21 gushti…76 vite më parë…

0
324

Nga: Bedri Islam Zeneli

Në të vërtetë lajmi për vrasjen e 5 djemve në Vig të Mirditës, nga bandat Gjonmarka Gjonit dhe të Pjetër Lleshit, që mund të jetë tash i dekoruar nga ndonjëri president i këtyre 30 viteve, nuk ka ardhur me 21 gusht, por të nesërmen.Edhe asaj dite ishte një vapë e tmerrshme si kjo sotmja dhe në zallin e mbetur bosh në përroit të Vigut, ku nuk dukej asnjë pikë ujë, zagushia ishte edhe më e madhe.Aty i rrethuan, prita ishte vënë që më herët dhe rreth e rrotull nuk kishte asgjë tjetër, veçse humbëtirë dhe një diell që binte mbi zallin e thatë.Tre punëtorë aty afër, që pjeknin tulla në diell, u larguan kur pranë gjithë ato njerëz me armë, që flisnin shqip, por që armët i kishin gjermane.Të gjithë të thirrur për të vrarë 5 djem të rinj, të cilët ishin luftëtarë, pasi tre prej tyre kishin qenë pjesë e batalionit “Perlat Rexhepi” dhe kishin marrë pjesë në luftën e Reçit, ndoshta lufta e parë ballore në ato përmasa në Shqipëri, nga një batalion që kishte emërin e një djali nga Vajza e Vlorës, Perlat Rexhepi, fshat ku kishte lindur edhe poeti Ali Asllani. Ishte një përasë e re lufte, ku emri i një labi ishte mbi një batalion verior, por kjo është temë tjetër.Naim Gjylbegu, “Besniku”, drejtuesi i parë i çetës së Postribës, Ahmet Haxhija, “Tigri” drejtuesi i njësiteve guerile, Ndoc Mazi, “Minuku”, sekretar organizativ i Rinisë Antifashiste në Qarkun e Shkodrës, ndoc Deda – mirditor dhe jetimi Hydajet Lezha, “Hyda”, nuk kishin vrarë askënd në Mirditë, nuk kishin djegur asnjë kullë apo nuk kishin hapur forcërisht asnjë kasolle.Mbi 90 për qind e mirditorëve ishte analfabete, dhe, një popull i paditur sunohet lehtë. Numri i shkollave ishte me gihtat e dorës, megjithëse kishte mjaft njerëz të lexuar. Paratë e gjakut paguheshin rregullisht, por për shkolla nuk i binte ndër mend askujt.Ata shkuan në Mirditë jo për të plaçkitur – por për një jetë të re; jo për të vrarë – por për t’i dhënë fund vrasjeve; jo për të sunduar – por që njerëzit të jenë të lirë; jo për të shërbyer ndaj të huajit- por që kauza e tyre të jetë e njëjtë me të gjithë popujt që luftojnë për liri.Këto djem u rrethuan, u lanë gjashtë orë të rrethuar që të dorëzoheshin dhe tÇu dorëzoheshin gjermanve, si kishte ndodhur disa muaj më parë me Manush Alimanin “Mali”, që e kishin zënë ballistët në një rrugicë të Shkodrës dhe ua kishin dorëzuar gjermanëve të Hauzdingut, që pasi e torturoi 26 ditë, të varur në çengelë, ku rreth vrasësit kishin edhe mjaft shqipfolës që sot janë të dekoruar dhe mburren se i shërbyen gjermanëve për të vrarë shqiptarë, Manushi u vdiq në duar. Ishte 22 vjeç. Jetim.Këtë donin edhe me 5 djemtë e rrethuar që më pas u njohën si heronjtë e Vigut. Të dorëzonin të gjallë tek gjermanët, si shpërblim për armët dhe shërbimin që u kishin bërë pesë djem, nga të cilët tre ishin komunistë, dy nga të cilët që nga 8 nëntori i vitit 1941.Kur e ndjenë se djemtë nuk dorëzohen dhe kur një grua mirditore guxoi dhe u dërgoi ujë dhe mori letrën e fundit të tyre, ku kishin shkruar se ” një herë kemi thënë se duam me e ba vdekjen si me le”, atëherë i qëlluan djemtë që ishin në zallin e thatë.Pastaj lëshuan urdhërin që askush të mos guxojë t’i varrosë dhe ikën. Ikën si çakejtë.Pesë djemtë mbetën aty.
Të nesërmen erdhi mandata, e copëzuar. Thuhej si ishin vrarë katër djem në Vig të Mirditës dhe njëri ishte dorëzuar dhe se ai që ishte dorëzuar kishte qenë nga një familje e madhe. Thonin se markagjonët që kishin gjwetur strehë dikur në këtë familje nuk kishin guxuar të vrisnin nipin e kryetarit të parë të bashkisë së Shkodrës, që kishte ngritur flamurin mes luftës kundër serbëve e malazezëve, në 28 nëntor, në sheshin e madh të qytetit.Dhe kur burrat po vendosnin të shpinin deri në fund aktin, gratë të mbyllnin dritaret me kanatat e drunjta, erdhi lajmi që i çliroi nga gjithçka: janë vrarë të pestë, njëri pas tjetrit, në të njëjtin vend, trimërisht.Prita, pasi kishte vrarë, kishte synuar përdhunimin e nderit.Djemtë u varrosën nga dy burra fisnikë, pjesë e familjes Gjylbegaj, xhaxhai i Naimit dhe një nip i tyre nga dera e Bushatlinjve fisnikë, i mbështollën me letër katrama, u vendosën nga një shenjë dhe disa muaj më pas, kur lufta shënjoi fitimtarët, u bë varrimi i tyre.Petro Marko , shkrimtari i famshëm, në librin e tij “Re dhe gurë” shkruan se ” askund tjetër nuk i kanë pritur më mirë partizanët , se sa në Shkodër”. E risolla Petro Markon , pasi kohët e fundit, njerëz që nuk kanë qenë aty, duan të dëshmojnë të kundërtën.Të kthehem tek 21 gushti.Të pesë djemtë u vranë tre muaj para përfundimit të luftës, kur kushdo e dinte se Gjermania ishte e mundur, kur ishte krijuar një aleancë e madhe SHBA-Angli-BRSS kundër nazizmit. Nëse markagjonët do të ishin tolerant dhe atdhetarë, por nuk je dot atdhetar me armë të pushtuesit, ata mund t’i thonin pesë djemve, “shkoni në punë tuaj, nuk lëviz Mirdita nga pesë djem të rinj”, por as nuk u shkoi ndër mend, por u vunë pushkën.Dhe nëse dikush do të ketë menduar se gjaku i tyre do të humbiste e nuk do të merrej, do të ishte i gabuar.Më i vjetri prej 5 djemve shte 25 vjeçar, më i riu 19 vjeçar.Në fakt ata mbetën në atë moshë.Të rënët mbetin përjetësisht të rinj!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.