C I G A N E T

0
2156

NAMIK SELMANI – POEZI

Do gdhij natën me ciganë
Breg më breg ku rrjedhon lumi
Do gdhij natën me ciganë.
Nga qerpiku të ikë gjumi
Kur të shoh flakët te zjarri.

Do thur shportat me shportarë
Do të zbres me qindra yje.
Ah, kjo valle me ciganë
Të bëka ketrush ndër pyje.

Do të laj faqe dhe duar
Në ca valë që i rrezon dielli
Gëzon sy i dashuruar
Kur me flatra preket qielli.

Jo, s’i kam zili ylberin
As pranverën që sjell ngjyra
Ja, këtu do ta mund terrin
Gaz e dritë të marrë fytyra.

Do mbush koshat me qershi
Dhe me dhëmbë dajres i bie
Zgjohet lulja në filizë
Zgjohen vite djalërie.

Ndë shelgjishe, degë më degë
Do të fshihem për një puthje
Ah, kjo natë c’po më deh!
Me aromë mbushen supe.

S’jam kreshnik që zbret nga mali
Jo, nuk jam as Ymer Aga
S’dua dritë shatërvani
As ujëvarë me stërkala.

Mos mbaroftë ky shi pranvere
Që më njomka gjer në palcë!
Sot jam dielli përtej reve
Kur marr valle me ciganë.

Zemra qënka bërë si bar livadhi
Dorë më dorë lodrën e marr
O, si ndrin ai sy cigani
Kur cigankën e ka pranë.
Boston, 28 mars 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.