U PËRURUA LIBRI I HAJRULLAH HAJDARIT “POZITA KUSHTETUESE-JURIDIKE DHE POLITIKE E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI NGA VITI 1945-1990”

0
Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të enjten mbrëma, më 2 dhjetor 2021, është përuruar libri i ri i autorit Hajrullah Hajdari “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”.
Objekt i hulumtimeve janë aktet juridike të RSFJ-së dhe Malit të Zi, të institucioneve ndërkombëtare, raporti mes tyre, forma dhe rendi juridik i qeverisjes, veprimtaritë dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore-legjislative, ekzekutive, gjyqësore, administrative dhe politike, roli i politikës në qeverisje, ngjarjet dhe proceset politike dhe gjyqësore me ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve, në veçanti të popullit shqiptar. Objekt i librit janë edhe vuajtjet dhe qëndresa e shqiptarëve në Malin e Zi, zhvillimi kulturor, arsimor e ekonomik në periudhën 45-vjeçare në kuadër të Malit të Zi, si njësi e veçantë e Federatës Jugosllave, e sidomos përpjekjet e tyre për të theksuar identitetin kombëtar, ruajtjen dhe kultivimin e qenies shqiptare në këto troje.
Në emër të botuesit dhe organizatorit të përurimit, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ndërsa për librin kanë folur redaktori Dr. Nail Draga, recensenti Dr. Mustafë Haziri nga Mitrovica dhe vetë autori. Gjatë përurimit janë lexuar edhe disa fragmente të shkurtra nga libri.
Libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin të Drejtave të Pakicave
Në fund të përurimit, autori ka ndarë libra falas për pjesëmarrësit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.