“Arsim”, “Të qoftë dheu i lehtë”!

0
1239

Arian Peraj 

Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe ; në fund të fundit me ato çfarë hoqe ti kohët e fundit , një fat i tillë të priste.Ti po iken gjithë plagë që kullojnë gjak mbi këmishën tënde të bardhë,të vetmen që nuk munden ta ndryshonin me ngjyrat e djallit. Ike me të vetmin kostum që e mbajte një jetë të tërë me merakun që të ishte i paster dhe fin,jo se nuk deshiroje edhe ti ta nderroje çdo stinë e vit ,por ngaqë ishe i ndershëm dhe askujt në këto kohët e fundit nuk ju kujtua të mendonte se edhe ti ke nevoje për “salltanete si të tyret”. Po ç’kërkoje edhe ti,kostum të ri !? Ku ta veshje,në shtëpinë tënde që u kthye në stallë ?! Apo të ftoheshe dhe të mërdhije nga mungesa e ngrohjes dhe tavanit që pikonte ?!
Rëndësi ka që sarajet përballë teje të shtriqeshin në kolltukët e butë dhe zyrat e ngrohta,sa për ty, gabim edhe që rron!
Në vorrimin tënd do shtyhen për të mbajtur fjalën të gjithë ato që të plagosen çdo ditë dhe të gjithëve do na kujtojnë se “në varrimin e së vërtete, gënjeshtra mbajti fjalimin më prekës”.
Do vijnë të t’përcjellin ato që kaluan anës teje me frikën se nuk mund të shiheshin sy më sy me ty, do vijnë ato që filluan ta besonin edhe vetë legjendën se një kohë kishin qënë brenda teje, do vijnë të gjithë ato që të “varen në litarë” për një poezi apo nga urrejtja për fisnikërinë tënde, për vitet e largëta kur të lindi dëshira e një kombi që tashmë ka ulur kokën përballë mortjes, për të vërteten se ti kishe lindur atëherë kur duhej e jo të shbëheshe në vitin zero kur të pushtuan hordhitë e urrejtjes së dijes.E pas ceremonisë butaforike, do përcjellin edhe ndonjë gosti të bollshme me triumfin se askush më nuk ka kush jua tregojë se sa vlejnë.
E për çudi, nuk kam asnjë shpresë se do ngrihesh si feniksi, sepse nuk ke se si të dalësh mbi muranen që do të hedhin përsipër. Nuk do mundesh,pasi aty nuk do mbjellin as trendafil, as selvi, por një “lule” te kohëve të fundit që hyri furishëm me tymin e saj tek “engjëjt e tu” që ti me lot në sy i vajtoje për fatin tragjik,për “trendin” trefletësh….
Por mos u merzit, aty ku do shkosh do gjesh të sistemuar para teje “shëndetësinë”, e shumë shpejt do vijnë edhe miqtë tuaj më të mirë,duke lënë në këtë botë, ato që asnjëherë nuk i deshe dhe nuk u pajtove me to.
Ne që të deshëm dhe të duam vertetë, beso nuk do të qajmë,por duke shtrenjtuar grushtet do mallkojmë fatin që na ra me premtimin që një ditë mbi muranen tënde të vendosim një pllakë dinjitoze me mbishkrimin:
” Këtu prehet dija që u vra nga padija dhe armiku i mëndjes, në një epokë kur njerëzimi vuante marrëzinë e vet”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.