NAMIK SELMANI
Kushtuar brezave të shkollës Normale në Elbasan dhe ish- nxënësve të shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” që patën përkushtimin më të madh për përhapjen e arsimit Shqip …
Krenaria
Na skuq fytyrën nga vitet kur prekëm shkronja
Ti
Na vjen në sy, në ditë fitoresh për çdo sfidë.
Mbetëm
Përherë pranë ndriçimit tënd si xixëllonja
Kalorës
Të një Mirësie që aty e morëm lumturisht.
Pranë Shkumbinit
Na vërshonte një tjetër lumë me ëndrra të ndezura.
Pranë Krastës
Të gjithë erërat bëheshin fllade livadhi që puthnin lisa.
O prag i Normales
Në librat që na hape sikur na ngjite në bedena.
U bëmë
Luftëtarë të një beteje që donte djersë e sakrifica.
Në brigje jete
U munduam të mos linim gjurmë të fshehura në rërë.
Ishim
Dhe jemi shumë të uritur për një tingull shqipeje.
Kur
Flokët u thinjën e hapat rënduan ndër këmbë
Sytë
Nuk e zbehën diellin e diturisë që në sy na ndrinte.
Po lanim
Borxhin e viteve që na la Koha klithmuese e Territ.
Po zgjonin
Pengjet e nënave që nuk i shkruan dot këngë e ninulla.
U bë
më i lehtë dheu i baballarëve thellë mermerit
U bënë
më të bukur lindja, kuvendi, dashuria dhe e puthura.
Pragjet
Shqiptare u zbukuruan me dritën hyjnore, Normale
Më të ngrohtë
Se oxhaqet ku flakët e zjarreve të drurëve kuqëlojnë.
Për ty
Do të jeni ndezës të ndershëm e të përjetshëm gare
Do të jemi
Dëshimitarë të një rilindjeje që prapë në radhë na kërkon.
Në rrugica
Dëgjojmë ende tinguj të lashtë me mistikë diturie.
Në Bezistan duan
Fletët e rrapit më zgjojnë Kristoforidhin e urtë.
O prag i ndritur
Sa trasta të rënda me shkronja na vure mes shpine
Që duan
Fuqinë e këmbës dhe zemrën e ndezur si prush.
31 mars 2018