuri ta kishte pamjën nga lindja. Kjo, mendoj unë, është një trashigimi e lashtë që ka të bëjë me kultin e Diellit. Një doke e ardhur nga largësi të mëdha shekujsh, kur Dielli konsiderohej edhe Perëndi dhe malësorët, njerëzit e tyre duhej t’i varrosnin me fytyrë nga Perëndia.
Pas varrimit shtrohej dreka e mortit. Duhej të ishe njohës tepër i zoti i gjithë të drejtës zakonore që në një mort të madh të udhëhiqje uljen e malësorëve nepër sofra duke zbatuar pikë për pikë hierarkinë. Një gabim i vogël në radhën e kësaj hierarkie mund të çonte në mosmarrëveshje të mëdha e të padëshirueshme.
Në gjamën e Gjelosh Marashit të Shkrelit, ku ishte dyndur Malësia e Madhe e Dukagjini dhe përveç këtyre kishte plot të ardhur edhe nga Shkodra e Mirdita, nuk ishte punë e lehtë që t’u caktoje me kompetencë kanunore vendet nepër sofra. Pas shumë diskutimeve që bënë burrat e Ducajve të Shkrelit, që ishin kushërinjtë e burrit që i bëhej gjama, arritën në përfundimin se këtë barrë të rëndë mund ta merrte përsipër vetëm njohësi i shkëlqyer i së drejtës zakonore, Pjetër Dulja i Kastratit. Ai hipi në shkallën e gurtë të kullës dhe i thirri me zë të lartë një nga një malet, duke zbatuar, jo vetëm hierarkinë e brendshme të Malësisë së Madhe, por hierarkinë e përgjithshme të zonës së kanunit. Heshtja që shoqëroi uljen e burrave, një nga një nepër sofra, tregonte se është zbatuar pikë për pikë shkalla e komplikuar e hierarkisë.
Nderësa kur vdiq vetë Pjetër Dulja, ditën e gjamës ishin rreth 1000 vetë që do të zinin vend nepër sofra, nga e gjithë treva e kanunit. Një burrë i vetëm s’ia dilte dot të vinte rendin e gjithë këtyre sofrave, ndaj u caktua një lloj komisioni i përbërë nga Kot Nika i Kaçajve, Ujkë Gjeto Shyti i Ivanajve dhe Gjokë Vaseli i Ducajve.
U shtrua një livadh i tërë plot me sofra me një rregullsi të përsosur, gjë që do të thoshte se çdo burrë ishte ulur pikërisht në vendin që i takonte
Pritja për ngushëllim, në kullat malësore zgjaste deri në një vit.
Njerëz, që për arësye të ndryshne nuk kishin mundur të vinin për ngushëllim më parë, mund të vinin edhe pas 6 muajsh apo edhe pas një viti. Për vdekje të zakonëshme kaq zgjaste edhe zija. Gratë e shtëpisë, të kushërinisë dhe më gjërë edhe shamitë e zeza i mbanin një vit. Heret zija mbahej në një rreth të gjërë. Për të trguar se janë të të njejtit gjak malësorët thonë : “ Deri vonë kemi kenë në ruba “ që do të thotë se deri vonë kanë mbajtur shamitë e zeza për njeri tjetrin.
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së një burri, kostumi kombëtar i tij dhe shpesh edhe armët shtroheshin si vig dhe gratë vajtonin. Vllaznia e të vdekurit priste e përcillte, falënderonte e nderonte me fjalët më të zgjedhura të gjithë ata që vinin për për të marrë pjesë në në këtë përkujtim të hidhur, por mr nota madhështie. Madhështorja e shoqëronte
Burrin, jo vetëm në jetë e në vdekje, por edhe pas saj.
Oso Kukës, që ishte një burrë me zë të madh, kjo ceremoni
përkujtimore, ju bë në Marshej, ku kishte jetuar disa kohë familja e tij, deri pesë vjet pas vdekjes, çdo vit.
* * *
Për ceremoninë mortore nder shqiptarë kanë shkruar shumë studiues, vendas e të huaj. M. Talbot pohom se në vaje kishte edhe gra vajtuese me pagesë. Unë nuk marr përsipër të flas për gjithë Shqipërinë, por në Malësi të Madhe kjo nuk ka ndodhur kurrë as për gratë vajtore as për burrat gjamatarë. Brimtare të përmendura si Drande Keqja, Rosë Halilja, Dilë Luleshja, Pashkë Dedja, Lenë Preçja, Lulë Preneshja, Tone Keqja, Lenë Gjonja etj. .kishin famën e vet në Malësi të Madhe, por as që u shkonte mendja të nxirrnin fitime nga dhimbja e madhe e vdekjes. Po kështu në Malësi kishte gjaamatarë e brimtarë me emër si Gjergj Pllumbi, Prelë Gjeloshi, Gjergj Vuksani, Mark Leku,, Vatë Gjetja, Lekë Vuksani . Rrok Doda etj. ,por asnjëherë nuk menduan për nekrofitim.
Si shumë gjëra të tjera, që s’kanë të bëjnë me traditat e lashta të Malësisë së Madhe, brimtarët dhe brimtaret me pagesë u shfaqën pas viteve nëntëdhjetë të shekullit njëzet. Dhe ka prej atyre që këtë përdhosje traditash e ushrrojnë me krenari dhe madje edhe me cinizëm, duke spekulluar me dhimbjën e madhe. Zejen e tyre, të papëlqyeshme nga të gjithë malësorët. e justifikojnë me ekonominë e trgut, por a mund të bëhet ekonomi tregut me ndjenjat e një nëne që i ka vdekur djali!?

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.