ÇFAR PO NDODH ME RENDIN Z. MINISTER?

0
Nga SENAD  NIKSHIQI  Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Mbrëmja e djeshme për banorët e fshtrave të Gruemirës në Malësinë e Madhe ishte një natë terrorizuese. Afro 100 plumba të derdhur rrugëve të fshatit në një ndjekie e denjë për skenë filmi. Pasi qëlluan kamerat e sigurisë të familjes Kurtaj në orët e para të mëngjesit në Linaj, autorët u kthyen me të njëjtin motorr por shotganin e mëngjesit që siç duket e hodhën në mal e kishin zëvendësuar me automatikë kallashnikovi. Djemtë e familjes Kurtaj dolën për t’i ndaluar por autorët jo vetëm nuk ndaluan por iu khyen duke i qëlluar për afro 10 minuta nepër rrugët e Gruemirës duke derdhur nepër asfalt mbi 100 plumba. Askush nuk u plagos fatmirësisht sepse autorët kishin për qëllim vetëm të ndalonin ndjekien nga autmojeti i familjes Kurtaj. Të shtënat terrorizuese u ndalën vetëm pasi autorët u futen diku mes arave të Gruemirës duke i shpëtuar ndjekies por edhe policisë, të paktën deri tani.
Kjo drogë e mallkuar e cila mbillet maleve si kallamoqi dhe afro 500 shtëpitë e barit në gjithë territorin e qarkut Shkodër janë kthyer në hanxharë për kokat e djemve e burrave që kanabisin e shohin si shpëtimtarë për daljen nga mjerimi ekonomik dhe rruga e vetme për pasurimin e shpejtë.
Hani Hotit, liqeni dhe disi më pak Muriqani janë kthyer në një pikë shqetësuese për të gjithë partnerët ndërkombëtar. Kamionë e automjete të shumta gjejnë fijet për të kaluar sasi të konsiderueshme droge ashtu siç varkat në liqen i shpëtojnë radarëve të policisë duke mbërritur në tokën e Malit të Zi e nga aty kudo në Europë. Të gjithë e dinë që malli i maleve tona është ndër më cilësorët e madje shpesh në dyqanet e Holandës ku lejohet konsumimi i hashashit ka çmimin më të lartë.
Pak ditë më parë Ministri i Brendshëm Ervin Hoxhaj tha se 65% e shqiptarëve besojnë tek policia ndërsa drejtori i përgjithshëm Ilir Proda deklaroi se 64% e qytetarëve janë të gatshëm të denoncojnë shkeljet. Si fillim a janë këto shifra një moment krenarie për dy zyrtarët e lartë. Po t’i marrim të mirëqëna këto sondazhe, a duhet të kënaqemi që 35% nuk kanë besim tek policia shqiptare?
Një vrasje ndodhi në Postribë dhe banorët dëgjuan krismat e automatikut kur Ramazan Mataj mbeti i vdekur nga plumbat por askush nuk e çeli derën e shtëpisë. Madje askush nuk njoftoi policinë për t’i thënë se kanë dëgjuar krisma derisa në mëngjes një kalimtar i rastit konstatoi trupin e pajetë.
Gjatë ditës së djeshme fillimisht në orët e mëngjesit ata pak banorë në fshatin Linaj të Malësisë së Madhe dëgjuan krismat e shotganit por askush nuk e mori policinë, madje as vetë të dëmtuarit derisa pritën që autorët të ktheheshin për të folur me ta se përse kishin qëlluar. Në darkë pastaj vetëm disa orë më vonë, pas orës 18:00 nisën të shtënat e automatikut që nuk pushuan për afro 10 minuta. E gjithë Gruemira i dëgjoi krismat por askush nuk mori në telefon. Edhe pse ngjarja kishte afro një orë e gjysëm që kishte ndodhur, telefonata në polici mbërriti rreth orës 20:00 dhe me gjasë nga vetë pala e dëmtuar, familja Kurtaj. Pra sërish askush nuk telefonoi.
Shpesh në zona të ndryshme të Shkodrës ka krisma armësh për të cilat jo vetëm nuk njofton askush por edhe vetë policia e cila besoj mund të ketë ndonjë natë që i dëgjon por asnjëherë nuk merr mundimin as për të gjetur autorët të cilët ushtrojnë dorën por as nuk i regjistron fare si ngjarje.
Me dhjetra raste të tjera në këto vite ku viktimat mbesin në rrugë për orë të tëra, brenda makinave të vrarë apo të hedhur në ndonjë cep sepse qytetarët nuk kanë guximin të telefonojnë policinë. Rasti i çiftit pak vite më parë që mbetën të vrarë poshtë një pallati dhe britmave të një fëmije tejet të vogël që u end gjithë natën në trupin e nënës së vdekur, nuk iu përgjigj askush. As banorët e pallatit, as rojet e natës, as ndonjë kalimtar i orëve të vona dhe askush tjetër.
Kriminaliteti, sidomos ai që buron nga droga i cili prodhon edhe ngjarjet më të shpeshta nuk është një çështje politike e njërës apo tjetrës parti. Kjo është një çështje kombëtare, është një alarm mbarëkombëtar. Në afërsi të shkollave, madje edhe brenda tyre hashashi po shitet si byrekët e çokollatat. Droga në disko e lokale të ndryshme konsumohet më shumë se shishet e birrave e të verës.
I nderuar Ministër, nëse besueshmërinë e mat me denoncime që mund të vijnë për ndërtime pa leje apo automjete të parkuara në kundërvajtje në lagje apo të tjera të ngjashme, besoj se krijoni efektin e kundërt.
E vetmja mundësi për të kthyer besimin e vërtetë të qytetarëve tek policia është një plan serioz kombëtar për të luftuar kriminalitetin, kryesisht atë që buron nga droga e cila më pas pjell gjithë zinxhirin e mëvonshëm kriminal. Ne nuk jemi Kolumbia as Meksika që kjo çështje të shihet si e pamundur!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.